U dorëzua në Kuvend projektligji për punësimin e përhershëm të personave që prej vitesh punojnë me kontrata
Deputeti i VMRO-së, Bojan Stojanoski, prezantoi Projektligjin e dorëzuar në Kuvend për transformimin në marrëdhënie të rregullt pune, sipas të cilit personat që prej vitesh punojnë në institucionet shtetërore me kontratë pune, kontratë autori ose përmes agjencive për punësim të përkohshëm, mund të marrin status të rregullt pune me kohë të pacaktuar. Sipas tij, propozimi synon t’i japë fund pasigurisë shumëvjeçare të personave që punojnë në sektorin publik pa sigurinë që sjell punësimi i rregullt, transmeton Portalb.mk.
“Ky është një problem pas të cilit nuk qëndrojnë vetëm kontrata, dokumente dhe procedura administrative, por fate njerëzore, familje dhe njerëz që prej vitesh jetojnë në pasiguri për të ardhmen e tyre”, deklaroi Stojanoski.
Projektligji përfshin disa institucione të sektorit publik, përfshirë organet e pushtetit shtetëror, institucione të caktuara publike në shëndetësi, kulturë, mbrojtjen e fëmijëve dhe sociale, komunat, ndërmarrjet publike, institutet dhe fondet.
Të drejtën për transformim do ta kenë personat që kanë kontratë të vlefshme në ditën e hyrjes në fuqi të ligjit dhe kontrata e të cilëve mbetet në fuqi në momentin e transformimit. Kjo do të thotë se nuk përfshihen automatikisht të gjithë ata që kanë punuar ndonjëherë me kontratë, por vetëm personat që plotësojnë kushtet e përcaktuara me ligj.
Nga zbatimi përjashtohen, ndër të tjera, shoqëritë aksionare, shkollat fillore dhe të mesme, institucionet e arsimit të lartë dhe shkencore, Ministria e Punëve të Brendshme, shërbimet e sigurisë dhe institucione të tjera të përcaktuara me projektligj.
Institucionet do të kenë 90 ditë nga hyrja në fuqi e ligjit për të lidhur kontratat ose për të miratuar vendimet për punësim.
Transformimi do të bëhet në faza. Për deri në 50 përqind të personave të përfshirë, kontratat ose vendimet do të hyjnë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit, ndërsa për pjesën tjetër afati përfundimtar është 31 dhjetor 2027.
Projektligji parashikon gjithashtu mbrojtje për punonjësit gjatë procedurës së transformimit. Institucionet nuk do të mund t’ua ndërpresin kontratat para se të hyjnë në fuqi vendimet për punësim, përveç rasteve të shkeljes së detyrimeve kontraktuale në përputhje me ligjin.
Sipas Stojanoskit, qëllimi është jo vetëm të zgjidhet problemi i personave të angazhuar aktualisht me kontrata afatgjata, por edhe të parandalohet përsëritja e kësaj praktike në të ardhmen.
Projektligji duhet të kalojë procedurën ligjore, ndërsa zbatimi konkret do të varet nga miratimi dhe hyrja e tij në fuqi.
Ndryshe, derisa ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, gjatë prezantimit të punës dyvjeçare të ministrisë u lavdërua për arritjet në reformën e administratës publike, Parlamenti Evropian nga ana tjetër vlerësoi arritjet duke pranuar disa përmirësime në transparencë dhe efikasitet, mirëpo i cilësoi ata të moderuara, duke theksuar mes rreshtash se reformat ende nuk janë të mjaftueshme.
Një nga pikat kryesore të kritikës së Parlamentit Evropian lidhet me depolitizimin e administratës publike, ku kërkohet zbatim i plotë i sistemit të punësimit dhe avancimit në bazë të meritës, veçanërisht për pozitat e larta drejtuese, pasi ende konsiderohet se ndikimi politik në administratë nuk është eliminuar plotësisht.