Antikorrupsioni do të kontestojë “balancuesin” për punësime sipas kombësisë para Gjykatës Kushtetuese

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit do të paraqesë në Gjykatën Kushtetuese iniciativë për rishikimin e mjetit balancues, i cili mundëson punësimin në institucionet shtetërore dhe publike sipas përkatësisë etnike, transmeton Portalb.mk.

Antikorrupsioni përgatiti një analizë në lidhje me shkallën në të cilën ky lloj punësimi mbart rreziqet e mundshme të korrupsionit dhe rreziqet e tregtimit të ndikimit, ndërsa gjatë përgatitjes së analizës, Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve me Komunitetet e drejtuar nga Artan Grubi aspak nuk ju ka kthyer përgjigje për mënyrën se si kryhen punësimet.

Tashmë antikorrupsionistët do të kërkojnë nga qeveria këto përgjigje, për të parë se çfarë efekti është arritur me balancuesin, numrin e personave të pacaktuar në institucionet që mbulon Marrëveshja Kornizë, arsyet pse publikohen konkurset e reja për vende pune ku kombësia përmendet si parakusht, etj.

“Në kuadër të balancuesit, përkatësia etnike është baza për ndarjen e vendeve të punës. Gjatë aplikimit, kandidatët shumë shpesh shkruajnë përkatësinë etnike që kërkohet në konkurs, si dhe mund të aplikojnë për disa vende pune me kombësi të ndryshme. Besoj se balancuesi është në kundërshtim me Kushtetutën, gjegjësisht e drejta e punësimit ekskluzivisht në bazë etnike i detyron qytetarët të deklarojnë kombësinë e tyre, e jo në bazë të ndjenjave të tyre”, tha anëtari i komisionit, Vladimir Georgiev.

Nuri Bajrami, anëtar i KShPK-së, tha se balancuesi buron nga Marrëveshja Kornizë dhe më pas përgjegjësia për punësim i ka rënë Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë, e më pas Ministrisë së Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve me Komunitetet, e cila shpall punësimin jo për vete, por për punësime në institucione të tjera.

“Balancieri ishte një mjet plus për të marrë ata njerëz që prej vitesh trajtoheshin si punonjës dhe nuk shkonin në punë. Edhe ne shqiptarët e dimë që po keqpërdoret dhe mendoj se duhet të kontrollohet kushtetutshmëria e ligjeve ku figuron balancuesi”, tha Bajrami.

Disa nga anëtarët e KShPK-së konsideruann, ndërsa pjesa tjetër u pajtuan, se duhet informacion specifik nga qeveria se sa persona kanë mbetur të pacaktuar, pse po publikohen shpallje të reja dhe cilat janë efektet e balancuesit, por edhe nëse është i nevojshëm në të ardhmen.

“Po keqpërdoret balancuesi, nuk ka më asnjë funksion, secili të shkruhet sipas nacionalitetit sipas nevojave të shpalljeve për punësim”, tha Georgiev.

Të 7 anëtarët e KPShPK-së votuan për rishikimin e mjetit, kudo që ai gjendet, përpara Gjykatës Kushtetuese. Katër nga anëtarët votuan për paraqitjen e iniciativës për të kontrolluar ligjshmërinë e Ligjit për rekrutimin e nëpunësve administrativë dhe u mor vendim unanim që të kërkohen të gjitha informatat nga Qeveria lidhur me punësimet “kornizë”.

Së shpejti do të publikohet analiza e detajuar e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për punësimin sipas përkatësisë etnike. Sipas të dhënave të paraqitura, 85 për qind e shqiptarëve janë në Ministrinë e Sistemit Politik, 45 për qind në Ministrinë e Ekonomisë dhe 30 për qind në Shëndetësi. Mbi 300 institucione deri më tani kanë shkelur balancuesin gjatë punësimit.

Komisioni për Parandalim të Korrupsionit (Antikorrupsioni) qysh para mbi një viti, ka konstatuar dobësi të përdorimit të “balancuesit” gjatë punësimit të zyrtarëve administrativ, gjegjësisht nuk është konstatuar procedurë për kontroll të besueshmërisë së të dhënave e as nuk është bërë bazë e unifikuar nga e cila do të merren të dhëna për përkatësinë etnike të kandidatëve.

Ndryshe, problemi i ndryshimit të përkatësisë etnike vetëm sa për t’u punësuar është i kamotshëm. Në janar të vitit 2020, drejtori i Agjencisë së Administratës, Spase Gligorov, për Portalb.mk, deklaroi se ata nuk kanë mekanizëm ligjor me të cilin do ta parandalonin këtë situatë.

Kujtojmë se prej 20 dhjetorit deri në marrjen e vendimit përfundimtar, qytetarëve nuk guxon t’iu kërkohet të fusin të dhënat e kombësisë në certifikatat e lindjes, martesës dhe vdekjes.

Nga Gjykata Kushtetuese, bënë të ditur se është miratuar një masë e përkohshme që nxjerr jashtë përdorimit Udhëzimin, deri në marrjen e vendimit përfundimtar për këtë çështje.

Udhëzimet për librat amë, në të cilat është shtuar grafa e kombësisë, janë miratuar nga ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, më 29 maj të këtij viti. Akti është botuar në “Gazetën Zyrtare” më 15 qershor, gjegjësisht 17 ditë nga miratimi i tij, ose më konkretisht 10 ditë nga skadimi i afatit ligjor për këtë procedurë.