Raporti i KE-së: Papunësia e të rinjve në RMV mbetet e lartë, shumica e komunave pa këshilla rinorë dhe strategji lokale
Papunësia e të rinjve në Maqedoninë e Veriut mbetet e lartë, ndërsa politikat rinore vazhdojnë të përballen me mangësi në zbatim dhe mungesë transparence. Shumica e komunave nuk kanë këshilla lokalë rinorë, strategji për të rinjtë apo qendra rinore, ndërsa ende nuk janë publikuar raporte për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për të Rinjtë. Këto janë disa nga problemet që evidenton Komisioni Evropian (KE) në Raportin e Progresit për Maqedoninë e Veriut për këtë vit, shkruan Portalb.mk.
Sipas raportit, papunësia te të rinjtë vazhdon të jetë shqetësuese.
“Papunësia e të rinjve (grupmosha 15–24 vjeç) mbeti e lartë, në rreth 25 përqind”, thuhet në raport..
Krahas papunësisë, KE-ja evidenton edhe mungesën e kapaciteteve institucionale për zbatimin e politikave të punësimit. Sipas raportit, Agjencia e Punësimit ende nuk ka kapacitete të mjaftueshme për zbatimin më efikas të masave aktive të tregut të punës dhe të skemës së Garancisë për të Rinjtë.
Mungesë transparence dhe ngecje në politikat rinore
Problemet nuk kufizohen vetëm te punësimi. Komisioni Evropian vëren se ende nuk ka raporte të disponueshme publikisht për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për të Rinjtë 2023–2027 dhe Planit të saj të Veprimit për periudhën 2023–2025.
Gjithashtu, Plani i ri i Veprimit për vitet 2026–2027 dhe Ligji i ri për Punën me të Rinjtë mbeten në pritje të miratimit.
Komisioni Evropian thekson gjithashtu nevojën për zbatimin e Ligjit për Pjesëmarrjen Rinore dhe Politikat Rinore, si dhe përshtatjen e tij me ndryshimet institucionale të vitit 2024.
Më pak komuna me këshilla rinorë, shumica pa strategji lokale
Raporti evidenton edhe përkeqësim sa i përket funksionimit të këshillave lokalë rinorë në nivel komunal.
Në vitin 2025, numri i komunave që kanë këshilla lokalë rinorë është ulur nga 28 në 24, nga gjithsej 81 komuna në vend. Kjo do të thotë se 57 komuna nuk kanë këshilla lokalë rinorë.
“Në vitin 2025, numri i komunave që kanë këshilla lokalë rinorë u ul nga 28 në 24, nga gjithsej 81 komuna. Ndërkohë, vetëm 17 komuna kanë strategji lokale për të rinjtë, ndërsa qendra rinore dhe zyra për të rinjtë ekzistojnë në 13 komuna”, thuhet në raport.
Nga ana tjetër, Komisioni Evropian konstaton se Këshilli Rinor Kombëtar i Maqedonisë së Veriut vazhdon të jetë aktiv.
Mbi 23 mijë të rinj të përfshirë në Garancinë për të Rinjtë
Pavarësisht problemeve të evidentuara, raporti regjistron edhe disa zhvillime pozitive në fushën e punësimit dhe mbështetjes së të rinjve.
Gjatë vitit 2025, në skemën e Garancisë për të Rinjtë u përfshinë gjithsej 23.314 të rinj të papunë, prej të cilëve 11.470 ishin vajza.
Nga të përfshirët në këtë skemë, 6.856 të rinj u punësuan, ndërsa 1.490 morën pjesë në masa aktive të punësimit me qëllim rritjen e mundësive të tyre për punësim. Përmes kësaj skeme u mbështetën edhe 1.410 persona romë.
Komisioni Evropian vlerëson se Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur në fushën e politikave sociale dhe punësimit. Sipas raportit, është shënuar njëfarë progresi përmes uljes së mëtejshme të papunësisë, rritjes së përfitimeve nga ndihma sociale dhe vazhdimit të zbatimit të Garancisë për të Rinjtë.
Mbi 700 projekte Erasmus+ gjatë vitit 2025
Në raport përmendet edhe pjesëmarrja e Maqedonisë së Veriut në programin evropian Erasmus+, në të cilin vendi vazhdon të marrë pjesë si shtet i asociuar.
Sipas Komisionit Evropian, gjatë vitit 2025, organizatat morën pjesë në mbi 700 projekte të programit Erasmus+, prej të cilave 400 ishin projekte për mobilitetin e të rinjve.
Megjithëse raporti evidenton progres në disa fusha të punësimit dhe pjesëmarrjes në programet evropiane, papunësia e lartë, kapacitetet e pamjaftueshme institucionale dhe ngecjet në zbatimin e politikave rinore mbeten ndër problemet kryesore të evidentuara nga Komisioni Evropian.
Përndryshe, Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në u publikua më 4 nëntor.
- Lexo gjetjet e raportit të vitit të kaluar për të rinjtë: Papunësia e të rinjve pa përmirësim: KE kritikon RMV-në, kërkon masa urgjente