Para katër viteve BDI premtoi, por nuk e ndaloi mundësinë e keqpërdorimit të përkatësisë etnike gjatë punësimit

Në Maqedoninë e Veriut, ende është prezent manipulimi me përkatësinë etnike për t’u punësuar në ndonjë institucion. Edhe pse Bashkimi Demoktarik për Integrim, katër vite më parë, në programin zgjedhor të titulluar “Koha për kryeministrin e parë shqiptar”, ka premtuar se këtë çështje do ta rregullojë me ligj, por një ligj i këtillë nuk u miratua, shkruan Portalb.mk.

Në bazë të softuerit që përcakton punësime në bazë të etnitetit, apo i ashtuquajtur “Balanser” me qëllim që të balansojë përfaqësimin e etniteve nëpër institucione publike, punësimi nëpër institucione bëhet sipas përkatësisë etnike. Nëpër shpallje publike, mund të shihen që përveç kritereve bazë për punësim, ka dhe kriter të përfaqësisë etnike, gjegjësisht kur kërkohet maqedonas, shqiptar, apo prej ndonjë komuniteti tjetër më të vogël.

Nëse në një shpallje kërkohet një etnitet i caktuar, kjo do të thotë se një qytetar i një etniteti tjetër nuk mund të punësohet, pasi që do të ndikonte negativisht në përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.

Por, për të tejkaluar këtë pengesë, qytetarët manipulojnë me përkatësinë e tyre etnike, pasi nuk ekziston ligj, rregullore apo dokument që tregon ose dëshmon se një qytetar është i përket ndonjë etniteti të caktuar.

Praktikisht, në një konkurs ku kërkohet që në atë vend pune të punësohet një shqiptar, konkurron një maqedonas dhe deklarohet se është shqiptar, ose anasjelltas. Në fund, institucioni, në mungesë të ligjit i punëson edhe personat që deklarojnë rrejshëm përkatësinë etnike.

Një ndër rastet e manipulimit të përkatësisë etnike vetëm për t’u punësuar në shtet, ishin ai i vitit 2020 kur 23 persona me emra maqedonas, janë pranuar në punë si shqiptarë në Agjencinë për Kadastër të Patundshmërive.

Mediat në vitin 2021 shkruan për një rast tjetër në Muzeun e Strugës, kur, për një vend pune arkeolog – i dedikuar për shqiptar, është punësuar maqedonas. Në të njëjtin konkurs është kërkuar dhe biolog shqiptar, por në vend të tij, është punësuar biolog me emër maqedonas.

Në vitin 2022, Antikorrupsioni zbuloi disa raste se si, madje nga 2-3 herë e ndërrojnë përkatësinë etnike, varësisht se si kërkohet në shpalljen në punësim.

“Një kandidat ka aplikuar në pesë vende pune dhe në tre vende pune në të njëjtin konkurs është deklaruar ndryshe, ashtu siç kërkohet shpallja. Njëherë maqedonas, pastaj shqiptar, pastaj rom. Kandidati tjetër, deklarohet si turk. Pas kontrollit të të dhënave, del se ata aktualisht janë të punësuar në sektorin publik dhe njëherë janë deklaruar për përkatësinë e tyre etnike, njëri si maqedonas, tjetri si shqiptar”, deklaroi anëtari i atëhershëm i Antikorrupsionit, Nuri Bajrami.

Drejtori i Agjencisë për Administratë, Spase Gligorov, në vitin 2020, për Portalb.mk shpjegoi problemin e mungesës së rregullimit ligjor.

“Nuk kemi mekanizëm ligjor që të konstatojnë se dikush është shqiptar apo maqedonas. Kjo është problem dhe duhet që të korrigjohet që të mos vihet deri te këto situata. Nuk ekziston dokument në shtet në të cilën shkruan përkatësia nacionale. Kur aplikohet për konkurs publik, në vetë aplikimin shkruhen të dhënat personale në mesin e të cilave shkruhet edhe përkatësia etnike. Atje çdo kandidat sit ë dëshirojë e shkruan. Dhe ne ashtu i trajtojmë deri në fund të procedurës, pra ashtu siç janë deklaruar. Ne nuk kemi as mekanizëm e as të drejtë që të kontrollojmë përkatësi etnike. Kjo nuk është e re, kjo ka ndodhur në periudhën e kaluar dhe është problem, megjithatë ne nuk kemi mekanizëm ta parandalojmë”, tha për Portalb.mkGligorov.

Problematikën, në programin zgjedhor “Koha për kryeministrin e parë shqiptar” për mandatin 2020-2024, BDI është zotuar se do ta zgjidh.

Në pjesën për administratën publike të programit zgjedhor, BDI zgjidhjen e kësaj problematike e vendos në 5 projektet kryesore.

Në program nuk jepen detaje më të hollësishme, vetëm thuhet qartë se me këtë do të ndalohet me keqpërdorimin e përkatësisë etnike gjatë punësimit.

“Një ndër pesë projektet e BDI-së për administratën publike të vendit, është ndalesa e mundësisë së keqpërdorimit të përkatësisë etnike gjatë punësimit”, thuhet në faqen 173 të programit.

Por, kanë kaluar 4 vite dhe nuk kanë mbetur as dy muaj për zgjedhjet e ardhshme, parlamentare, por këtë premtim BDI nuk e ka realizuar.

Manipulimi me përkatësinë etnike ende vazhdon. Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, i cili vjen nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, në fund të majit 2023, tentoi që ta zgjidh këtë problematikë, duke nënshkruar një udhëzim me çka do të vendosej përkatësia etnike në dokumentet e gjendjes civile.

“Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, nënshkroi Udhëzimin për ndryshim dhe plotësim të Udhëzimit për mënyrën e mirëmbajtjes, mbrojtjes dhe ruajtjes së librave amë dhe dokumentacioneve; lëshimin e certifikatave, vërtetimeve dhe kopjeve duke u bazuar në librat amë;  drejtimin e procedurës dhe hartimin e  procesverbalit për fëmijë të gjetur; riparimin e librave amë të shkatërruar, dëmtuar apo të zhdukur, si dhe formateve për librat amë, regjistrit të librave amë, certifikatave dhe vërtetimeve të cilat lëshohen duke u bazuar në librat amë, ku do të ketë një shtyllë për përkatësinë etnike”, informoi Ministria e Drejtësisë.

Por, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi këtë udhëzim në fund të muajit shkurt të këtij viti.

Në arsyetimin e Gjykatës thuhet se deklarimi për përkatësi nacionale nuk është e detyrueshme, por mundësi, me çka qytetarët janë të privuar nga e drejta që të mos deklarohen për përkatësinë e tyre nacionale, që për gjykatën është dyshim se është në kundërshtim me lirinë e shprehjes.