Zyra për inkubator biznesi në Tetovë nuk është krijuar ende, nuk ka afat se kur do të jetë gati

Në Tetovë ende nuk është themeluar zyra për inkubator biznesi e cila është premtim i Komunës së Tetovës. Nga ky institucion thonë se punohet në këtë drejtim por se nuk ka afat konkret, shkruan Portalb.mk.

Në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 të kryetarit të Tetovës Bilall Kasamit, mes tjerash përmendet zyra e inkubatorit të biznesit.

Te pjesa e zhvillimit ekonomik lokal, konkretisht në faqe 13 thuhet:

Në kuadër të Qendrës për Zhvillim Ekonomik Lokal do të themelojmë zyrën për inkubator biznesi. Kjo zyrë do të jetë e obliguar që në një afat të caktuar kohor të përgatis dokumentacionet e nevojshme për bizneset e reja, të hartojë projekte zhvillimore në bashkëpunim me kompanitë vendore dhe me universitetin e USHT dhe UEJL”.

Megjithatë, dy vite e gjysmë më vonë që nga ndryshimi i udhëheqësisë komunale, kjo pikë nuk është realizuar ende.

Të pyetur nga Portalb.mk për këtë, nga Komuna e Tetovës thonë se punohet në këtë drejtim, por që nuk ka afat konkret.

“Fillimisht është duke u punuar në mbledhjen e të dhënave për krijimin e një pike informuese për bizneset e cila do t’i paraprijë inkubatorit, procedurë e cila nuk ka një afat të caktuar por është në zhvillim e sipër”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Kjo pikë parasheh të krijojë ambient për bizneset që të jenë produktive, efikase dhe konkurrente por edhe bashkëpunuese, asistencë profesionale për përgatitjen e biznes planeve, asistencë dhe lehtësim të procedurave për regjistrim dhe funksionim të kompanive të reja si dhe të tjera.