Partitë në pushtet promovuan Manifest për negociatat me BE-në, kërkojnë unitet

Disa parti politike të përfaqësuara në Kuvend, të udhëhequra nga LSDM-ja dhe BDI-ja, sot kanë publikuar një Manifest lidhur me negociatat për anëtarësim të plotë në BE, transmeton Portalb.mk.

LSDM thotë se “është koha për bashkimin e të gjithë liderëve politikë, me nënshkrimin e një Manifesti të përbashkët me të cilin të gjithë do të angazhohen për zhvillimin efikas të negociatave për anëtarësim në BE”.

Nëpërmjet këtij Manifesti, të gjithë liderët e partive politike marrin përsipër që “do të përpiqen t’i përfundojnë negociatat e anëtarësimit në një kohë sa më të shkurtër, duke mbrojtur plotësisht identitetin, traditën, gjuhën dhe vlerat shoqërore të qytetarëve”.

Dokumenti është nënshkruar nga 12 parti politike, ndërsa përveç LSDM-së dhe BDI-së, në listë janë edhe Aleanca për Shqiptarët (ASh), Partia e re social-demokrate (NSDP), Partia Liberale  (PL), Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), Partia Lëvizja e Turqve (THP), Partia Demokratike e Turqve në Maqedoni (TDP), Rindërtimi Demokratik i Maqedonisë (DOM), VMRO-Partia Popullore ( VMRO-NP), Partia e Pensionistëve dhe Partia e Serbëve.

“Para atdheut tonë dhe para të gjithëve është një shans historik për të vazhduar rrugën evropiane me votën për Evropën në Kuvendin e Maqedonisë. Tani duhet të bëjmë një hap përpara, të marrim një vendim për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe anëtarësimin më të shpejtë në BE”, thuhet në njoftimin e LSDM-së.

Manifesti me katër faqe ndër të tjera thotë:

Duke u nisur nga synimi i shprehur që Maqedonia e Veriut ta arrijë gatishmërinë për anëtarësim të plotë në vitin 2030,

Ne, partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, me veprimet tona do të zotohemi që negociatat e anëtarësimit të përfundojnë në kushte sa më të favorshme të mundshme dhe Brenda afatit sa më të shkurtër të mundshëm kohor, plotësisht të vetëdijshëm për detyrimet që dalin nga anëtarësimi në BE.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut e obligon Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që përmes delegacionit shtetëror për negociata me BE-në, Sekretariatit për Çështje Evropiane, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ekipit negociator të ekspertëve t’i përmbahet në vazhdimësi përcaktimit për respektim të pakushtëzuar të veçorive gjuhësore, identitare, historike dhe kulturore të popullit maqedonas, si elemente që nuk negociohen me Bashkimin Evropian.

Nga BDI-ja thanë se mbështetja e tyre vjen si rezultat i promovimit të fuqishëm të integrimeve në BE.

“Ndaj, BDI-ja beson se është koha që të bashkohen të gjithë partitë politike, subjektet apolitike dhe organizatat joqeveritare përmes këtij hapi të rëndësishëm të nënshkrimit të Manifestit të përbashkët, me të cilin të gjithë së bashku do të obligohemi për zhvillim efikas dhe cilësor të negociatave për anëtarësim në BE”, informuan nga BDI.

Mesazhet e njëjta i përcolli edhe Aleanca për Shqiptarët.

Manifesti publikohet para seancës për fazën e parë të ndryshimeve kushtetuese, pra për votimin e nevojës për ndryshimet kushtetuese, të planifikuar për më 18 gusht.

Në propozim-iniciativën e miratuar nga Qeveria dhe të kaluar në komisionin parlamentar, propozohet që në Preambulën e Kushtetutës të shtohen edhe bullgarët dhe pesë popuj të tjerë – kroat[t, malazezët, sllovenët, hebrejt dhe egjiptianët.

Kujtojmë se, Qeveria e Maqedonisë së Veriut i dërgoi Kuvendit amendamentet kushtetuese. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi më 19 korrik të këtij viti e pranoi propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Xhaferi, menjëherë e dërgoi Propozimin te deputetët në Kuvend dhe me këtë procedurë fillojnë të rrjedhin afatet kohore të parashikuara me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit. Seanca për ndryshimet kushtetuese është caktuar për më 18 gusht 2023 në ora 11:00.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.