Seanca për ndryshimet kushtetuese fillon të premten, mund të zgjasë më shumë se dhjetë ditë pune

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, të premten (18 gusht) pritet të fillojë seanca plenare për ndryshimet kushtetuese, të cilat pritet t’i hapin rrugën eurointegruese vendit, transmeton Portalb.mk.

Komisioni për Çështje Kushtetuese më 25 korrik e miratoi propozimin e Qeverisë për qasje në ndryshimin e Kushtetutës. Me këtë, praktikisht filloi procedura për ndryshime kushtetuese sipas obligimit që e ka marrë Maqedonia e Veriut në korrik të vitit të kaluar gjatë fillimit të bisedimeve hyrëse me Bashkimin Evropian, dhe këto konkluzione ia kaloi Kuvendit.

Ndryshimet në Kushtetutë nënkuptojnë shtimin e kombeve në Preambulë dhe në nenet 49 dhe 78 kur numërohen pjesët e kombeve në shtet, ku përveç maqedonasve, shqiptarëve, turqve, vllahëve, serbëve, romëve dhe të tjerë, do të shtohen bullgarët, kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët.

Më 18 gusht, Kuvendi fillimisht duhet të votojë rendin e ditës me një pikë të vetme – Propozim për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për të cilin nevojiten 61 vota.

Kjo seancë mund të zgjasë më shumë se dhjetë ditë pune.

Vendimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës e merr Kuvendi me shumicë prej dy të tretave të numrit të përgjithshëm të deputetëve, pra me 80 vota. Nëse nuk ka shumicën e kërkuar, procedura nuk mund të vazhdojë.

Kujtojmë se, Qeveria e Maqedonisë së Veriut i dërgoi Kuvendit amendamentet kushtetuese. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi më 19 korrik të këtij viti e pranoi propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Xhaferi, menjëherë e dërgoi Propozimin te deputetët në Kuvend dhe me këtë procedurë fillojnë të rrjedhin afatet kohore të parashikuara me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit. Seanca për ndryshimet kushtetuese është caktuar për më 18 gusht 2023 në ora 11:00.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.