Kryeministri Kovaçevski është i bindur se nuk do të mungojnë deputetë për ndryshimet kushtetuese

Kryeministri Dimitar Kovaçevski është i bindur se nuk do të mungojnë deputetë për të siguruar shumicë prej dy të tretash për votimin e ndryshimeve kushtetuese, transmeton Portalb.mk.

Ai sot deklaroi se të gjithë deputetët kanë për detyrë të mbështesin përparimin evropian të shtetit, sepse të rinjtë po largohen nga shteti në vende të BE-së, sepse aty ka prosperitet ekonomik, sundim të së drejtës, drejtësi sociale dhe sundim të demokracisë.

“Deputetët nuk i duhen Qeverisë apo mua. Që të zgjihet kryetari i Qeverisë dhe që të votohet Qeveria nevojiten 61 deputetë. Kjo Qeveri ka 65 deputetë me të cilët është votuar. Shumicë prej dy të tretash nevojitet për vazhdimin e mëtejmë të rrugës eurointegruese të shtetit. Qeveria e VMRO – DPMNE-së 11 vitet tentoi të ketë zgjidhje alternative për rritjen ekonomike. Çfarë arriti? Asgjë. Dy përqind BPV, për tre përqind inflacion. Investimet i shohim. Stiropolli në Qeveri dhe në të gjitha ndërtesat tjera po bie, gjysma e bodrume janë të vërshuara, në teatër rrjedh ujë”, tha Kovaçevski.

Ai i thkesoi përfitimet që do t’i kishte vendi nga anëtarësimi në BE, duke potencuar efektet pozitive ndaj standardit ekonomik përkatësisht rritjes së pagave mesatare dhe në nivel të investimeve.

Përndryshe, me 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.