Vijojnë përplasjet për zgjerimin në Bruksel, në fund të shtatorit pritet samiti BE-Ballkani Perëndimor

Institucionet e Unionit Evropian në Bruksel janë përfshirë nga një debat i brendshëm prej deklaratave të Presidentit të Këshillit Europian që vendosi 2030-ën si afatin kur vendet kandidate të ishin gati për anëtarësim, raporton Klan. Presidentja e Komisionit Ursula Von Der Leyen përmes zëdhënëses së saj replikoi një ditë më pas duke thënë se më shumë se afatet, Komisioni është i vendosur për të parë rezultatet e vendeve aspirante.

Por në krah të Michel është pozicionuar dhe Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi i cili mirëpret deklaratat për zgjerimin deri në 2030.

“Komisioni Evropian i gatshëm të bëjë çdo propozim për të realizuar zgjerimin në vitin 2030.”

Kryeministri Rama duke ripostuar qëndrimin e Varhelyi shpreh vlerësimin për qëndrimin koherent që sipas tij ka mbajtur lidhur me integrimin e rajonit në BE.

“Komisioneri ynë që nuk e zhgënjeu kurrë rajonin tonë, veçanërisht në kohë të vështira. Duhet pranuar se pas fjalimit të papritur të Presidentit Michel në Forumin Strategjik të Bled, ‘autobusi’ i ngadalshëm i BE-së po bëhet një vend interesant për të qëndruar edhe pa një vend të lirë, padyshim që pasagjerët e Ballkanit Perëndimor mund të durojnë më mirë një udhëtim të gjatë ndërsa ndjekin një bisedë me zë të lartë mes djemve që janë ulur.”

Charles Michel në Samitin Strategjik të Bledit deklaroi se Unioni duhet të përballet me dilemën a do të jetë vetëm një bashkim që merret me menaxhimin e krizave apo një aktor që vendos për të ardhmen, ndaj sipas tij në 2030-ën si anëtarët dhe aspirantët duhet të bëhen gati për zgjerimin.

Ukraina do të bëhet anëtare e BE-së, e po ashtu edhe Ballkani Perëndimor. Por vendosja e një afati kohor (për zgjerimin) mund të mobilizojë energjinë tonë dhe energjinë e vendeve kandidate për anëtarësim, theksoi Borel, duke paralajmëruar se me propozim të presidencës spanjolle me BE-në në fund të muajit të ardhshëm do të mbahet një takim i përbashkët i shefave të diplomacisë së anëtarëve të Unionit me homologët e tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor, transmetoi MIA.

Përndryshe, me 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.