Pa pengesa të brendshme, RMV-ja mund të bëhet anëtare e BE-së edhe para vitit 2030, vlerëson Pendarovski

Pa pengesa të brendshme, Maqedonia e Veriut mund të bëhet anëtare e BE-së edhe para afatit 2030, këtë e vërtetojnë edhe fjalët e ministres franceze për Evropë, Laurence Bunn. Kështu deklaroi sot presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske nëse pret që opozita të mbetet kundër ndryshimeve në Kushtetutë pas deklaratave të presidentit francez Emmanuel Macron dhe presidentit të Këshillit të BE-së, Charles Michel, njofton Portalb.mk.

Macron ka thënë se BE-ja duhet të reformohet para se të pranojë anëtare të reja. Sipas Pendarovskit, deklarata e Macron-it nuk është e re dhe ai ka folur për riorganizimin e brendshëm të BE-së pesë vjet më parë, por nuk ka thënë se Ballkani Perëndimor duhet të presë dhe të mos hyjë në BE derisa BE-ja është duke u reformuar.

Se kjo është kështu , shtoi presidenti, vërtetohet edhe nga deklarata e ministres franceze për Evropën, Laurence Bunn, e cila tha se BE-ja mund të zgjerohet edhe para vitit 2030.

“Zonja Boon është ministrja për Evropën në administratën e Macron, ajo duhet të dijë se çfarë po mendon shefi i saj. Këtë e vërtetojnë fjalët e Charles Michel, presidentit të Këshillit Evropian, i cili është miku më i ngushtë politik i Macron-it, dhe çdo ide të madhe në Evropë të promovuar nga Macron, Charles Michel e pranon në të njëjtin moment”, tha Pendarovski dhe shtoi se e gjithë kjo është. keqinterpretuar për arsye politike të brendshme.

“Është e qartë, ose jeni për Evropën ose jeni kundër Evropës. Kemi shtatë kombe dhe pjesë kombesh në Kushtetutë, a është problem të shtohen edhe gjashtë!? Si do ta kërcënojë kjo Maqedoninë?”, theksoi Pendarovski.

Përndryshe, me 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.