Kemi mbledhur një mijë nënshkrime për një orë, njoftoi Mexhiti në lidhje me regjistrimin e Lëvizjes Demokratike

Nismëtari për themelimin e subjektit të ri politik në Maqedoninë e Veriut, deputeti Izet Mexhiti, ka sqaruar që për një orë janë mbledhur një mijë nënshkrime për themelimin e Lëvizjes Demokratike, transmeton Portalb.mk.

“Numri 1000 nënshkrime është plotësuar për një orë, teksa edhe një numër i madh i përkrahësve vazhdon të regjistrohet gjithandej nëpër RMV”, njoftoi Mexhiti, duke e vlerësuar si një fillim të mbarë për këtë rrugëtim politik.

Ai ka falënderuar qytetarët për angazhimin e dhënë, duke sqaruar që vazhdojnë përkrahësit të regjistrohen.

Ky subjekt politik akoma e ka të hapur konkursin për përzgjedhjen e logos së Lëvizjes Demokratike, duke theksuar që nuk do të ketë kufizime në ngjyra dhe përmbajtje.

Ndryshe, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në skenën politike do të kenë edhe një subjekt të ri politik, subjekt i cili do të quhet Lëvizja Demokratike. Aktivitetet për themelimin e subjektit të ri politik në Maqedoninë e Veriut i filloi Izet Mexhiti në hapësirat e Komunës së Çairit. Aty ai ishte i shoqëruar ndër të tjera edhe nga deputeti Kastriot Rexhepi, deputetja Merita Koxhaxhiku, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe personalitet tjera.

Mexhiti pas paralajmërimit për themelimin e subjektit politik, ka zhvilluar takim me kryetarin e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, dhe kryetarin e Alternativës, Afrim Gashin. Pas takimit të tre politikanëve, ata bënë të ditur se kanë biseduar për krijimin e një fronti të përbashkët opozitar si një domosdoshmëri në skenën politike shqiptare.