Besa mbeti me një deputet më pak në Kuvend, Bastri Bajrami tani e tutje do të veprojë si i pavarur

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Besa në Kuvend, Bastri Bajrami, tani e tutje do të veprojë si i pavarur në shtëpinë legjëvënëse. Ai për këtë e ka njoftuar sot në mëngjes kryeparlamentarin Talat Xhaferi përmes një njoftimi me shkrim, të cilin e ka publikuar Agjencia e lajmeve MIA.

“Unë, deputeti i nënshkruar, Bastri Bajrami, ju njoftoj se nga sot do të veproj si deputet i pavarur në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin që Bajrami ia dorëzoi kryetarit të Kuvendit.

Lëvizja e Bajramit vjen dy ditë pas takimit të kreut të Besës, Bilall Kasami, ish-zyrtarit të lartë të BDI-së dhe iniciatorit të një subjekti të ri politik në bllokun shqiptar, Izet Mexhiti, dhe liderit të Alternativës, Afrim Gashi. Pas takimit të tre politikanëve, ata bënë të ditur se kanë biseduar për krijimin e një fronti të përbashkët opozitar si një domosdoshmëri në skenën politike shqiptare.

Teksa Mexhiti, Gashi dhe Kasami po hidhnin themelet e bllokut opozitar, nënkryetari i Besës, Arjanit Hoxha, përmes një postimi në Facebook shkroi se është distancuar plotësisht nga veprimet politike në të ashtuquajturat “blloku opozitar” sepse, siç deklaroi ai, bartës të kësaj nisme nuk kanë për qëllim rotacionin politik, por thjesht “lavazhin” e figurave politike të cilët jo shumë larg nga sot ishin pikërisht aktorë për mbajtjen gjallë të qeverisjes aktuale dhe parandaluan rotacionin në kampin politik shqiptar.

Përndryshe, Bajrami u zgjodh kryetar i Komunës së Haraçinës në zgjedhjet lokale të vitit 2009 si kandidat i partisë së re politike të atëhershme Demokracia e Re e formuar nga Imer Selmani.

Bajrami dhe Hoxha punojnë për BDI-në, thotë sekretari i përgjithshëm i Besës

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Besa, Abush Demiri, në një prononcim për “Sloboden Peçat” thekson se zyrtarët partiakë që janë distancuar nga ideja për krijimin e një fronti të bashkuar opozitar, në fakt po punojnë për shpëtimin e BDI-së.

“Nga rrjetet sociale jemi informuar për qëndrimin e Arjanit Hoxhës dhe Bastri Bajramit se po distancohen nga fronti i opozitës. Është vendim i tyre personal, shumica e organeve dhe strukturave partiake janë me shumicë absolute për hyrjen në opozitë dhe dërgimin e BDI-së në opozitë. Opozita e bashkuar duket se po shqetëson dikë, por përpjekjet për të shpëtuar BDI-në janë të kota. Opozita shqiptare po bashkohet çdo ditë e më shumë dhe në zgjedhjet e ardhshme do të dalë fituese, siç e tregon sondazhi i fundit”, thotë Demiri për “Sloboden Peçat”.

Ndryshe, aktivitetet për themelimin e subjektit të ri politik në Maqedoninë e Veriut i filloi Izet Mexhiti në hapësirat e Komunës së Çairit. Aty ai ishte i shoqëruar ndër të tjera edhe nga deputeti Kastriot Rexhepi, deputetja Merita Koxhaxhiku, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe personalitet tjera.

Pas mbledhjes së mbajtur rreth gjysmë ore, nismëtarët për themelimin e lëvizjes së re, paralajmëruan që më 13 gusht do të themelohet kjo parti, duke mos specifikuar emrin e nismës.