Lëvizja e Izet Mexhitit i përcaktoi dy koordinatorë nga qytete të ndryshme

Lëvizja Demokratike e cila është në proces të themelimit si nismë e Izet Mexhitit, ka përcaktuar dy koordinatorë nga qytete të ndryshme. Ata ftojnë qytetarët e interesuar të bëhen pjesë e kësaj Lëvizje, transmeton Portalb.mk.

“Sot, zyrtarisht emërojmë Muamet Demirin, koordinator të Lëvizjes Demokratike për qytetin e Ohrit, përndryshe ekspert në fushën e financave dhe ekonomisë dhe Mesud Jakupin koordinator të Lëvizjes Demokratike për Karshiakën, kuadër i diplomuar në fushën e shkencave kompjuterike”, sqarojnë nga Lëvizja Demokratike.

Ata theksojnë se më dy koordinatorët dëshirojnë të tregojnë se janë për politika me kuadro të pastra, profesionale dhe cilësore.

Ndryshe, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në skenën politike do të kenë edhe një subjekt të ri politik, subjekt i cili do të quhet Lëvizja Demokratike. Aktivitetet për themelimin e subjektit të ri politik në Maqedoninë e Veriut i filloi Izet Mexhiti në hapësirat e Komunës së Çairit. Aty ai ishte i shoqëruar ndër të tjera edhe nga deputeti Kastriot Rexhepi, deputetja Merita Koxhaxhiku, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe personalitet tjera.

Mexhiti pas paralajmërimit për themelimin e subjektit politik, ka zhvilluar takim me kryetarin e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, dhe kryetarin e Alternativës, Afrim Gashin. Pas takimit të tre politikanëve, ata bënë të ditur se kanë biseduar për krijimin e një fronti të përbashkët opozitar si një domosdoshmëri në skenën politike shqiptare.