Hoxha dhe Bajrami u larguan nga Besa, paralajmëruan formimin e një partie të re politike

Arijanit Hoxha përmes një konference për media pas distancimit dhe largimit nga Lëvizja BESA bashkë me deputetin Bastri Bajramin, Valon Belën dhe disa antarë tjerë për shkak të bashkpunimit opozitar mes Kasamit, Gashit dhe Izet Mexhitit, paralajmëroi formimin e një partie të re politike, transmeton Portalb.mk.

”Do të tentojmë nëpërmjet deputetit tonë në Kuvend që të kontribojmë që të bëhen ndryshimet Kushtetuese dhe të vazhdohet udhëtimi drejt BE-së. Me ata që kur u ndamë na ofendonin në mënyrë ç’njerzore sot BESA po bashkohet. Nëpërmjet forme tjetër po kthehet edhe deputeti që na la një thikë pas shpine. Duke nisur nga sot, ne do të funksionojmë si formacion politik i veçantë, por njëkohësisht duke i hapur dyert për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e këtij projekti dhe të ndërtojmë një organizatë  politike të bazuar mbi qëllim dhe vizion të qartë”, tha mes tjerash Arijanit Hoxha.

Ai gjithashtu komentoi edhe Lëvizjen e Izet Mexhtiti ku tha se nuk mundet që pas 20 viteve pushtet formacioni i Izet Mexhitit të na tregon se si duhet të bëhet opozitë.

Kujtojmë se teksa Mexhiti, Gashi dhe Kasami po hidhnin themelet e bllokut opozitar, nënkryetari i Besës, Arjanit Hoxha, përmes një postimi në Facebook shkroi se është distancuar plotësisht nga veprimet politike në të ashtuquajturat “blloku opozitar” sepse, siç deklaroi ai, bartës të kësaj nisme nuk kanë për qëllim rotacionin politik, por thjesht “lavazhin” e figurave politike të cilët jo shumë larg nga sot ishin pikërisht aktorë për mbajtjen gjallë të qeverisjes aktuale dhe parandaluan rotacionin në kampin politik shqiptar.

Edhe deputeti nga radhët e Lëvizjes Besa në Kuvend, Bastri Bajrami, dje deklaroi se do të veprojë si i pavarur në shtëpinë legjëvënëse.

“Unë, deputeti i nënshkruar, Bastri Bajrami, ju njoftoj se nga sot do të veproj si deputet i pavarur në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin që Bajrami ia dorëzoi kryetarit të Kuvendit.

Lëvizja e Bajramit, sikurse e Hoxhës, erdhi dy ditë pas takimit të kreut të Besës, Bilall Kasami, ish-zyrtarit të lartë të BDI-së dhe iniciatorit të një subjekti të ri politik në bllokun shqiptar, Izet Mexhiti, dhe liderit të Alternativës, Afrim Gashi. Pas takimit të tre politikanëve, ata bënë të ditur se kanë biseduar për krijimin e një fronti të përbashkët opozitar si një domosdoshmëri në skenën politike shqiptare.

Ndryshe, aktivitetet për themelimin e subjektit të ri politik në Maqedoninë e Veriut i filloi Izet Mexhiti në hapësirat e Komunës së Çairit. Aty ai ishte i shoqëruar ndër të tjera edhe nga deputeti Kastriot Rexhepi, deputetja Merita Koxhaxhiku, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe personalitet tjera.

Pas mbledhjes së mbajtur rreth gjysmë ore, nismëtarët për themelimin e lëvizjes së re, paralajmëruan që më 13 gusht do të themelohet kjo parti, duke mos specifikuar emrin e nismës.