KE: Në vend të fushatave shtetërore, për mbështetjen e mediave nevojiten zgjidhje të qëndrueshme

Autoritetet maqedonase mendojnë një gjë, ndërsa Bashkimi Evropian thotë krejtësisht ndryshe për ridestinimin e shpenzimit të parave publike për fushata shtetërore dhe komunale në media. Komisioni Evropian në Raportin e fundit për ecurinë e rrugës drejt BE-së për vitin 2023 thekson qartë se në vend të fushatave shtetërore, mediave u duhen zgjidhje të qëndrueshme për mbështetjen e tyre, transmeton Portalb.mk.

Një vërejtje e tillë nga Komisioni Evropian vjen ndërsa deputetët e qeverisë dhe opozitës në Kuvendin e RMV-së janë pajtuar që pas procedurës së shkurtuar të miratohen ndryshimet në Ligjin për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele.

“Transparencë më e madhe është e nevojshme për reklamimin në media nga institucionet shtetërore dhe partitë politike”, thuhet në Raportin e KE-së për vitin 2023.

Raporti thekson gjithashtu se në nëntor 2022 ka pasur përpjekje nga një grup deputetësh për të propozuar ndryshime në Ligjin për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizive, i cili do të mandatonte autoritetet shtetërore dhe lokale të organizojnë dhe financojnë fushata me interes publik.

“Megjithatë, rregullatori i medias dhe disa shoqata të gazetarëve kritikojnë propozimet, duke theksuar se ato do të cenojnë pavarësinë e medias dhe do të prishin tregun mediatik”, thuhet në raportin e fundit të Komisionit Evropian.

Në vend të kësaj, KE kërkon nga autoritetet zgjidhje më të qëndrueshme.

Në raport thuhet se reformat në shërbimin e transmetimit publik RTM janë vonuar dhe shtohet se ndarja e mjeteve për RTM-në bëhet në mënyrë diskrecionale nga ana e qeverisë me qëllim të zvogëlimit të financave të saj. Kritikat e viteve të kaluara përsëriten për dështimin në përzgjedhjen e Këshillit Programor të RTM-së dhe këshillit si organ drejtues të Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele.

Rekomandimet e KE-së nga viti i kaluar mbeten aktuale edhe për periudhën e ardhshme, ndërsa shtohet se është arritur progres i kufizuar në kapitullin “Liria e Shprehjes”. Ajo që autoritetet duhet të punojnë veçanërisht në vitin e ardhshëm është rishikimi i kuadrit ligjor për median në një mënyrë që ajo të jetë në përputhje me legjislacionin dhe standardet evropiane, veçanërisht në fushën e konkurrencës dhe rregullave të ndihmës shtetërore dhe të drejtave të pronësisë intelektuale.

Komisioni Evropian kërkon përshpejtimin e zbatimit të Strategjisë për reformimin e shërbimit publik dhe përfundimin e procesit në Kuvend për zgjedhjen e organeve drejtuese të RTM-së dhe AShMAA-së.

Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian kërkon të vazhdohet me reagim të shpejtë ndaj të gjitha kërcënimeve dhe akteve të dhunës ndaj gazetarëve për të siguruar që autorët të sillen para drejtësisë.

Ndryshe, nëse Kuvendi i RMV-së miraton ndryshimet e propozuara në Ligjin për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele, atëherë qeveria dhe komunat do të mund të ndajnë disa milionë euro në vit për financimin e fushatave që do t’i hartojnë dhe më pas do t’i reklamojnë në televizion dhe radio stacione në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal.

Është e paqartë pse këto ndryshime ligjore janë sjellë pas një procedure të shkurtuar dhe janë nën flamurin evropian, nëse marrim parasysh kritikat e Komisionit Evropian lidhur me këtë temë dhe në Raportin e fundit për progresin e vendit.

Kundër kthimit të parave publike në media për fushata shtetërore dhe komunale këto ditë janë shprehur edhe shoqatat profesionale të gazetarëve dhe organizatat e shoqërisë civile nga sektori mediatik, të cilat kategorikisht kundërshtojnë përpjekjet për kthimin e reklamave shtetërore në media.

Në deklaratën e përbashkët të Shoqatës të Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM), Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punëtorëve Mediatik (SPGPM), Këshillit për Etikë në Media të Maqedonisë (KEMM), Institutit Maqedonas për Media (IMM), Institutit për Kërkime për Zhvillim Social (IKZhS), Instituti për Studime të Komunikimit (ISK) dhe Qendra për Zhvillimin e Medias (QZhM) thonë se vendimi i deputetëve për miratimin e ndryshimeve ligjore do të forcojë më tej kulturën korruptive dhe klienteliste në sistemin mediatik.

Komisioni Evropian dje e publikoi Raportin e progresit për vendet e Ballakanit Perëndimor. Situta me luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut është vlerësuar pa asnjë përparim. Korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në shumë fusha. Lidhur me ndryshimet e Kodit Penal thuhet se pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla. “Kjo është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet tekstualisht në raport.

Kujtojmë se më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.