KE-ja me “shuplaka” për RMV-në në fushën e barazisë gjinore, ka edhe “ledhatime”

Nevoja e miratimit të Ligjit për Barazi Gjinore, sfida e zbatimit të Konventës së Stambollit, dhuna ndaj grave, mungesa e grave në tregun e punës, diskriminimi në paga, promovimi i barazisë gjinore në media, ngecjet në punën e institucioneve janë vetëm disa nga pikat ku Komisioni Evropian “ia ngreh veshin” RMV-së në Raportin për vitin 2023 mbi në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Portalb.mk analizoi raportin për sa i përket barazisë gjinore.

Ligji për Barazi Gjinore ende nuk është miratuar, kjo mes shumë kritikave të tjera theksohet në Raportin e KE-së.

“Kjo është kryesisht për shkak të lëvizjes në rritje kundër gjinisë në mbarë vendin. Fushatat antigjinore, ndonjëherë të mbështetura nga zyrtarë të pushtetit vendor, udhëheqës fetarë dhe politikë, ngrenë shqetësim serioz”, thekson Raporti.

Viktimat e dhunës përballen me sfida në qasjen e shërbimeve shëndetësore

Raporti thekson se zbatimi i Konventës së Stambollit mbetet sfidë.

“Edhe pse Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhunës në familje u miratua në vitin 2021, legjislatura zbatuese nuk u miratua. Zbatimi vuan gjithashtu nga mungesa e fondeve adekuate, procedurat efektive të funksionimit dhe programet për riintegrimin e viktimave të dhunës”, thuhet në Raport.

Shërbimet për viktimat e dhunës me bazë gjinore sipas Raportit ende kanë nevojë për përforcim dhe financim të duhur për të përmbushur standardet e përcaktuara nga Konventa e Stambollit.

Në vend mungojnë protokollet operacionale ndërinstitucionale, policia dhe punonjësit e shëndetësisë ende kanë vështirësi për të vlerësuar pasojat e dhunës dhe për t’iu përgjigjur atyre.

“Viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe në familje u përballën me disa sfida në qasjen e shërbimeve shëndetësore për shkak të mungesës së personelit të trajnuar siç duhet dhe objekteve të kufizuara akomoduese. OJQ-të që ofrojnë shërbime për 35 viktima jashtë kryeqytetit janë ende tërësisht të varura nga financimi i donatorëve”, vë në dukje Raporti.

Theksohet se gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet tu ofrohet trajnim i vazhdueshëm i zhvillimit profesional për çështje si dhuna me bazë gjinore ndaj grave.

Ndryshime ligjore ka, por nuk zbatohen

Raporti thekson miratimin e Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore në korrik 2022 së bashku me planin e veprimit për 2023/24.

Gjithashtu theksohet se disa ndryshime të rëndësishme në Kodin Penal u miratuan në shkurt 2023, duke rregulluar veprat penale të dhunës me bazë gjinore, megjithatë vë në dukje raporti se legjislacioni duhet të zbatohet në një mënyrë më sistematike.

Gratë paguhen më pak se burrat, të nënpërfaqësuara edhe në tregun e punës

Tregu i punës sipas raportit ka treguar disa përmirësime, por problemet strukturore vazhdojnë, duke përfshirë hendek të madh gjinor në punësim dhe në pjesëmarrjen në fuqinë punëtore.

“Në mesin e popullsisë në moshë pune, 46% e grave kanë qenë vazhdimisht jashtë fuqisë punëtore krahasuar me 23.3% të burrave. Boshllëqet janë edhe më të mëdha për gratë e margjinalizuara”, thekson Raporti.

Sipas raportit, gratë rome të moshës nga 40 deri në 44 vjeç, kanë shkallën më të lartë të papunësisë. Ndërkaq gratë e regjistruara si fermerë individuale përjashtohen nga Ligji për sigurimet shëndetësore kur bëhet fjalë për kompensimin për shkak të sëmundjes, lëndimit në vendin e punës dhe mungesës për shkak të shtatzënisë, lindjes dhe amësisë.

Raporti thekson se shëndeti i grave mbetet sfidë kryesore në fushën e kujdesit shëndetësor të romëve.

Raporti mes tjerash vë në dukje gratë që janë jashtë fuqisë punëtore për shkak të përgjegjësive të tyre të kujdesit ndaj njerëzve të tjerë, ndërsa te burrat shifrat janë shumë herë më të vogla.

“Kjo tregon se puna e papaguar e kujdesit kontribuon drejtpërdrejt në pabarazitë në pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore dhe përjashtimin e grave në përgjithësi”, thotë KE-ja.

Pengesë për zhvillimin e politikave të bazuara në fakte dhe masave të duhura mbetet mungesa e të dhënave të besueshme të ndara gjinore nëpër sektorë.

“Indeksi i parë kombëtar i barazisë gjinore, i publikuar në vitin 2019, ende nuk është përditësuar. Institucioneve përkatëse u mungon kapaciteti dhe koordinimi i nevojshëm për mbledhjen dhe analizën e duhur të statistikave gjinore”, thotë Raporti.

Mes tjerash thuhet se shkalla e pasivitetit në tregun e punës është veçanërisht e lartë për gratë dhe, pas ngushtimit të vazhdueshëm midis 2014 dhe 2019, hendeku gjinor u zgjerua për të tretin vit radhazi në vitin 2022.

Raporti vë në dukje se hendeku gjinor i pagave vazhdon dhe autoritetet duhet të kenë të dhëna të besueshme për monitorimin e hendekut.

“Anketa e Fuqisë Punëtore të vitit 2022 tregoi se hendeku është rezultat i faktit se gratë janë të përqendruara kryesisht në sektorë dhe pozita me pagë të ulët”, thotë Raporti.

Mes tjerash thuhet se përafrimi i mëtejshëm është i nevojshëm me acquis-in e BE-së për Direktivën e 2022 për barazinë gjinore në bordet e drejtorëve.

Ndërkaq nuk ka ende të dhëna dhe sistem monitorimi për incidentet e ngacmimeve seksuale në vendin e punës.

Duhen masa për promovimin e barazisë gjinore në media

Raporti thekson se nevojiten masa shtesë për të promovuar barazinë gjinorë në industrinë e medias.

“Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-vizuale lançoi ueb-faqe të re të specializuar për barazinë gjinore dhe median, me qëllim që të shërbejë si qendër burimore për gazetarët. Analizat treguan se ka shumë pak gra drejtuese në mediat private”, thotë Raporti.

Mes tjerash theksohet se Rregullatori i medias vazhdoi të punojë me OJQ-të dhe organet e medias për të promovuar edukimin mediatik dhe tema si barazia gjinore.

Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-vizuale sipas raporti vazhdoi të përmbushë obligimet e saj ligjore për analizimin e barazisë gjinore në media.

Kritika për institucionet, Parlamenti, Qeveria deri te komunat

Parlamenti, thekson raporti se nuk arriti të pajtohet për emërimin e komisionarëve, që ndikon në zbatimin e ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi.

“Mungesa e diversitetit në Komision, veçanërisht për sa i përket gjinisë dhe personave me aftësi të kufizuara, vazhdon të tërheqë kritika nga komisionarë të caktuar dhe shoqëria civile”, thotë Raporti.

Ndërkaq për Qeverinë raporti thekson përqindjen e ulët të grave në udhëheqje.

“Në qeveri, 25% e ministrave, 31% e zëvendësministrave dhe 29% e sekretarëve të shtetit janë gra. Gratë mbanin 15% të posteve ekzekutive në organe dhe agjenci të ndryshme qeveritare”, thotë Raporti.

Raporti thotë se më 31 dhjetor 2022, gratë përfaqësonin 56,29% të të gjithë punonjësve të shërbimit publik sipas regjistrit të punonjësve të sektorit publik, pa përfshirë stafin e institucioneve si ushtria dhe agjencitë e zbatimit të ligjit.

Ministria e Mbrojtjes vazhdon të zbatojë planin operacional për zbatimin e Planit të Dytë Kombëtar të Veprimit mbi Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Gratë, Paqja dhe Siguria (2020 – 2025).

“Megjithatë, nuk ka progres në zbatimin e objektivit për komunikim dhe ngritje të kapaciteteve për zbatimin e Rezolutës 1325 në nivel lokal, duke përfshirë njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe Bashkësinë e njësive të vetëqeverisjes lokale”, thotë Raporti.

Mekanizmat ndërinstitucionalë për zbatimin dhe monitorimin e politikës së barazisë gjinore sipas raportit duhet të forcohen me strukturë të përmirësuar, kapacitet teknik, financim adekuat dhe profesionistë të trajnuar në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Pak dritë në fund të tunelit

Pavarësisht kritikave dhe ngecjeve të shumta, raporti e “ledhaton” vendin për progresin e arritur në disa fusha.

Raporti thotë se është bërë njëfarë progresi në promovimin e barazisë gjinore përmes përafrimit të mëtejshëm me Konventën e Stambollit dhe zhvillimit të një kuadri politikash për integrimin e perspektivave gjinore dhe përafrimin me acquis-in e BE-së për barazinë gjinore.

Gjithashtu, thuhet se është bërë njëfarë progresi me miratimin e programit të vitit 2023 për mbështetjen e sigurimeve shoqërore për gratë në bujqësi.

Korniza strategjike sipas raportit u forcua me miratimin e strategjive të reja për barazinë gjinore.

Raporti thekson se me programin e fondeve IPA III është ofruar mbështetje edhe në fushën e barazisë gjinore.

Gjithashtu thuhet se Klubi i Grave Deputete organizoi seancën e parë plenare për çështjet gjinore për të shënuar 20 vjetorin e saj.

Raporti vë në dukje se prioritetet e vendit në OKB janë në përputhje me prioritetet e rëndësishme të BE-së, duke përfshirë edhe zbatimin e rezolutës për gratë, paqen dhe sigurinë, promovimin e rolit dhe pjesëmarrjes së grave.

Ndryshe, raporti thekson se mbizotërojnë stereotipat negative dhe gjuha e urrejtjes kundër personave të komunitetit LGBTIQ ndërsa se kuadri ligjor nuk lejon njohjen zyrtare të çifteve të të njëjtit seks.

Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 8 nëntor 2023. Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.

Portalb.mk ka publikuar gjetjet e raportit për disa fusha të cilat mund t’i lexoni më poshtë.