KE: Situata politike në RMV, as reforma e as dialog, institucione të paralizuara

Situata politike në Maqedoninë e Veriut edhe këtë vit ishte e polarizuar, gjë që ndikoi në mosfunksionimin e institucioneve demokratike. Korniza ligjore edhe pse mbetet e favorshme për organizimin e zgjedhjeve demokratike, nuk është bërë asnjë përparim gjatë periudhës së raportimit për të adresuar dhe zbatuar rekomandimet e pazgjidhura të OSBE-ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias. Ashtu si në raportet e mëparshme, legjislacioni zgjedhor duhet të rishikohet në mënyrë gjithëpërfshirëse për të adresuar mospërputhjet në kohën e duhur, gjithëpërfshirëse dhe transparente, nënvizon raporti i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut në pjesën ku vlerëson legjislacionin zgjedhor, transmeton Portalb.mk.

Në raport flitet për grupin punues të ngritur në prill 2023 nga Ministria e Drejtësisë për reformën zgjedhore, i ngarkuar me zbatimin e rekomandimeve të pazgjidhura të OSBE/ODIHR-it dhe hartimin e një Kodi të ri Zgjedhor. Grupi i punës, nënvizon raporti, ende nuk ka dhënë ndonjë rezultat të rëndësishëm. Nevojitet rishikim gjithëpërfshirës i legjislacionit për procesin zgjedhor për të adresuar mospërputhjet ekzistuese dhe për të harmonizuar më tej sistemin me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

  • Një proces i gjerë konsultativ duhet të mbështesë këtë reformë.
  • Saktësia e regjistrit zgjedhor duhet të përmirësohet përmes kontrolleve sistematike, rishikimeve dhe përditësimeve të të dhënave.

Përpara zgjedhjeve të ardhshme, Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve duhet t’i ndahen me kohë resurset e nevojshme, në mënyrë që ta kryejë mandatin e tij në mënyrë efikase dhe të pavarur.

qeveria
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Foto: Portalb.mk

Qeverisja

Sa i përket qeverisjes, raporti ka lëvdata për periudha të caktuara. “Që nga konferenca e parë ndërqeveritare politike që hapi negociatat e anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut në korrik 2022, institucionet kanë mobilizuar burime të konsiderueshme për t’u angazhuar në mënyrë aktive në procesin e skriningut, i cili po vazhdon pa probleme. Qeveria rriti gjithashtu përpjekjet e saj për të komunikuar përfitimet praktike të anëtarësimit në BE për qytetarët. Qeveria duhet të intensifikojë punën e saj për të çuar përpara agjendën e reformave të BE-së”.

Megjithatë, kërkohen hapa të përhershëm dhe vendimtarë për të përshpejtuar zbatimin e reformave të BE-së dhe për të ecur përpara në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE.

“Bashkëpunimi ndërpartiak mbetet jetik në këtë drejtim. Autoritetet duhet të përmbahen nga miratimi i masave ad hoc të cilat nuk janë në përputhje me acquisin e BE-së dhe standardet evropiane”, thuhet në raport.

Kërkohet që Maqedonia e Veriut të vazhdojë të forcojë Strukturat negociuese të BE-së dhe arritja e një koordinimi të shëndoshë ndërmjet ministrive dhe institucioneve të linjës, duke zhvilluar më tej ekspertizën e lidhur me acquisin e BE-së në të gjithë administratën publike.

“Situata ndëretnike mbeti e qetë në përgjithësi, me raste të izoluara tensioni mes protestave në verën e vitit 2022 kundër propozimeve të dizajnuara për të hequr pengesat për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE. Komisioni për Marrëdhëniet Ndër-Komuniteteve vazhdoi të nxisë dimensionin multi-etnik dhe multikulturor të shoqërisë, veçanërisht duke organizuar aktivitete ndërkulturore në mesin e studentëve. Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001, e cila nxit karakterin multietnik të shoqërisë, vazhdoi të zbatohet”, nënvizohet në raport.

Është kritikurar progresi i kufizuar sa i përket reformës së vetëqeverisjes lokale, kryesisht lidhur me decentralizimin fiskal. Përfitimet fiskale që dalin nga ndryshimi i vitit të kaluar në Ligjin për financimin e njësive të vetëqeverisjes lokale, thuhet se ende nuk janë ndjerë nga komunat.

“Qeveria duhet të përmirësojë urgjentisht kuadrin normativ dhe financiar në përputhje me programin 2021-2026 për zhvillim të qëndrueshëm vendor dhe decentralizim. Komunat kanë vazhduar të përjetojnë vështirësi të mëdha financiare si pasojë e inflacionit dhe rritjes së kostove të energjisë. Qeveria dhe komunat duhet të konsiderojnë ngritjen e një mekanizmi të përhershëm bashkëpunimi me qëllim të ringjalljes së dialogut ndërinstitucional ndërmjet niveleve të ndryshme të qeverisjes, veçanërisht në lidhje me procesin e negociatave për anëtarësim në BE”, shton KE.

Raporti i progresit për RMV 2023
Raporti i progresit për RMV 2023

Komisioni Evropian më 8 nëntor e publikoi Raportin e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Situata me luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut është vlerësuar pa asnjë përparim. Korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në shumë fusha. Lidhur me ndryshimet e Kodit Penal thuhet se pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla. “Kjo është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet tekstualisht në raport.

Kujtojmë se më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.