Komunat e RMV-së përballen me vështirësi financiare dhe ndotje të ajrit, thonë nga KE

Vështirësitë financiare, prokurimet publike, ndotja e ajrit dhe mospërfillja e shoqërisë civile në vendimmarrje janë disa nga kritikat e shumta që Maqedonia e Veriut mori për sa i përket vetëqeverisjes lokale nga Komisioni Evropian në Raportin për vitin 2023 mbi në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Portalb.mk analizoi raportin se çfarë thuhet për komunat.

Raporti thekson se reformat në vetëqeverisjen lokale kanë pasur progres të kufizuar, kryesisht ata që lidhen me decentralizimin fiskal.

“Megjithatë, përfitimet fiskale që dalin nga ndryshimi i vitit të kaluar në Ligjin për financimin e njësive të vetëqeverisjes lokale ende nuk janë ndjerë nga komunat. Qeveria duhet të përmirësojë urgjentisht kuadrin normativ dhe financiar në përputhje me programin 2021-2026 për zhvillim të qëndrueshëm lokal dhe decentralizim”, thuhet në Raport.

Theksohet se komunat kanë vazhduar të përjetojnë vështirësi të mëdha financiare si pasojë e inflacionit dhe rritjes së kostove të energjisë. Ndërsa raporti sugjeron që Qeveria dhe komunat duhet të konsiderojnë ngritjen e një mekanizmi të përhershëm bashkëpunimi me qëllim të ringjalljes së dialogut ndërinstitucional ndërmjet niveleve të ndryshme të qeverisjes, veçanërisht në lidhje me procesin e negociatave për anëtarësim në BE.

Në lidhje me prokurimet publike Raporti thekson se kapaciteti i autoriteteve kontraktore qendrore dhe lokale duhet të forcohet.

“Kapaciteti për të menaxhuar proceset e prokurimit publik duhet të rritet më tej, veçanërisht nga autoritetet lokale, për të siguruar qasje më koherente në menaxhimin e ciklit të prokurimit”, thekson Raporti.

Kuadri ligjor për kontrollin e brendshëm është i harmonizuar gjerësisht me standardet ndërkombëtare, por thuhet se zbatimi i tij duhet të forcohet më tej.

“Pavarësisht punës së vazhdueshme për të ofruar udhëzime të mëtejshme, zbatimi efikas i llogaridhënies menaxheriale mbetet sfidë për përdoruesit e buxhetit në nivel qendror dhe lokal”, vë në pak Raporti.

Ndërkaq nënvizohet se është bërë progres i kufizuar në forcimin e monitorimit të rreziqeve fiskale në lidhje me njësitë e qeverisjes lokale..

“Rekomandimet e vitit të kaluar mbeten të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, vendi duhet të përmirësojë procesin e decentralizimit përmes një kornize të besueshme financimi për komunat”, thekson Raporti.

Ministria e Financave e RMV-së. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Ministria e Financave e RMV-së. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Delegimi i autoritetit vendimmarrës te menaxhmenti i mesëm sipas Raportit mbetet i kufizuar si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal.

“Nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të integruar në mënyrë efikase llogaridhënien menaxheriale në të gjithë administratën publike”, thekson Raporti.

Ndotja e ajrit sipas raportit mbetet shqetësim kryesor në qytetet e mëdha, është bërë përparim i kufizuar në monitorimin e cilësisë së ajrit dhe nuk janë bërë zhvillime legjislative për cilësinë e ajrit gjatë periudhës raportuese, ndërkaq rrjeti i monitorimit automatik vazhdoi të mirëmbahej.

“Rekomandimet e vitit të kaluar janë përmbushur pjesërisht. Në vitin e ardhshëm, vendi duhet veçanërisht të zbatojë masa konkrete për të reduktuar ndotjen e ajrit në nivel lokal dhe kombëtar dhe për të reduktuar ndotjen e burimeve të ujërave”, thekson Raporti.

Mes tjerash thuhet se struktura e fondit të efiçiencës së energjisë është duke u ngritur.

Ndotja e ajrit, Tetovë. Foto: Portalb.mk
Ndotja e ajrit, Tetovë. Foto: Portalb.mk

“Komunat inkurajohen të ndërmarrin hapa për të respektuar plotësisht detyrimet e tyre për zhvillimin dhe zbatimin e programeve të efiçiencës së energjisë.

Për dialogun social, partnerët socialë angazhohen në dialog konstruktiv social trepalësh si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë lokal.

Raporti thotë se nuk është bërë përparim në kuadrin legjislativ, por parimet bazë mbeten gjerësisht në përputhje me acquis-in e BE-së për zhvillimin rajonal dhe komunal.

Theksohet se nuk ka pasur progres me strategjinë kombëtare për të drejtat pronësore.

“Në nivel komunal, regjistrat e pronës nuk përditësohen rregullisht dhe mbahen ende në format analog”, vë në dukje Raporti.

Autoritetet lokale sipas Raportit duhet të jenë më proaktive dhe të zhvillojnë qasje të qëndrueshme për përfshirjen e OJQ-ve në politikëbërjen në nivel lokal.

“Bashkëpunimi në nivel lokal duhet të përmirësohet ndërmjet palëve të interesuara, për të përfshirë OJQ-të dhe fëmijët në vendimet që i prekin ata”, thuhet në Raport.

Sipas raportit duhet të përmirësohet shpalosja e informatave dhe të dhënave në faqet zyrtare të internetit veçanërisht në nivel lokal.

Përfaqësimi i komuniteteve pakicë në nivel lokal mbetet i dobët sipas Raporitit.

“Autoritetet duhet të zbatojnë rekomandimin e lëshuar nga Komiteti Këshillimor i Konventës Kuadër për Pakicat Kombëtare për të ratifikuar Kartën Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Minoriteteve, e nënshkruar në 1996”, thuhet në Raport.

Në nivel lokal, masat për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit vazhdojnë të zbatohen nga këshillat vendorë për parandalim, ekipet e veprimit në komunitet dhe ekipet lokale multidisiplinare.

“Ekipet lokale multidisiplinare tani veprojnë në 9 komuna – Shkup, Kumanovë, Gostivar, Tetovë, Kërçovë, Ohër, Strugë, Shtip dhe Prilep – për të ofruar mbështetje për të kthyerit dhe familjet e tyre. Këto ekipe punojnë në koordinim me qendrat e shërbimit social. Duhet qartësi më e madhe rreth ndarjes së pushteteve, detyrave dhe përgjegjësive ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, për bashkëpunim më të mirë për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm. Shteti duhet të miratojë dispozita ligjore shtesë për të legjitimuar dhe rregulluar aktivitetet e organeve të nivelit lokal”, thekson Raporti.

Mes tjerash raporti vlerësoi se zgjedhjet lokale për këshillin komunal të Tetovës dhe zgjedhjet për kryetar komune në Qendër Zhupë dhe në Mavrovë-Rostushë janë kryer në mënyrë të rregullt.

Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 8 nëntor 2023. Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.

Portalb.mk ka publikuar gjetjet e raportit për disa fusha të cilat mund t’i lexoni më poshtë.