“Tjetri” si i fisëm dhe njerëzor…

“Tjetri” në krijimtarinë letrare të Murat Isakut nuk është vetëm i dhunshmi, i egri apo dhunuesi, por edhe i fismi, njerëzori dhe i përvuajturi për shkak të përkatësisë apo botëshikimeve të tij.

Te romani Etje, ushtari italian Gaettano dashurohet me vajzën malësore, Kulumrinë. Ndryshe nga romanet e shkruara sipas skemës së realizmit socialist, ku ushtarët e huaj janë të egër dhe dhunues, Gaettano ka kulturë të gjerë dhe ndjenjë të thellë dashurie për malësoren. I rritur në një vend që s’i njeh kufizimet morale, ai s’e kupton mendësinë e vendësve. I formuar me kulturë europiane, e cila nga Renesanca e çmonte anatominë trupore të gruas së lakuriqësuar, Gaettano e pikturon Kulumrinë lakuriqe, i bindur se kështu ia respekton bukurinë malësores. Por për vendësit ky akt është cenim i nderit të gruas. Ushtari vritet nga Artani, i nxitur nga babai i Kulumrisë, Leran Barda. Artani e vret ushtarin për shkak të dashurisë, sepse shpreson të martohet me Kulumrinë dhe jo pse e urren të huajin. Kur Artani dënohet me vdekje, Leran Barda, që e ka arritur qëllimin, nuk ndjen keqardhje. Në vepër shihet me simpati “Tjetri” (Gaettano) dhe jo “vendësi” (Leran Barda).

“Tjetri” paraqitet edhe në vepra të tjera të Murat Isakut. E tillë është Kobra dhe familja e saj hungareze në romanin Banesa në katin e shtatë. Nëpërmjet familjes hungareze paraqitet edhe kultura shumështresore e Europës Qendrore, e cila rrezatoi fuqishëm në mbarë qytetërimin europian. Në vepër mbizotëron frymë pranimi dhe simpatie për këtë kulturë.

E njëjta ndodh edhe me personazhet Abu Xhabiri te Rrengu dhe Sheh Alabini te Rreckajt – dy poetë nga Orienti që vuajnë dhe dënohen me vdekje nga sistemi i egër shtetëror. Të dy janë shpirtra të lirë dhe kasnecë lirie. Krejt ndryshe nga gjyqtarët, hetuesit dhe xhelatët torturues dhe ekzekutorë të njerëzve që e synojnë lirinë. Pra, përderisa në njërën anë paraqitet përmasa madhështore e artit oriental, në anën tjetër paraqitet makineria e egër shtetërore. Shkrimtari, duke i zhvendosur ngjarjet në kohë të largët historike, krijon alegori. Një përqasje me aktualen.

Studenti Malë Proka, te romani Fatprerët, arrestohet dhe vuan pa bërë faj. Ai është “Tjetri” për sistemin diktatorial. Malë Proka është i fisëm, i ndershëm, human dhe i padjallëzuar, por dënohet për shkak të përkatësisë së tij etnike. Ai bëhet edhe më i rrezikshëm për regjimin kur si një Promethe i kundërvihet të keqes. Malë Proka nuk e honeps “zemërgjerësinë” e shtetit totalitar dhe, si në tragjedinë e Eskilit, nuk e këmben vuajtjen e tij me mjerimin e atyre që i detyrojnë të tjerët të vuajnë.

Tema e “Tjetrit” dhe “Tjetërsisë” në kulturën dhe letërsinë shqiptare nuk është studiuar sa duhet. Shumë studiues të huaj, madje edhe ata që nuk ishin dashamirës ndaj shqiptarëve, konstatuan se shqiptarët nuk janë ksenofobë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.