Kurti: BE-ja t’i heqë masat, Kosova e gatshme t’i hapë negociatat drejt anëtarësimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që t’i heq masat e vendosura ndaj Kosovës. Këto masa, Kurti i ka quajtur në kundërshtim me përpjekjet e BE-së për ta integruar rajonin, transmeton Syri.net.

Në mbledhjen e VI-të të Këshillit Ministror për Integrim Evropian (KMIE), ku është diskutuar për përgatitjet e vendit në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor si dhe për reformat kyçe të Programit Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE) 2024-2028, shefi i ekzekutivit ka deklaruar se Kosova ka zbatuar mbi 70 për qind të reformave që janë planifikuar me Komisionin Evropian.

“Pas një dekadë stagnimi, zgjerimi i BE-së është rikthyer në agjendë. Duhet të jetë i besuar në demokraci, jemi të gatshëm që të përgjigjemi mijëra pyetjeve që vijnë nga Komisioni Evropian. Anëtarësimi në BE është zgjidhje strategjike. Sa i përket agjendës për reforma evropiane kemi zbatuar mbi 70 për qind të reformave që kemi planifikuar me Komisionin Evropian. Kemi zbatuar dyfishin e reformave të planifikuara”.

“Masa që janë në fuqi ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE sidomos edhe në planin e rritjes dhe qëllimin e tij. Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialog të reformave të BE-së. Në këtë kontekst kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”, ka thënë ai.

E zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se reformat  ndërmarra përveç që e ndihmojnë Kosovën drejt integrimit në BE, ndihmojnë edhe në arritjen dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik të vendit drejt një standardi me të lartë jetese.

Ai ka thënë se Programi Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE) 2024-2028 është miratuar në qeverinë me 2 prill të këtij viti dhe se janë në pritje të miratimit të tij nga ana e Kuvendi të Kosovës.

“Programi kombëtar për integrim evropian është dokumenti ynë strategjikë që përfaqëson spektrin e gjerë të reforma që ndërmarrim vit pas viti në realizimin e marrëveshjes sonë të përbashkët më BE-në pra marrëveshjen e stabilizim asocimit. Këto reforma para se të na ndihmojnë më avancimin tonë drejt integrimit në BE, na ndihmojnë edhe në arritjen dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik të vendit drejt një standardi me të lartë të jetesës. Për këtë vit kemi planifikuar shumë masa e projektligje dhe më saktësisht 307 masa afatshkurtra nga të cilat 38 janë projektligje, 3 janë marrëveshje ndërkombëtare, 65 janë akte nënligjore dhe 201 janë masa zbatuese. Deri në raportimin e qershorit pritet që 59 prej këtyre masave të jenë zbatuar”, ka thënë ai.