Brukseli mesazh direkt pushtetit: E keqpërdorni flamurin evropian, ndryshimet e Kodit s’kanë lidhje me BE

Është bërë i tepruar dhe ndonjëherë i papërshtatshëm përdorimi i tepruar i procedurave të shpejta dhe i procedurës së ‘flamurit të BE-së’, në disa raste për shkak të mungesës së konsultimeve dhe planifikimit të dobët të kalendarit legjislativ. “Flamuri i BE-së” duhet të përdoret kur lidhet drejtpërdrejt me miratimin e ligjeve, qëllimi kryesor i të cilave është përafrimi me Acquisin e BE-së, dhe jo për të shkurtuar debatin publik për çështje të rëndësishme, ishte kjo vëretja kryesore e Komisionit Evropian për Parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Madje theksohet se edhe ndryshimet e Kodit Penal nuk kishin të bënin me përafrim të legjislacionin të BE-së, siç pretendonin autoritetet e vendit, transmeton Portalb.mk.

Ashtu sikurse raportet e kaluara, Komisioni thekson në mënyrë të qartë se është bërë i tepruar dhe ndonjëherë i papërshtatshëm përdorimi i tepruar i procedurave të shpejta dhe i procedurës së ‘flamurit të BE-së’, në disa raste për shkak të mungesës së konsultimeve dhe planifikimit të dobët të kalendarit legjislativ. Këtu është nëvizuar edhe ndryshimi i Kodit Penal, për të cilin përkundër Qeverisë së RMV-së, KE thotë se këto ndryshime nuk kishin të bënin me përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së.

“Flamuri i BE-së” duhet të përdoret kur lidhet drejtpërdrejt me miratimin e ligjeve, qëllimi kryesor i të cilave është përafrimi me acquisin e BE-së, dhe jo për të shkurtuar debatin publik për çështje të rëndësishme. Procedura e ‘flamurit të BE-së’ u përdor, ndër të tjera, për të ndryshuar Kodin Penal duke futur dënime më të ulëta për krimet e korrupsionit dhe për të ndryshuar ligjet për marrëdhëniet e punës, shpronësimet, urbanistikën, ndërtimin dhe autostradat që do të ndërtohen (veçanërisht korridori rrugor VIII dhe Xd), pavarësisht nga fakti se ndryshimet në përgjithësi nuk kishin të bënin me përafrimin e legjislacionit ekzistues me acquisin e BE-së. Përdorimi i procedurës së ‘flamurit të BE-së’ duhet të jetë i qëndrueshëm dhe i lidhur qartë me ligjet që synojnë kryesisht përafrimin e ligjit kombëtar me Acquisin e BE-së”, thuhet në raport.

Në raport vlerësohet se polarizimi politik në Parlament është thelluar edhe më tej, duke vonuar miratimin e shumë ligjeve reformuese dhe emërime të rëndësishme.

“Procesi i negociatave për anëtarësim në BE kërkon konsensus të gjerë të partive kryesore politike. Të gjitha partitë duhet të fillojnë të angazhohen në një debat politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, për të forcuar rolin e Parlamentit”, thuhet në raport.

Sa i përket mbikëqyrjes parlamentare të ekzekutivit thuhet se ushtrohej rregullisht përmes pyetjeve parlamentare drejtuar ministrave.

“Palët nuk duhet të kursejnë asnjë përpjekje për të zbatuar angazhimet e vonuara për reformën e brendshme që datojnë nga raundi i tretë i ‘Dialogut Jean Monnet’ në fillim të vitit 2020. Kërkohet zbatimi i menjëhershëm i rekomandimeve nga Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit për të rritur transparencën e financimit për partitë politike. Parlamenti duhet të sigurojë shqyrtimin në kohë të raporteve statutore që i dërgohen nga agjencitë dhe organet shtetërore”, nënvizon raporti.

Është lavdëruar rritja e numrit të grave deputete nga 50 në 51 nga 120, duke arritur përqindjen më të lartë ndonjëherë (42.5%).

“Numri i deputetëve nga komunitetet joshumicë ka rënë (nga 42 në 41 nga 120 (34%)”, thuhet më tej.

Kuvendi, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, foto: Teuta Buçi/Portalb.mk
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Lidhur me dialogu politik në Parlament, theksohet se vuan nga mungesa e konsensusit ndërpartiak, megjithëse opozita mbështeti disa masa ekonomike, energjitike dhe sociale. Kërkohet që partitë parlamentare të bashkëpunojnë në procesin e negociatave të pranimit në BE dhe të përshpejtojnë zbatimin e reformave në lidhje me BE-në.

“Këshilli Kombëtar për Integrimin në BE nuk mblidhet shpesh. Ai mbajti vetëm tre seanca, duke përfshirë një të përbashkët me Komisionin për Çështjet e BE-së. Nevojiten hapa vendimtarë për të siguruar që Këshilli të përmbushë funksionin e tij si mjeti kryesor për avancimin e integrimit në BE në Parlament”.

Polarizimi i vazhdueshëm midis partive në pushtet dhe opozitës e pengoi Parlamentin të funksiononte siç duhet.

“Partia kryesore opozitare VMRO-DPMNE bllokoi në mënyrë aktive punën parlamentare, e cila ishte një pengesë e rëndësishme për përparimin në agjendën legjislative të Parlamentit. Nuk u arrit asnjë konsensus për emërimet e rëndësishme të vonuara prej kohësh. Këto kanë të bëjnë me dy gjyqtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese, pesë zëvendës avokatë të popullit, anëtarë të këshillit programor të transmetuesit publik dhe Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive, si dhe një anëtar të Komisionit për Mbrojtjen dhe Parandalimin nga Diskriminimi. Është e domosdoshme që emërimet në këto pozita të bazohen në meritë dhe jo në baza politike”, thuhet në mënyrë decide në raport.

Është kritikuar, procedura e shkurtuar, ku nga janari 2022 deri më 15 qershor 2023, nga 165 ligje të miratuara, 51 janë miratuar me procedurë të rregullt, 86 me procedurë të shkurtuar dhe 28 janë miratuar me ratifikim.

“Konsultimet gjithëpërfshirëse duhet të zhvillohen vazhdimisht, duke përfshirë edhe Komisionin Evropian. Numri i ligjeve të miratuara me procedurë të shkurtuar u rrit nga 38% në 58% në kurriz të debatit kuptimplotë dhe procesit legjislativ gjithëpërfshirës. Përdorimi i procedurave të shkurtuara duhet të jetë i kufizuar. Ato nuk duhet të përdoren për të shkurtuar konsultimet publike ose për të zgjidhur vështirësitë procedurale në legjislaturë, ose për të kompensuar planifikimin e dobët në nivel qeveritar”, thekson raporti.

Flamuri i BE-së dhe i RMV-së, Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Zbatimi i angazhimeve të marra gjatë raundit të tretë të ‘Dialogut Jean Monnet’ në fillim të vitit 2020 mbetet i pazgjidhur. Këto përfshijnë ndryshimin e rregullores së procedurës, për shembull në seancën konstituive, mbikëqyrje më të madhe qeveritare, dëgjime publike, kalendarin parlamentar dhe procedurat për ligjet me flamurin e BE-së.

“Grupi i punës për “Dialogun Jean Monnet” u mblodh në nëntor dhe dhjetor 2022 dhe në qershor dhe shtator 2023 dhe ranë dakord për disa aspekte të rishikimit të procedurave legjislative. Rregullorja e procedurës duhet të miratohet pa vonesa të mëtejshme për të përmirësuar funksionimin e Parlamentit”.

Gjithashtu, është theksuar në mënyrë të qartë se nevojitet veprim për të garantuar transparencën e financimit për partitë politike. Veprimi duhet të përfshijë adresimin e rekomandimeve të bëra nga Grupi i kundër Korrupsionit (GRECO). Partitë politike duhet të kenë procese të tjera të brendshme demokratike, duke përfshirë transparencën e zgjedhjeve për organet partiake.

Komisioni Evropian më 8 nëntor e publikoi Raportin e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Situata me luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut është vlerësuar pa asnjë përparim. Korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në shumë fusha. Lidhur me ndryshimet e Kodit Penal thuhet se pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla. “Kjo është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet tekstualisht në raport.

Kujtojmë se më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.