U shty miratimi i Planit të Mobilitetit për Tetovën, opozita kërkoi ndryshime (Video)
Këshilli i Komunës së Tetovës në seancën e 17-të të mbajtur më 25 shtatori nuk e miratoi Planin e Mobilitetit për Tetovën për vitin 2026-2036. Kjo pasi opozita kërkoi që të mbahet edhe një debat publik ndërsa kërkoi edhe të bëhen përditësime. Plani ndonëse ishte gati që në prill, para këshilltarëve komunal ai u gjend pesë muaj më vonë, shkruan Portalb.mk.
Pas shumë vonesave dhe premtimeve të shkelura për publikim, Komuna e Tetovës në prill e publikoi Planin e Mobilitetit 2026-2036 i cili pritet t’i japë fund kaosit në trafik dhe jo vetëm.
Ndërsa pesë muaj më vonë, i njëjti u gjend para këshillit komunal për miratim.
Ndonëse për këtë plan gjatë përbërjes së kaluar të këshillit pati debate publike, këshilltarët komunal nga opozita kërkuan që të bëhet edhe një debat publik përpara se i njëjti të miratohet.
Këshilltari i BDI-së, Berat Murati dha vërejtje se përpiluesit e planit janë thirrur në Direktivën evropiane që është edicioni i dytë i vitit 2017, ndërsa që nga marsi 2026 ka Direktivë të re, të tretë të BE-së dhe se plani është bërë me direktivë të vjetër. Ai tha se ka 15 pika ku ka mospërputhje në direktivën e BE-së për mobilitet.
“Besoj se u desh një debat publik për këtë, tani vlerësojeni ju si mendoni”, tha Murati.
Arlind Murtezani nga Lidhja Shqiptare, theksoi se plani parashikon vendosjen e korsive për autobusë dhe biçikleta.
“Çdo ditë kemi kolona të mëdha të veturave, nuk e di ku mendoni t’i vendosni këto korsitë e biçikletave apo për autobusë… Ose do e shkurtoni nëpër bulevarde një korsi për automjetet ose biçikletat do t’i hipni në trotuare, nuk shoh tjetër logjikë. Nuk jam kundër korsive”, tha Murtezani.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami sqaroi se ky plan është pjesë e planeve që janë pjesë e disa studimeve të cilat duhet të bëhen dhe janë pjesë e planit gjeneral urbanistik dhe se për të njëjtin ka pasur debate publike.
“Sa i përket nevojës nëse e parasheh ky këshill edhe për një debat, jemi të gatshëm. Në këtë situatë me direktivën e 2026, ky plan ka nisur shumë më herët para se të miratohet ajo direktivë dhe sigurisht është thirrur në direktivën e fundit. Por për shkak se ende nuk është miratuar, kur kemi në fuqi një direktivë të re, do të flasim me përpiluesin e këtij studimi që të shohim mundësinë e inkorporimit të direktivës së re të BE-së”, tha Kasami.
Ai shtoi se derisa nuk është miratuar nga Këshilli Komunal është draft dhe se nuk përbën problem të mbahet edhe një debat publik.
Debatin e plotë për këtë çështje mund ta ndiqni në videon në vijim.
Plani i Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban për Tetovën është dokument strategjik që përcakton se si do të organizohet lëvizja në qytet në vitet e ardhshme, duke përfshirë jo vetëm trafikun e veturave, por edhe transportin publik, ecjen, biçikletat dhe mënyrën e menaxhimit të parkimit.
Zbatimi i planit parashihet përmes një kombinimi masash infrastrukturore dhe organizative.
Ndër to përfshihen ndërtimi i parkimeve të reja, sidomos garazheve shumëkatëshe me kapacitet të madh, largimi i parkimit nga bulevardet kryesore, vendosja e korsive të veçanta për autobusë dhe riorganizimi i trafikut me rrugë njëkahëshe dhe korsi të dedikuara për kthime.
Po ashtu, planifikohet zhvillimi i sistemit “Park & Ride”, ku qytetarët do të mund të lënë veturat në hyrje të qytetit dhe të vazhdojnë me transport publik, si dhe digjitalizimi dhe forcimi i kontrollit të parkimit.
Implementimi nuk është planifikuar të ndodhë menjëherë, por në disa faza kohore.
Masat afatshkurtra, si riorganizimi i parkimit dhe kontrolli më i madh në trafik, pritet të nisin menjëherë pas miratimit të planit.
Në periudhën afatmesme parashihen ndërhyrje më të mëdha në transportin publik dhe infrastrukturën rrugore.
Projektet më të mëdha, si parkimet në kate dhe transformimi i plotë i sistemit të mobilitetit, janë të planifikuara për afatgjatë.
Zbatimi i planit pritet të bëhet nga Komuna e Tetovës në bashkëpunim me Ndërmarrjen Publike “Parkingu i Qytetit”, institucionet qendrore dhe partnerë të tjerë, përfshirë sektorin privat dhe donatorët ndërkombëtarë.
Masat do të fokusohen në të gjithë territorin e qytetit, me theks të veçantë në pjesët qendrore, bulevardet kryesore dhe hyrjet e qytetit, ku problemet e trafikut janë më të theksuara.
Më poshtë gjendet i gjithë dokumenti i plotë.
Zgjidhja për kaosin në trafik, tani e disa kohë nga Komuna e Tetovës thuhet se do të bëhet përmes planit të mobilitetit.
Ky plan i mobilitetit është përgatitur nga Instituti INSI nga Kosova dhe përmes tij pritet të zgjidhet çështja e kaosit në trafik si parkingjet, regjimi i rrugëve, transporti publik, uzurpimi i trotuareve dhe të tjera. Deri tani janë mbajtur dy debate publike.
Në ndërkohë, plani i ri gjeneral urbanistik për Tetovën nuk pritet të sillet as gjatë këtij viti.
Pavarësisht se autoritetet me vite kanë premtuar zgjidhje për këto probleme, pamjet nga terreni flasin ndryshe. Situata rrëndohet ende më shumë gjatë verës dhe dimrit, kur kthehen mërgimtarët.