Mosmiratimi i Kodit Zgjedhor të RMV-së futi në lojë edhe BE-në, pak shpresë për fondet prej 4.2 milionë euro

Kodi Zgjedhor është shndërruar në një nga pikat më të ndjeshme momentalisht në Maqedoninë e Veriut. Ai është pjesë e agjendës së reformave që duhet të përmbushen. Për partitë politike në vend, Kodi Zgjedhor është bërë edhe një tjetër front i përplasjes mes pushtetit dhe opozitës. Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, gjatë vizitës së saj në Shkup, e bëri të qartë se Maqedonia e Veriut ka përparuar në zbatimin e reformave, por se një nga detyrimet e fundit të mbetura është miratimi i Kodit Zgjedhor. Sipas saj, vendi ka zbatuar 90 përqind të reformave të dakorduara, ndërsa 10 përqind të mbetura lidhet me këtë ligj, raporton Portalb.mk.

Miratimi i Kodit Zgjedhor, shtoi ajo, nuk është vetëm çështje e përmbushjes së një kriteri formal ndaj BE-së, por lidhet edhe me përfitime konkrete financiare.

“Meqenëse keni zbatuar 90% të 10 reformave që duhen dorëzuar më 15 korrik, edhe 10% e fundit, që është kodi zgjedhor, do të miratohet dhe u bëj thirrje të gjitha partive për një konsensus ndërpartiak për 100% sukses. Shpresoj që kjo të ndodhë. Kur të ndodhë kjo, kjo do të jetë në dobi të vendit kur negociatat e pranimit të ecin përpara, në mënyrë që agjenda e reformave dhe ajo që bëni në planin e rritjes dhe nga ana tjetër, procesi i pranimit, të bashkohen në një moment të caktuar”, tha Kos, duke e lidhur këtë reformë me mbështetjen financiare që Maqedonia e Veriut mund të marrë nga Bashkimi Evropian.

Por, situata në Maqedoninë e Veriut tregon se vonesat e partive mund të ndikojnë drejtpërdrejt në mundësitë financiare që u dedikohen qytetarëve.

Kryeministri Hristijan Mickoski gjatë konferencës me Kos, e shfrytëzoi çështjen e Kodit Zgjedhor për t’i bërë thirrje opozitës për konsensus, si dhe për ta kritikuar, duke thënë se Qeveria ka qenë e gatshme për marrëveshje dhe se partitë opozitare duhet të arrijnë një qëndrim të përbashkët.

Sipas tij, është e panevojshme që vendi të rrezikojë humbjen e fondeve evropiane për shkak të një mosmarrëveshjeje politike.

Mickoski tha se Qeveria është e gatshme të pranojë një propozim të dakorduar mes opozitës, duke përfshirë rekomandimet e OSBE-së dhe çështjen e votimit të diasporës.

Ai argumentoi se procesi tashmë është afër përfundimit dhe se humbja e mundshme e fondeve do të ishte një dështim politik, pasi këto mjete janë të destinuara për zhvillimin e vendit dhe për qytetarët.

“I gjithë Parlamenti, grupet parlamentare dhe politike kanë punuar dhe kemi arritur në një draft. Drafti u nënshkrua nga të gjithë me përjashtim të një partie politike. Ata thanë se jemi pro këtij drafti, jemi të harmonizuar me këtë draft, por nuk jemi me ju për të nënshkruar këtë propozim. Dhe ajo që ka ndodhur ditët e fundit është gjimnastikë politike. Të dyja partitë politike në një skenë të hapur përpiqen ta bëjnë këtë spektakël, dhe kjo nuk më pëlqen sepse, siç dëgjuat nga komisionerja Kos, 9 nga 10 pikat janë në periudhë pritjeje dhe ne mbetemi vetëm me kodin zgjedhor, dhe kjo është arsyeja pse në koordinimin e djeshëm në kuvend qëndrimi ynë ishte shumë i qartë, opozita duhet të bie dakord dhe çfarë të bien dakord, atëherë ne do ta pranojmë. Ky është qëndrimi ynë. Ata duhet të na japin propozim dhe ne do ta pranojmë atë propozim me rekomandimet e OSBE-së dhe votimin e diasporës. Jemi në mesin e korrikut dhe do të ishte për të ardhur keq të humbisnim fondet më shumë se 4 milionë. Pse duhet ta humbasim atë financim? Pse nuk duhet të arrijmë 100%? Tani kemi një zgjatje të vogël deri në mesin e korrikut. Pse të mos e përdorim atë?”, tha Mickoski

Pavarësisht tensioneve politike, mesazhi i komisioneres Kos ishte optimist. Ajo kërkoi që partitë të arrijnë konsensus dhe të përfundojnë reformën.

Kjo do të thotë se fondet prej 4.2 milionë eurosh ende mbeten të arritshme, nëse partitë pajtohen dhe arrijnë të miratojnë ndryshimet e kërkuara.

Me afatin ende të hapur, Maqedonia e Veriut ka mundësi të mos i humbë fondet, por koha për marrëveshje politike po bëhet faktori kryesor.

Partitë kanë ngecur në çështjet nëse do të mbeten gjashtë zona zgjedhore apo do të vendoset një zonë e vetme zgjedhore, votimi elektronik i diasporës dhe rishpërndarja e fondeve për reklamimin mediatik mes partive të mëdha dhe të vogla. Këto janë pengesat kryesore për shkak të të cilave ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë bllokuar në Kuvend nga opozita me rreth 14 mijë amendamente

Nëse vazhdohet kështu, Kodi Zgjedhor me shumë gjasa nuk do të përfshihet në ligjet reformuese të zbatuara për të cilat Maqedonia duhet të paraqesë raport në Komisionin Evropian më 15 korrik mbi atë që është bërë deri në fund të 30 qershorit.

Numërimi mbrapsht tashmë ka filluar. Na ndajnë vetëm edhe disa ditë.

Afati fillestar për miratimin e këtij ligji ishte 30 qershori 2025, por pasi ky afat nuk u përmbush, qeveria mori qëndrimin se afati nuk ishte shkelur sepse ka një periudhë “grejs” deri në fund të qershorit 2026.

Grupi i punës për reformën e Kodit Zgjedhor u formua më 3 mars të këtij viti, katër muaj para afatit për reformat zgjedhore, dhe punoi në një dokument me ndryshime të propozuara të përgatitura nga Ministria e Drejtësisë në qershor 2025.