Nuk ka marrëveshje për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, në mesnatë skadon afati
Në Maqedoninë e Veriut sonte do të mbarojë afati për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndërkohë akoma nuk ka marrëveshje ndërmjet partive, transmeton Portalb.mk.
“Unë ja sot i ftoj në pjekuri dhe përgjegjësi edhe kryetarin e BDI-së edhe të LSDM-së, të Majtës, krahun e Ziadin Selës, e të Arben Taravarit, të ulen së bashku si parti opozitare, të merren vesh”, deklaroi Mickoski, duke u shprehur se nuk është optimist për shkak se ka njerëz të papërgjegjshëm dhe të papjekur.
Kryeministri deklaroi se koalicioni qeveritar e ka harmonizuar qëndrimin rreth ndryshimeve zgjedhore.
“Në tryezë u thamë, ja merruni vesh, shkruajeni, silleni, derisa votimi i diasporës është pjesë e propozimit, ne e mbështesim plotësisht. Ata luftonin kush kë do ta thërras dhe ku do të mbahet takimi mes opozitës. “, deklaroi Mickoski.
LSDM-ja e kritikoi VMRO-DPMNE-në se tenton të manipulon opinionin, ndërsa E Majta e akuzon LSDM-në se po bashkëpunon me pushtetin.
“Edhe pse përmirësimi i legjislacionit zgjedhor është pjesë e një agjende më të gjerë reformash, zgjidhjet specifike të propozuara aktualisht nga qeveria nuk janë një detyrim ndaj Bashkimit Evropian, as nuk përbëjnë një kusht për përparimin në procesin e negociatave. Këto janë propozime të tyre, jo evropiane”- thonë nga LSDM.
Sot vendi duhet t’i dërgojë raport BE-së për reformat e kryera.
Afati fillestar për miratimin e këtij ligji ishte 30 qershori 2025, por pasi ky afat nuk u përmbush, qeveria mori qëndrimin se afati nuk ishte shkelur sepse ka një periudhë “grejs” deri në fund të qershorit 2026.
Grupi i punës për reformën e Kodit Zgjedhor u formua më 3 mars të këtij viti, katër muaj para afatit për reformat zgjedhore, dhe punoi në një dokument me ndryshime të propozuara të përgatitura nga Ministria e Drejtësisë në qershor 2025.