ANALIZË: Rrezik nga kolapsi demografik, RMV mund të bjerë në 1.5 milionë banorë, shpëtimi është anëtarësimi në BE

Në nivel vjetor, shteti mund të humbasë edhe deri në 22.000 banorë. Trendi i eksodit emigrues jo vetëm që nuk po ndalet, por mund edhe të përkeqësohet. Në vitin 2032, numri i banorëve do të “zbresë” nën 1.600.000. Anëtarësimi i afërt në BE do ta frenonte depopullimin, ndërsa do ta forconte edhe pozitën e vendit para dyerve të Bashkimit Evropian. Strategjia e rishikuar për zhvillim rajonal, e cila evidenton trendet shqetësuese demografike, i është dorëzuar Kuvendit, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Popullsia po “tkurret”, ndërsa numri i të lindurve të gjallë po zvogëlohet

Pa një anëtarësim të afërt në Bashkimin Evropian, Republikës së Maqedonisë së Veriut i kanoset një eksod, me rrezik që çdo vit të humbasë edhe deri në 22.500 qytetarë, të cilët do ta braktisnin vendin pa kthim. Strategjia e re e rishikuar për Zhvillim Rajonal e RMV-së për periudhën 2021–2031 zbulon parashikime alarmante demografike. Nga tani e deri pas pesë vitesh, numri i përgjithshëm i popullsisë do të bjerë nën 1.600.000 banorë.

“Sipas projeksionit të përgatitur të popullsisë, në vitet në vijim pritet rënie e numrit të popullsisë, ndërsa në vitin 2032 numri i përgjithshëm i popullsisë do të arrinte në 1.588.524 banorë. Kjo nënkupton një ulje prej 13,5% krahasuar me vitin 2021”, thuhet në dokumentin e rishikuar.

Sipas projeksioneve, këtë vit numri i banorëve do të bjerë në 1.748.858, që është për madje 22.500 banorë më pak krahasuar me vitin e kaluar.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Analiza shtjellon disa skenarë demografikë, njëri prej të cilëve është që shteti të mos i bashkohet së shpejti Bashkimit Evropian.

“Skenari regresiv: Ky skenar lidhet me mundësinë e shtyrjes së anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Pritjet janë që, në kushtet aktuale të organizimit hapësinor dhe ekonomik të zonave rurale, popullsia në moshë pune të vazhdojë të shpërngulet kryesisht drejt vendbanimeve urbane dhe jashtë vendit. Ky emigrim, në kombinim me rënien e shkallës së natalitetit, në mënyrë të pashmangshme do të çojë në zbrazje të mëtejshme të theksuar demografike të këtyre hapësirave”,  theksohet në Strategji.

Në skenarin e dytë, nëse shteti bëhet anëtar i BE-së brenda 10 viteve të ardhshme, kjo do të rezultonte me një klimë ekonomike më të favorshme, një bazë më të mirë për ruajtjen e një saldoje migratore të moderuar dhe rritje më të përshpejtuar ekonomike; ndërsa në skenarin më optimist, i cili parashikon anëtarësim të afërt në BE, depopullimi i mëtejshëm do të zbutet, madje edhe do të parandalohet.

“Skenari optimist: Lidhet me mundësinë që RMV-ja të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, të ridrejtohen dhe stimulohen drejtimet e lëvizjeve të brendshme migratore dhe të krijohen kushte për vendosje të popullsisë nga jashtë vendit. Me investime më të mëdha do të krijoheshin mundësi për punësim dhe do t’u afroheshim vlerave të normave të punësimit dhe papunësisë në vendet e Be-së”, thuhet në Strategjinë e rishikuar.

Emigrimi i pakthyeshëm i popullsisë së re dhe në moshë pune do ta ndryshojë tërësisht “hartën” demografike të shtetit, i cili po përballet gjithnjë e më shumë me kërcënimin e “plakjes” së popullsisë.

“Projeksionet demografike për vendin tonë janë negative, përkatësisht pjesëmarrja e personave mbi 65 vjeç do të rritet në mbi 34% deri në vitin 2055, numri i personave mbi 80 vjeç do të rritet më shumë se gjashtëfish krahasuar me gjendjen në vitin 2024, ndërsa popullsia në moshë pune do të zvogëlohet me gati gjysmë milioni persona, gjë që do t’i shtojë edhe më tej presionet mbi financat publike”, kanë theksuar edhe revizorët në analizën “Plakja e popullsisë”.

Problemin e thellë demografik me të cilin përballet shteti e konfirmoi edhe Enti i Statistikës, të dhënat e përmbledhura për vitin 2025 treguan se në madje 66 komuna ka shtim natyror negativ, përkatësisht më shumë të vdekur sesa të lindur të gjallë, që është kryesisht pasojë e emigrimit të popullsisë së re, në moshë riprodhuese, jashtë vendit. Numri i fëmijëve të lindur të gjallë është ulur për 4,1% në nivel vjetor.