Kisha paleokristiane manastirore: “Shën Thanasi” mbi Sllatinë të Tetovës

Ka vende që nuk flasin me zë, por me heshtjen e gurëve të tyre. Ka tempuj që, edhe pse të rrënuar nga shekujt, vazhdojnë të qëndrojnë si dëshmitarë të kohës, të besimit dhe kujtesës së një populli. Rrëzë maleve e kodrinave të buta e madhështore të Sharrit të lashtë, këtu ku natyra e Pollogut bashkon hijeshinë e pyjeve me qetësinë e lëndinave, prehen rrënojat e një tempulli që dikur ishte zemra shpirtërore e gjithë krahinës. Këtu mes lisave shekullorë, akacieve nazelie dhe gjelbërimit që mbulon plagët e kohës, ende ndihet fryma e një bote që nuk jeton më, por që nuk është shuar tërësisht.

Çdo gur i këtij manastiri të vjetër (që edhe banorët e zonës kështu ia kanë dhënë emrin: Manaster’i Vjetër), duket sikur ruan një rrëfim.Çdo copë guri e muri flet për njerëz që ndërtuan jo vetëm një tempull, por edhe një vatër të dijes, të drejtës kishtare dhe kulturës së Pollogut të Poshtëm. Në ato themele nuk u ngrit vetëm një ndërtesë e shenjtë; u hodhën themelet e një tradite që për shekuj do të ushqejë jetën shpirtërore të banorëve të kësaj ane.

Në një kohë kur shumë elemente të së kaluarës mbeten të mbuluara nga harresa, rrënojat e Manastirit të Shën Thanasit vazhdojnë të na thërrasin drejt kujtesës. Ato na kujtojnë se historia nuk shkruhet vetëm në kronika e dokumente, por edhe në gurët e latuar me mjeshtëri, në ornamentet e mbijetuara, në pemët që kanë parë breza të tërë dhe në shtigjet që ende i çojnë kureshtarët drejt këtij vendi të shenjtë. Ndaj, edhe ky shkrim është një përpjekje për t’i dhënë zë kësaj heshtjeje, sepse nuk synon vetëm të paraqesë të dhëna historike mbi Manastirin e Shën Thanasit, por edhe të sjellë para lexuesit shpirtin e një monumenti që përfaqëson një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, fetare dhe kombëtare. Për këtë arsye themi se monumentet nuk janë vetëm dëshmi të së kaluarës; ato janë ura që lidhin brezat dhe kujtesa që i jep identitetin një populli. Sa herë që i rikthehemi këtyre vendeve, ne nuk vizitojmë vetëm rrënojat e një objekti, por takohemi me një pjesë të vetvetes, me rrënjët tona dhe me historinë që vazhdon të jetojë përmes tyre.

Pak detaje për historikun e tempullit…

Rreth gjysmë ore ecje nga qendra e Sllatinës, përgjatë rrugës që çon drejt fshatit Breznë, ndodhet Manastiri i Vjetër, shumë i dëmtuar, i cili i kushtohet Shën Thanasit. Ai ndodhet në një vend të rrafshët të rrethuar me lisa dhe drunj të tjerë gjetherënës. Dikur ky manastir ka qenë një qendër shpirtërore, juridike dhe kulturore për banorët e zonës dhe rajonit të Pollogut të Poshtëm. Manastiri është ndërtuar në shekullin XIV dhe themelues i saj ka qenë eremonaku Ant(d)on, i cili në kohën e rindërtimit të kishës, në Kuvendin Metropolitan të Shkupit, u emërua si peshkopi i parë i Dioqezës së Pollogut të Poshtëm.(Wikipedia.org).

Kjo tregon se mitropoliti Ant(d)on e ka ndryshuar emrin e tij murgëror në emrin peshkopal Joanikij, i cili  ka qenë një njeri i arsimuar dhe me shije të lartë arqitekturore, dhe që kishte mjete të mjaftueshme për ndërtimin dhe rregullimin e brendshëm të kishës. Kjo është edhe periudha kur, në rajonin e Pollogut, zyrtarisht  formohet Dioqeza e Pollogut. (Në këtë rajon, më herët ka ekzistuar një dioqezë që kishte si pronë kishën e Shën Mërisë në Leshkë).

Në kohën kur u formua Arqipeshkvia e Ohrit – ndoshta edhe më herët – në shekullin X në Pollogun e Poshtëm, nën qytetin historik të Legjanit (Mbi Leshkë e Sllatinë, S.E.), ishte formuar një qendër shpirtërore e udhëhequr nga një korepiskop, si përfaqësues i Arqipeshkvisë së Ohrit. Që nga fillimi i krishterimit, nën juridiksionin e tij binte e gjithë veprimtaria administrative në Pollog, që përfshinte edhe Pollogun e Epërm. Korepiskopi kishte një kishë në nder të Shën Mërisë-nën fortesat e Legjanit dhe një oborr me pasuri për mbajtjen e klerikëve të dioqezës. Kisha e parë, sipas një shtylle prej guri të ruajtur, ka qenë e ndërtuar në stilin e kishave të vjetra të Ohrit dhe Prespës. Në mungesë të dokumenteve të shkruara, kjo shtyllë tregon se Dioqeza e Pollogut i përkiste administrativisht Arqipeshkvisë së Ohrit.

(Deri në vitin 1970 mendohej se kisha e Shën Thanasit datonte nga gjysma e dytë e shekullit XIV dhe se është ngritur nga peshkopi i parë i Pollogut, Joanikij, gjë që dëshmohet edhe nga mbishkrimi në sarkofagun e tij të gjetur gjatë gërmimeve të bëra në atë vit. Megjithatë, me studimin e bazës dhe fasadës, u konstatua se kisha i përkiste shekullit VI, kurse në shekullin që përmendëm, Joanikij e ka rindërtuar në themelet e këtij tempulli, kishë kjo e cila funksionoi aktivisht deri në shekullin XV. Më parë, përreth saj Joanikij kishte ndërtuar qeli për murgjit dhe për anëtarët e vëllazërisë manastirale, duke formuar kështu një kompleks manastiror).

Me ardhjen e Osmanlinjve, qëndrimi i murgjve u bë shumë i pasigurt për shkak të vendndodhjes së saj jashtë vendbanimeve të zonës, ndaj edhe ata e braktisën manastirin. Kështu, në vitin 1689 pas luftërave austro-turke, ky objekt sakral u shkatërrua.

Ç’mbeti nga kjo rrëmujë?

Gjatë gërmimeve në vitin 1927 janë zbuluar shumë mbetje nga kisha e shkatërruar. Në apsidën jugore u gjet sarkofagu i përmendur i themeluesit. Pranë tij janë gjetur edhe dy të tjerë – njëri në apsidën veriore përballë atij të themeluesit, dhe i treti në narteks. Brenda kishës është gjetur një ikonostas mermeri i plotë, i përbërë nga pesë shtylla me latime që paraqesin koka njerëzore dhe shtazore, dhe një tra horizontal. Është 1.85 m. i lartë dhe 2.80 m. i gjerë. Në apsidën jugore pranë murit perëndimor, ka qenë froni i mermertë i peshkopit. Në altar është gjetur një pjesë e tryezës së shenjtë prej mermeri dhe fragmente të mbajtëseve të qirinjve prej mermeri. Dyshemeja ka qenë prej pllakave mermeri drejtkëndëshe me një yll nën kupolën me figurën e Krishtit – Mbajtës i Gjithësisë. Nën dyshemenë e mermerit, në apsidën veriore pranë murit, është gjetur një varr, një skelet i madh në pjesën veriore të naosit dhe një më i vogël pranë murit jugor të narteksit.

Kisha ishte ndërtuar mbi një vend më të vjetër kulti ku kishte ekzistuar një kishë më e hershme. Në lindje, altari i kishës së vjetër përfundonte aty ku përfundon naosi dhe fillon narteksi. Sa i përket shtrirjes perëndimore të kishës së vjetër, nuk ka të dhëna, “nuk dihet…!” (Ndoshta studimi i hollësishëm do të zbulonte gjurmët e orientimit perëndimor të kishës katolike…, S.E.). Por, të vazhdojmë më tutje…

Me gërmime të mëtejshme të themeleve mund të zbulohet madhësia dhe forma e bazës së kishës paleokristiane.  Mbi pjesën lindore të kishës së vjetër dhe në vazhdim drejt lindjes, Ant(d)oni ndërtoi kishën. Dimensionet e jashtme ishin 15.10 m. gjatësi dhe 9 m. gjerësi, ndërsa brendësia kishte 11 m. gjatësi dhe 6.9 m. gjerësi. Muret mbajtës ishin të trashë 100-200 cm., ndërtuar me gurë mermeri të mbetur.

Kisha është e mbuluar me një konstruksion druri. Fasadat janë të ndërtuara në stilin rashjan me përdorim tullash dhe harqe të verbra. Më vonë u shtua kambanorja dhe pastaj narteksi. Fasada dekorative ka qenë e ndërtuar në stilin bizantin me tulla horizontale dhe vertikale, ndërmjet të cilave ndodheshin blloqe guri të gdhendur. Ana e brendshme ka qenë e ndërtuar me gurë lumi të zakonshëm. Apsida e altarit ka qenë e ndërtuar me tri faqe dhe nuk përfshinte proskomidinë dhe diakonikon. Në murin perëndimor të narteksit të shtuar, mbi derën hyrëse ka patur niçe (nejçe) gjysmërrethore të mbuluara me harqe. Mbi pjesën qendrore të naosit ka patur një kupolë me tetë ose dymbëdhjetë faqe dhe një dritare të zgjatur në secilën faqe, ndërtuar tërësisht me tulla. Në apsidën veriore dhe jugore ka patur dritare të dyfishta. Narteksi ka patur një kupolë për kambanë. Kisha ka qenë e mbuluar me pllaka plumbi dhe ka patur një ndërtim të përzier me elemente të vogla të stilit rashjan.

Me këto elemnte të kombinuara, kjo kishë është unike e këtij lloji në këto hapësira të Pollogut e më gjerë, çka e rritë mëtej rëndësinë e saj. Ajo përmban mbetje të pakta nga freskat, të cilat i përkasin dy periudhave, që të dyja nga shekulli XIV.

Pikturat murale janë ruajtur pjesërisht në apsidë, në ballinën e murit verior, si dhe në shtyllat mbajtëse të anës qendrore. Shtresa e parë e pikturës daton nga dekada e tretë e sh.XIV, nga koha e ndërtimit të kishës. Shtresa e dytë e pikturës është nga dekada e gjashtë e shekullit XIV .

Nga fragmentet e ruajtura mund të konstatohet se pikturat nga faza e parë i përkasin stilistikës së lartë të artit pikturor paleologan. Kjo mund të dallohet veçanërisht në veshjet e shenjtorëve, të cilat janë të mbushura me motive floriale, arabeska dhe ngjyra të ndezura, që përmes koloritit të hapur u japin figurave një ndjenjë të veçantë monumentaliteti. Modelimi është shumë i imët dhe ndihen ndikime nga faza klasike, në kalimin mes shekullit XIII dhe XIV.

Shtesa e dytë e pikturës është produkt i shkollës lokale të ikonografëve (zografëve) dhe i përket të ashtuquajturës fazë e artit kishtar. Karakteristikë e kësaj pikture është përdorimi i toneve të errëta, të cilat shërbejnë për të paraqitur jetën e asketëve ( shenjtorëve të vetmuar) në një mënyrë më të thellë dhe shpirtërore. Këtu bëhet fjalë për një pikturë që e ka origjinën në gjysmën e dytë të shekullit XII.

Në pjesën qendrore të altarit ndodhet freska e Shën Vasilit të Madh dhe Shën Gjon Gojartit, dhe në të dyja anët e tyre ka dy peshkopë të përkulur, të kthyer drejt lindjes. Së bashku formojnë kompozimin “Adhurimi i Qengjit”.

Në niçen veriore të altarit, në dhomën e diakonit, ndodhej diakoni Stefan me temjanikë, ndërsa përballë, në anën jugore, ndodhej Shën Romani me tabernakullin e dhuratave. Në murin e shtyllës veriore, aty ku hyhej në altar, kishte mbetje të një diakoni të paraqitur si engjëll. Në shtyllën jugore kishte mbetje dekorimesh me ornamente bimore.

Majtas dhe djathtas ikonostasit, në anën lindore me pamje nga perëndimi, ishte paraqitur një murg – shërbyes. Më tej, në vazhdim të apsidës jugore, ose djathtas ikonostasit, pranë murgstolnikut, janë paraqitur edhe tre të rinj në një furrë të ndezur zjarri (skenë e njohur biblike).

Duke vëzhguar kishën në tërësi, vërehet një dekorim i pasur me mermer në brendësi, fasadë dekorative me tulla dhe blloqe guri gëlqeror, një friz dekorativ nën çati, dritare mermeri në apsidën veriore dhe jugore, një rozetë mermeri dhe elemente të tjerë.

Sa i përket pikturës, duket qartë se themeluesi kishte njohuri të mira teknike dhe u kishte sugjeruar piktorëve (zografëve) se cilat freska ku të vendoseshin. Kjo mund të shihet nga prania e asketëve (eremitëve) dhe pozicionimi i tyre i pazakontë në kishë.

Është shumë vështirë të bëhet një vlerësim artistik i pikturës, për shkak të shkatërrimit pothuajse tërësor të saj, dhe nuk mund të përcaktohet saktë se cilët kanë qenë piktorët (zografët). Sarkofagët janë thyer, po ashtu nuk është kursyer as varri i murgut Theodorit, i cili ndodhej në pjesën jugore të kishës.

Shkruan, Syrja ETEMI