Stoilkoviqi sulmoi verbalisht disa deputetë, por ai vetë nuk kërkoi falje, në vend të tij e bëri Mickoski

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka kërkuar falje për incidentet që shënuan seancën parlamentare për rindërtimin e Qeverisë, pas akuzave për fyerje dhe sulme verbale ndaj deputetëve nga kandidati për ministër i Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoilkoviq, dhe vetë kryeministri, transmeton Portalb.mk.

Sipas opozitës, gjatë pauzës së seancës, Ivan Stoilkoviq ka sulmuar verbalisht deputetë të opozitës. Deputetja e BDI-së Arbana Pasholli reagoi pas incidentit, duke kërkuar reagim urgjent nga partnerët ndërkombëtarë që kanë kontribuar në hartimin e Kodit të Sjelljes Etike për deputetët.

Pasholli theksoi se Kodi i Sjelljes Etike nuk është miratuar brenda natës, por është rezultat i gjashtë viteve punë, dialogu dhe harmonizimi mes të gjitha partive politike, proces në të cilin, siç tha, ka qenë edhe vetë pjesë aktive.

Ajo u bëri thirrje Programit Zviceran për Mbështetje Parlamentare, Ambasadës së Zvicrës, Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) dhe Misionit të OSBE-së në Shkup që të reagojnë ndaj, siç e quajti, sjelljes denigruese, fjalorit fyes dhe gjuhës së urrejtjes të ministrit të sapozgjedhur Ivan Stoilkoviq në sallën e Kuvendit.

“Dua të di: Në botën e zhvilluar perëndimore dhe në demokracitë e konsoliduara, si veprohet në raste të tilla? A konsiderohet kjo sjellje e pranueshme për një funksionar publik, apo pason reagim i menjëhershëm dhe kërkim i përgjegjësisë?“, shkroi Pasholli, duke shtuar se nëse sjellje të tilla kalojnë pa reagim, atëherë vihet në pikëpyetje zbatimi dhe qëllimi i Kodit të Sjelljes Etike.

Ndërkaq, edhe deputetja tjetër e BDI-së, Arta Bilalli-Zendeli, deklaroi se objekt i sulmit verbal të Stoilkoviqit ka qenë edhe deputetja Arbana Pasholli.

“Arbana Pasholli sot u sulmua verbalisht nga zëvendëskryeministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive Etnike i Qeverisë VMRO-VLEN-ZNAM, Ivan Stoilkoviq, gjatë pauzës së seancës në të cilën ai pritej të zgjidhej ministër i Vetëqeverisjes Lokale. Është kjo një sjellje e papranueshme, jonormale dhe pa dyshim ofenduese, jo vetëm ndaj Arbanës, por ndaj të gjitha nënave, grave, bijave dhe vajzave shqiptare në politikë. Sulmi dhe sjellja e tij ofenduese ndaj një deputeteje shqiptare vetëm sa na i sjell në vëmendje qëndrimet e tij të hapura antishqiptare”, shkroi Bilalli-Zendeli.

Ajo shtoi se Stoilkoviq po zgjidhet ministër i Vetëqeverisjes Lokale me votat e deputetëve të VLEN-it, duke kritikuar edhe përbërjen e koalicionit qeverisës.

Ndërkohë, grupi parlamentar i LSDM-së njoftoi në një konferencë të jashtëzakonshme se Ivan Stoilkoviq gjatë debatit për rindërtimin e Qeverisë kishte fyer edhe deputetët Fatmir Bytyqi dhe Mitko Trajçulleski.

Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski, deklaroi se edhe kryeministri Hristijan Mickoski kishte përdorur gjuhë fyese ndaj deputetëve, duke i quajtur ata “mizogjenë” dhe “plehra”. Ai kritikoi edhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, për mungesën e reagimit ndaj zhvillimeve në sallë.

Deputetët e opozitës reaguan pasi, sipas tyre, pas koordinimit me kryetarin e Kuvendit ishte arritur pajtim që të miratohej një konkluzion për dënimin e sjelljes së Stoilkoviqit, por ai nuk kërkoi falje.

Në shenjë revolte, deputetët e LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët e braktisën seancën në të cilën pritej të votoheshin ministrat e rinj.

“Si rezultat i incidentit në Kuvend me Ivan Stoilkoviqin, ne reaguam në përputhje me paraqitjen dhe sjelljen e tij, duke mbrojtur dinjitetin institucional dhe qëndrimet tona politike. Çdo provokim apo deklaratë që cenon vlerat e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë do të marrë përgjigjen e merituar politike dhe institucionale nga ana jonë”, reaguan nga Aleanca për Shqiptarët.

Pas zhvillimeve, kryeministri Hristijan Mickoski, në fund të debatit dhe para votimit për ministrat e rinj, kërkoi falje për ngjarjet e ndodhura në Kuvend.

“Si kryetar i Qeverisë, dua t’ju kërkoj falje juve, deputetëve dhe qytetarëve që sot ishim dëshmitarë të këtyre ngjarjeve dhe shpresoj që kjo të mos na ndodhë më kurrë”, deklaroi Mickoski.

Më pas, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, vlerësoi se kërcënimet dhe fyerjet e drejtuara ndaj deputetëve nga Mickoski dhe Ivan Stoilkoviq janë shenjë dobësie.