IRL: 3 milionë euro para të qytetarëve ka marrë kompania e cila dështoi në ndërtimin e Spitalit të Kërçovës

Ministria e Shëndetësisë i ka paguar 3 milionë euro për dy kontratat për ndërtimin e objektit të ri të Spitalit të Kërçovës, pavarësisht se ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti deklaroi në dhjetor se shteti nuk i ka paguar firmës asgjë për 10 vite, shkruan IRL në storjen e saj për (mos)ndërtimin e objektit të Spitalit të Kërçovës, për të cilin Portalb.mk, pati një sërë shkrimesh. Pjesë e firmës mbikëqyrëse e cila nuk i ka kryer punimet sipas kontratave të parapara, ka qenë dhe një person i akuzuar për mashtrim në Armeni.

Objekti i spitalit të ri të Kërçovës u premtohet qytetarëve të Kërçovës për më shumë se tre dekada. Ministria e Shëndetësisë e cila e ka për detyrë përfundimin e këtij objekti që për më shumë se 30 viteve nuk ka arritur ta përfundojë të njëjtin. Në fund të vitit 2023, njoftoi se është prishur kontrata me firmën “Instalimi”, kontraktori i cili është zgjedhur për të ndërtuar objektin e ri të Spitalit të Kërçovës në vlerë prej 9.3 milionë euro. Për këtë, do të aktivizohej garancia bankare për firmën dhe do të kërkohet një firmë tjetër për t’i përfunduar punimet.

“Vetëm katër ditë para Vitit të Ri, ministri Mexhiti në brifing me gazetarët, dha deklaratë kontradiktore. Edhe pse në përgjigjen zyrtare të dy marrëveshjeve i janë paguar rreth 3 milionë euro, Mexhiti para gazetarëve tha se Instalimit në dhjetë vitet e kaluara nuk i është paguar asgjë dhe shteti ka borxh ndaj saj”, shkruan IRL

Citimi i IRL-së i referohet tekstit të Portalbit, ku gazetarja jonë e ka pyetur Mexhitin nëse do ta padisin firmën “Instalimi” pas prishjes së kontratës. Mexhiti deklaroi se për shkak të lëshimeve nga vetë Ministria e Shëndetësisë nuk mund ta padisin, por edhe se duhet të vlerësojnë nëse ministria ka borxhe ndaj firmës.

“Ka lëshime edhe nga ministria, kur kemi folur me prokurorinë e shtetit, vërejtëm se ndërtuesi nuk ishte paguar gati 10 vite, kemi pasur disa lëshime. Atje tani duhet të vlerësojmë se si është situata, a kemi borxhe ne si ministri dhe kjo merr kohë”, tha asokohe ministri Mexhiti.

Mirëpo, nga IRL theksojnë se Ministria e Shëndetësisë, megjithatë do ta padisë firmën që nuk e ka përfunduar objektin e ri të spitalit të Kërçovës.

Sipas IRL-së, mbikëqyrje për kryerjen e punimeve ka kryer kompania “Evro Konsalting”, në të cilën njëri prej pronarëve, Branisllav Dimitrijeviq ishte i akuzuar për mashtrim në Armeni. E njëjta kompani kryen edhe mbikëqyrje të ndërtimit të autostradës të cilin e ndërton Behtel dhe Enka.

“Mediat në shtator të vitit 2021 informuan për Branisllav Dimitrijeviq, njëri prej pronarëve të Evro Konsalting dhe arratisjen e tij nga Armenia pas akuzës së Armenisë për veprën penale mashtrim në masë të madhe. Autoritetet e atjeshme e kanë akuzuar për punë të paligjshme gjatë kryerjes së projektit për korridorin rrugor Veri-Jug në periudhën prej vitit 2009 deri në vitin 2018. Evro Konsalting është i njohur edhe për pjesëmarrjen e tij në konsorciumin që duhet ta kryejë mbikëqyrjen e korridoreve 8 dhe 10 të Behtel dhe Enka. Në të kaluarën kjo firmë ka kryer mbikëqyrje të një pjese të madhe të objekteve në projektin kriminal Shkupi 2014”, shkruan IRL

IRL gjithashtu ka kontaktuar ministrat e Shëndetësisë që për gjatë këtyre viteve kanë qenë përgjegjës për ndërtimin e spitalit. Bujar Osmani i cili ka qenë ministër i Shëndetësisë që nga viti 2008 deri në vitin 2011 dhe që vjen nga partia politike Bashkimi Demokratik për Integrim nuk është përgjigjur në thirrjet e gazetarëve, në të njëjtën mënyrë ka vepruar edhe ish ministri Venko Filipçe. Ndërsa Arben Taravari ka thënë se ai ka qenë në funksion për një periudhë të shkurtër dhe nuk e di se çka ka ndodhur me të.

Objekti i ri i spitalit të përgjithshëm të Kërçovës, foto: Portalb.mk
Objekti i ri i spitalit të përgjithshëm të Kërçovës, foto: Portalb.mk

Maratonë dështimesh

Më 11 dhjetor të vitit 2023, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti në një konferencë deklaroi se kontrata është prishur.

Më 9 dhjetorPortalb.mk publikoi kontratat  për ndërtimin e spitalit të ri të Kërçovës njëra në vitin 2014 dhe tjetra në vitin 2021, me vlerë totale të dy projekteve 9 milionë euro.

Më 13 nëntor të vitit 2023 Portalb.mk përsëri e pyeti ministrin e Shëndetësisë në një konferencë nëse e kanë prishur kontratën, ai tha se janë duke shqyrtuar disa dilema me Qeverinë që të mos dëmtohet ministria nga prishja e njëanshme e kontratës.

Më 2 nëntor të viti 2023, në një konferencë për media i pyetur nga Portalb.mk nëse është prishur kontrata, ai tha se pritet që për një javë të ndërpritet kontrata me firmën.

Më 13 nëntor të vitit 2023, Portalb.mk përsëri e pyeti ministrin e Shëndetësisë nëse e kanë prishur kontratën ai tha se janë duke shqyrtuar disa dilema me Qeverinë që të mos dëmtohet ministria nga prishja e njëanshme e kontratës.

Në gusht të vitit 2023, ministri i tanishëm i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti paralajmëroi se kontrata me firmën ndërtuese do të ndërpritet për shkak se në terren nuk punohet.

Në nëntor të 2022, ministri i atëhershëm, Bekim Sali ka thënë se për spitalin e Kërçovës janë ndarë 60 milion denarë.

Në mars të vitit 2021Ministria e Shëndetësisë, kur ministër ishte Venko Filipçe, ka nënshkruar kontratë për mbikëqyrje profesionale të punëve të ndërtimit për rindërtim, konvertim, përshtatje, ndërtim dhe përmirësim të spitalit të përgjithshëm të Kërçovës. Mirëpo në terren nuk është punuar nuk ka pasur asnjë aktivitet

Në vitin 2019, Ministria e Shëndetësisë ka hapur shpallje publike për kompanitë e ndërtimit për realizimin e fazës së dytë të Spitalit të Përgjithshëm të Kërçovës. Në këtë shpallje ka konkurruar kompania INKOM Inxhinieri – Shkup, në projekt shpjegohen të gjitha mangësitë nga projekti i parë dhe në çka duhet të fokusohet faza e dytë e ndërtimit.

Në shtator të viti 2017, ish ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari e vizitoi spitalin dhe për mediat tha se janë ndarë financa për përfundimin e spitalit duke premtuar që deri në prill të vitit 2019 spitali do të jetë gati.

Në dhjetor të viti 2016, Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Shëndetësisë, Nasuf Ipçe në një deklaratë për TV Gurra përsëri ka premtuar se në vitin 2017 Kërçova do të ketë spital të ri.

Në dhjetor të vitit 2015, Ipçe ka vizituar spitalin dhe ka premtuar se në vitin 2017 edhe faza e parë edhe e dytë do të jetë e përfunduar.

Në vitin 2013, Qeveria e RM-së mori vendim të fillojë një operacion i madh  investues i objektit të këtij spitali. Sipas ministrit të shëndetësisë, punimet ndërtimore duhej të përfundonin në afat prej 18 muajsh (shtator 2014).

Përkundër kësaj, ky premtim nuk u realizua. Në ndërkohë, qytetarët janë të detyruar shërbimet shëndetësore t’i marrin prej spitalit të vjetër, i cili nuk i plotëson kushtet e nevojshme.

“Sa ju takon pjesë si reparti i sëmundjeve interne, reparti i gjinekologjisë, reparti i akusherisë, kanë kushte të kënaqshme, janë të vendosur në objekte pak më të reja dhe disponojnë me disa aparatura të reja dhe modern. Sa i takon pjesës së ambulancave, urgjencës, infektives dhe urologjia kanë kushte shumë larg të kënaqshmes, lirisht mund të them, kushte të këqija. Spitali ka nevojë për kushte më të mira të cilat ne shpresojmë se do t’i kemi kur të transferohemi në objektin e ri”, shkruan Portalb.

Që nga viti 1985 e deri në vitin 2013, Spitali i përgjithshëm i Kërçovës vazhdoi të mbetet në gjendje të mjerueshme.