Mexhiti: Javën e ardhshme do të ndërpresim kontratën për ndërtimin e spitalit të Kërçovës, do të ketë shpallje për tender të ri (VIDEO)

Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut pritet që javën e ardhshme të ndërpresë kontratën aktuale për ndërtimin e spitalit të Kërçovës dhe do të hapë  shpallje publike për tenderim të ri për përfundimin e këtij objekti i cili po ndërtohet që nga vitet e 90-ta, raporton Portalb.mk.

Spitali i “ri” i Kërçovës është një objekt i cili po ndërtohet që nga vitet 1985/1990 dhe që assesi të përfundohet dhe të vendoset në funksion. Finalizimi i ndërtimeve premtohet nga autoritetet pothuajse 37 vite. Objekti është shndërruar në lokacion që vizitohet nga çdo ministër i ri i shëndetësisë si një pikë turistike, mirëpo me vitet mbetet i pandërtuar.

Sot, në një konferencë për media, në pyetjen e Portalb.mk, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti tha se javën e ardhshme ministria do të ndërpresë kontratën me kompaninë që është përgjegjëse për ndërtimin e këtij objekti dhe që do të hapet shpallje publike për tenderim të ri.

“Ka qenë një komplikim 33 vjeçar, siç e kemi theksuar disa herë, para se të vij bisedova me gjithë njësinë projektuese që e kemi në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe javën e ardhshme do të ndërpresim kontratën e vjetër për ndërtimin e spitalit dhe pastaj, normal, do t’i ndjekim proceset për të shpallur edhe një herë tenderim dhe të fillojmë me punë për rindërtimin e këtij spitali. Kështu që njëherë e përgjithmonë ky spital sa më shpejtë që të jetë e mundur të fillojë të funksionojë dhe qytetarët e kësaj ane të marrin shërbimet më të mira shëndetësore.” tha ministri i shëndetësisë Fatmir Mexhiti.

 

në gusht të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë lajmëroi ndërprerjen e marrëveshjes me kompaninë përgjegjëse për ndërtimin e këtij objekti për shkak se nuk punohet në terren.

Drejtori i Spitalit të Kërçovës, Stanko Trpeski i pyetur nga Portalb.mk, se nëse ai ka informata se kur do të vendoset në funksion spitali i ri, u përgjigj shkurt se objekti bie ndër kompetencat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe se ai nuk ka informacion se kur do të përfundohen ndërtimet dhe refuzoi të përgjigjet në pyetjet tjera.

Spitali i përgjithshëm në Kërçovë, një projekt i viteve ’90 assesi të përfundojë

Spitali i Kërçovës funksionon i shpërndarë në disa objekte të ndryshme, të ndara në reparte. Ndërtimi i një objekti të ri dhe të përshtatshëm kishte filluar para dy dekadave, respektivisht që nga viti 1989/90. Këtë mision ja dha vetes edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila shumë herë kishte premtuar realizimin e këtij projekti. Për herë të fundit, si projekt kapital premtohet në Platformën promovuese, në zgjedhjet e vitit 2014 (shiko Platformën, faqe 290/3) dhe në Platformën e vitit 2020 (faqe 145). Ky premtim është i parealizuar.

mars të vitit 2021, Ministria e Shëndetësisë, kur ministër ishte Venko Filipçe, ka nënshkruar kontratë për mbikëqyrje profesionale të punëve të ndërtimit për rindërtim, konvertim, përshtatje, ndërtim dhe përmirësim të spitalit të përgjithshëm të Kërçovës. Mirëpo në terren nuk është punuar nuk ka pasur asnjë aktivitet.

Në vitin 2019, Ministria e Shëndetësisë ka hapur shpallje publike për kompanitë e ndërtimit për realizimin e fazës së dytë të Spitalit të Përgjithshëm të Kërçovës. Në këtë shpallje ka konkurruar kompania INKOM Inxhinieri – Shkup, në projekt shpjegohen të gjitha mangësitë nga projekti i parë dhe në çka duhet të fokusohet faza e dytë e ndërtimit.

Në vitin 2018, nuk ka pasur asnjë zhvillim me rëndësi për këtë spital.

Në vitin 2017, nga Ministria e Shëndetësisë thanë se objekti do të jetë gati po atë vit.

Për vitin 2016 nuk pati ndonjë hap pozitiv drejt realizimit të projektit shumëvjeçar. Përveç problemit me hapësirën, spitali vazhdonte të ketë probleme nga më të ndryshmet.

Në fund të vitit 2015, një delegacion i Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), i udhëhequr nga Sekretari shtetëror i Ministrisë së Shëndetësisë, Nasuf Ipçja, vizitoi Spitalin e Kërçovës, ku u njoh me procesin e punës së këtij spitali dhe zhvillimin e tij në planin infrastrukturor, kadrovik dhe organizativ. Nasuf Ipçja vazhdoi me premtimin se Spitali do të jetë gati në vitin 2017.

Në vitin 2014, Qeveria e RM-së mori vendim të fillojë një operacion i madh  investues i objektit të këtij spitali. Sipas ministrit të shëndetësisë, punimet ndërtimore duhej të përfundonin në afat prej 18 muajsh (shtator 2014).

Përkundër kësaj, ky premtim nuk arriti në ndonjë hap konkret. Spitali i Kërçovës edhe pas tre muajve vazhdon të përballet me vështirësi të shumta. Drejtori i këtij spitali, ripohoi se kushtet janë të vështira.

“Sa ju takon pjesë si reparti i sëmundjeve interne, reparti i gjinekologjisë, reparti i akusherisë, kanë kushte të kënaqshme, janë të vendosur në objekte pak më të reja dhe disponojnë me disa aparatura të reja dhe modern. Sa i takon pjesës së ambulancave, urgjencës, infektives dhe urologjia kanë kushte shumë larg të kënaqshmes, lirisht mund të them, kushte të këqija. Spitali ka nevojë për kushte më të mira të cilat ne shpresojmë se do t’i kemi kur të transferohemi në objektin e ri”, shkruan Portalb.

Që nga viti 1985 e deri në vitin 2013, Spitali i përgjithshëm i Kërçovës vazhdoi të mbetet në gjendje të mjerueshme.