Ka filluar procedura për prishjen e kontratës me kompaninë që dështoi në ndërtimin e spitalit të Kërçovës

Ministria e Shëndetësisë njoftoi për Portalb.mk se ka filluar procedura prishjes së kontratës me kompaninë e cila nuk ka arritur të përfundojë ndërtimin e spitalit të përgjithshëm të Kërçovës. Portalb.mk ka siguruar dhe kontratat, njëra në vitin 2014 dhe tjetra në vitin 2021, me vlerë totale të dy projekteve 9 milionë euro. 

Ministria e Shëndetësisë u përgjigj kërkesës së Portalb.mk në bazë të Ligjit për Qasje në Informata me Karakter Publik dhe i dërgoi dokumentet me kontratat për spitalin e Kërçovës.

Sipas dokumenteve, në janar të vitit 2021, kur ministër i Shëndetësisë ishte Venko Filipçe, Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar një kontratë për përfundimin e spitalit.

Në këtë kontratë afati për përfundimin e ndërtimit të spitalit të përgjithshëm të Kërçovës është viti 2024, domethënë afati i përcaktuar për përfundimin e kësaj kontrate është 36 muaj, domethënë 3 vite.

Kontrata për rindërtim, konvertim, përshtatje, ndërtim dhe përmirësim të spitalit të përgjithshëm të Kërçovës është nënshkruar mes  Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë “TDPTU Instalimi”, nga fshati Dllapkin Doll, nga Zajasi i Kërçovës, siç thuhet në kontratë e përfaqësuar nga Rukije Iseini.

Faza e dytë e ndërtimit të spitalit ka vlerën prej 351.631.336,82 denarë, gjegjësisht 5 milionë e 700 mijë euro.

Vlera e kontratës për ndërtimin e spitalit të Kërçovës të vitit 2021, foto: printscreen nga kontrata për ndërtimin e spitalit të Kërçovës
Vlera e kontratës për ndërtimin e spitalit të Kërçovës të vitit 2021. Foto: printscreen nga kontrata për ndërtimin e spitalit të Kërçovës

Mirëpo, ajo që bie në sy është fakti se kjo është nuk është kontrata e vetme që Ministria e Shëndetësisë e ka lidhur me këtë kompani për ndërtimin e spitalit të Kërçovës.

Në vitin 2014, Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar kontratë me po të njëjtën kompani për ndërtimin e spitalit të Kërçovës, me vlerë prej 207.278.800 denarëve, gjegjësisht 3 milionë e 300 mijë euro.

Vlera e kontratës për ndërtimin e spitalit të Kërçovës të vitit 2014, foto: printscreen nga kontrata për ndërtimin e spitalit të Kërçovës
Vlera e kontratës për ndërtimin e spitalit të Kërçovës të vitit 2014. Foto: printscreen nga kontrata për ndërtimin e spitalit të Kërçovës

Shuma e të dyjave kontratave pa mos llogaritur aneks kontratat që janë lidhur për shpenzimet shtesë, është 9 milionë euro apo 558.910.136 denarë.

Të pyetur përsëri se kur do të prishet kontrata në fjalë, Ministria e Shëndetësisë tha se ka filluar procedura e prishjes së kontratës.

“Sa i përket pyetjes së dytë, aktualisht është në procedurë prishja e kontratës, gjegjësisht ka filluar procedura për prishjen e kontratës”, thanë për Portalb.mk, nga Ministria e Shëndetësisë.

Në kontratë qartë shkruhet se nëse para skadimit të afatit të kontratës është e qartë se kompania nuk do të përmbushë detyrimet e saj, gjegjësisht, nuk do të përfundojnë ndërtimet në objekt, Ministria e Shëndetësisë mund të prishë kontratën dhe të kërkojë kompensim për dëmin e bërë.

Rikujtojmë se me 13 nëntor ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti tha se ministria është duke shqyrtuar disa dilema që të mos dëmtohet ministria nga prishja e njëanshme e kontratës, dhjetë ditë pasi deklaroi se kontrata do të ndërpritet.

Maratonë dështimesh

Në gusht të vitit 2023, ministri i tanishëm i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti paralajmëroi se kontrata me firmën ndërtuese do të ndërpritet për shkak se në terren nuk punohet.

Më 2 nëntor të viti 2023, në një konferencë për media i pyetur nga Portalb.mk nëse është prishur kontrata, ai tha se pritet që për një javë të ndërpritet kontrata me firmën.

Më 13 nëntor të vitit 2023, Portalb.mk përsëri e pyeti ministrin e Shëndetësisë nëse e kanë prishur kontratën ai tha se janë duke shqyrtuar disa dilema me Qeverinë që të mos dëmtohet ministria nga prishja e njëanshme e kontratës.

Në nëntor të 2022, ministri i atëhershëm, Bekim Sali ka thënë se për spitalin e Kërçovës janë ndarë 60 milion denarë.

Në mars të vitit 2021Ministria e Shëndetësisë, kur ministër ishte Venko Filipçe, ka nënshkruar kontratë për mbikëqyrje profesionale të punëve të ndërtimit për rindërtim, konvertim, përshtatje, ndërtim dhe përmirësim të spitalit të përgjithshëm të Kërçovës. Mirëpo në terren nuk është punuar nuk ka pasur asnjë aktivitet

Në vitin 2019, Ministria e Shëndetësisë ka hapur shpallje publike për kompanitë e ndërtimit për realizimin e fazës së dytë të Spitalit të Përgjithshëm të Kërçovës. Në këtë shpallje ka konkurruar kompania INKOM Inxhinieri – Shkup, në projekt shpjegohen të gjitha mangësitë nga projekti i parë dhe në çka duhet të fokusohet faza e dytë e ndërtimit.

Në shtator të viti 2017, ish ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari e vizitoi spitalin dhe për mediat tha se janë ndarë financa për përfundimin e spitalit duke premtuar që deri në prill të vitit 2019 spitali do të jetë gati.

Në dhjetor të viti 2016, Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Shëndetësisë, Nasuf Ipçe në një deklaratë për TV Gurra përsëri ka premtuar se në vitin 2017 Kërçova do të ketë spital të ri.

Në dhjetor të vitit 2015, Ipçe ka vizituar spitalin dhe ka premtuar se në vitin 2017 edhe faza e parë edhe e dytë do të jetë e përfunduar.

Në vitin 2013, Qeveria e RM-së mori vendim të fillojë një operacion i madh  investues i objektit të këtij spitali. Sipas ministrit të shëndetësisë, punimet ndërtimore duhej të përfundonin në afat prej 18 muajsh (shtator 2014).

Përkundër kësaj, ky premtim nuk u realizua. Në ndërkohë, qytetarët janë të detyruar shërbimet shëndetësore t’i marrin prej spitalit të vjetër, i cili nuk i plotëson kushtet e nevojshme.

“Sa ju takon pjesë si reparti i sëmundjeve interne, reparti i gjinekologjisë, reparti i akusherisë, kanë kushte të kënaqshme, janë të vendosur në objekte pak më të reja dhe disponojnë me disa aparatura të reja dhe modern. Sa i takon pjesës së ambulancave, urgjencës, infektives dhe urologjia kanë kushte shumë larg të kënaqshmes, lirisht mund të them, kushte të këqija. Spitali ka nevojë për kushte më të mira të cilat ne shpresojmë se do t’i kemi kur të transferohemi në objektin e ri”, shkruan Portalb.

Që nga viti 1985 e deri në vitin 2013, Spitali i përgjithshëm i Kërçovës vazhdoi të mbetet në gjendje të mjerueshme.