Ministria e Shëndetësisë frikësohet ta prish kontratën me firmën për ndërtimin e Spitalit të Kërçovës edhe pse punimet s’kanë filluar

Për shkak të padive për prishje të njëanshme të kontratës, Ministria e Shëndetësisë dhe shërbimet e Qeverisë frikësohen ta ndërpresin kontratën me firmën e cila është dashur ta ndërtojë spitalin e përgjithshëm të Kërçovës në vitin 2022, por që në terren është ndërtuar asgjë. Që të jetë absurdi më i madh, opinioni nuk ka qasje në të dhënat e kontratës e cila do të paguhet me paratë e qytetarëve, pasi që Ministria e Shëndetësisë refuzon ta japë. Pra, nuk dihet emri i firmës ndërtuese, vlera e projektit dhe afatet e përcaktuara në kontratë, shkruan Portalb.mk.

“Bisedova me gjithë njësinë projektuese që e kemi në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe javën e ardhshme do të ndërpresim kontratën e vjetër për ndërtimin e spitalit”, para 10 ditëve kështu deklaroi ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti, në lidhje me mosfillimin e punimeve për ndërtimin e Spitalit të ri të Kërçovës, i cili paralajmërohet nga autoritetet e vendit që para shpalljes së pavarësisë së RMV-së, gjegjësisht prej para 37 vitesh.

Por, një javë më vonë, ministri Mexhiti, deklaroi se shërbimet e Ministrisë dhe të Qeverisë, ende po punojnë në që të mos paditen nga firma e kontraktuar.

“Po kemi thënë se do të ndërpresim kontratën dhe unë mezi pres ta nënshkruaj atë dokument. Sot në takim me kolegët në Ministrinë e Shëndetësisë e kam kërkuar këtë, mirëpo ende duhet të zgjidhim disa dilema me Qeverinë që të mbrohemi siç duhet që të mos dëmtohet Ministria e Shëndetësisë për shkak se siç e dini edhe ju pas kësaj vijojnë procedura ligjore. Kur do të ndërpritet kontrata do të jeni të informuar”, tha ministri Mexhiti.

Paralajmërimi për ndërprerjen e kontratës, është dhënë që prej gushtit të këtij viti, pasi që asgjë nuk është punuar në terren.

Nuk dihet emri i firmës e cila është kontraktuar me para të qytetarëve, nuk dihet vlera e projektit dhe afatet e ndërtimit – opinioni deri tani ka informatë se “dikush” ka nënshkruar një kontratë për ndërtimin e Spitalit të Kërçovës, por që ndërtimi nuk ka filluar. Portalb.mk, ka kërkuar prej Ministrisë të dhëna të detajuara për kontratën, por deri tani nuk janë dorëzuar.

Maratonë dështimesh

Spitali i Kërçovës funksionon i shpërndarë në disa objekte të ndryshme, të ndara në reparte. Ndërtimi i një objekti të ri dhe të përshtatshëm kishte filluar para dy dekadave, respektivisht që nga viti 1989/90. Këtë mision ja dha vetes edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila shumë herë kishte premtuar realizimin e këtij projekti. Për herë të fundit, si projekt kapital premtohet në Platformën promovuese, në zgjedhjet e vitit 2014 (shiko Platformën, faqe 290/3) dhe në Platformën e vitit 2020 (faqe 145)Ky premtim është i parealizuar.

Në mars të vitit 2021Ministria e Shëndetësisë, kur ministër ishte Venko Filipçe, ka nënshkruar kontratë për mbikëqyrje profesionale të punëve të ndërtimit për rindërtim, konvertim, përshtatje, ndërtim dhe përmirësim të spitalit të përgjithshëm të Kërçovës. Mirëpo në terren nuk është punuar nuk ka pasur asnjë aktivitet.

Në vitin 2019, Ministria e Shëndetësisë ka hapur shpallje publike për kompanitë e ndërtimit për realizimin e fazës së dytë të Spitalit të Përgjithshëm të Kërçovës. Në këtë shpallje ka konkurruar kompania INKOM Inxhinieri – Shkup, në projekt shpjegohen të gjitha mangësitë nga projekti i parë dhe në çka duhet të fokusohet faza e dytë e ndërtimit.

Në vitin 2018, nuk ka pasur asnjë zhvillim me rëndësi për këtë spital.

Në vitin 2017, nga Ministria e Shëndetësisë thanë se objekti do të jetë gati po atë vit.

Për vitin 2016 nuk pati ndonjë hap pozitiv drejt realizimit të projektit shumëvjeçar. Përveç problemit me hapësirën, spitali vazhdonte të ketë probleme nga më të ndryshmet.

Në fund të vitit 2015, një delegacion i Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), i udhëhequr nga Sekretari shtetëror i Ministrisë së Shëndetësisë, Nasuf Ipçja, vizitoi Spitalin e Kërçovës, ku u njoh me procesin e punës së këtij spitali dhe zhvillimin e tij në planin infrastrukturor, kadrovik dhe organizativ. Nasuf Ipçja vazhdoi me premtimin se Spitali do të jetë gati në vitin 2017.

Në vitin 2014, Qeveria e RM-së mori vendim të fillojë një operacion i madh  investues i objektit të këtij spitali. Sipas ministrit të shëndetësisë, punimet ndërtimore duhej të përfundonin në afat prej 18 muajsh (shtator 2014).

Përkundër kësaj, ky premtim nuk arriti në ndonjë hap konkret. Spitali i Kërçovës edhe pas tre muajve vazhdon të përballet me vështirësi të shumta. Drejtori i këtij spitali, ripohoi se kushtet janë të vështira.

“Sa ju takon pjesë si reparti i sëmundjeve interne, reparti i gjinekologjisë, reparti i akusherisë, kanë kushte të kënaqshme, janë të vendosur në objekte pak më të reja dhe disponojnë me disa aparatura të reja dhe modern. Sa i takon pjesës së ambulancave, urgjencës, infektives dhe urologjia kanë kushte shumë larg të kënaqshmes, lirisht mund të them, kushte të këqija. Spitali ka nevojë për kushte më të mira të cilat ne shpresojmë se do t’i kemi kur të transferohemi në objektin e ri”, shkruan Portalb.

Që nga viti 1985 e deri në vitin 2013, Spitali i përgjithshëm i Kërçovës vazhdoi të mbetet në gjendje të mjerueshme.