“Spitali i ri i Kërçovës”, i hapur për qentë në vend të pacientëve që enden në spitalin e vjetër (FOTO)

Objekti i spitalit të ri të Kërçovës, i cili ka filluar të ndërtohet që nga vitet e 90-ta ende nuk është lëshuar në përdorim. Kërçovarët vazhdojnë t’i marrin shërbimet shëndetësore në hapësirat e spitalit të vjetër, pavarësisht se autoritetet lokale dhe qendrore disa herë u kanë premtuar spital me kushte moderne. Portalb.mk vizitoi objektin e spitalit, për të parë se ku kanë ngecur punimet ndërtimore, ndërkaq ajo çka vërejtëm është një objekt i braktisur, pa roje dhe derë, rrjet jofunksional elektrik dhe punë të lëna në gjysmë. Spitali, i cili do të duhej t’u shërbente pacientëve, sot është bërë vendstrehim për qentë endacakë. Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë thotë se pasi të zgjedhin disa dilema do të ndërpritet kontrata me firmën ndërtuese dhe do të hapin tender për firmë të re.

Spitali i ri i Kërçovës është një objekt që ka filluar të ndërtohet që nga vitet e 90-tad he për këtë dëshmon dhe një video nga arkivi i TV Uskana ku shihet ndërtimi i këtij objekti në gusht të vitit 1998, por edhe sot e kësaj dite nuk dihet se kur do të mbarojë. Autoritetet lokale dhe qeveritare, me vite të tëra premtojnë spital të ri për kërçovarët, por ata shprehen për Portalb se i kanë humbur shpresat se do të lëshohet ndonjëherë në përdorim ky spital.

“Ky spital që se e mbaj mend unë është kështu, as mos pritni të përfundohet”, tha një qytetar për Portalb.mk.

“Ky objekt është filluar para 30 vjetëve, që kur isha unë e re. Gjatë kohë mbeti vetëm me tulla, pastaj filluan ta lyejnë ku e di se çka i bënin dhe e lanë. Ka më shumë se 30 vite që e ndërtojnë”, tha një qytetare tjetër për Portalb.mk.

Për të parë se si qëndron situata me punët ndërtimore Portalb.mk vizitoi objektin në Kërçovë. Situata është katastrofike – objekti nuk ka roje, nuk ka dyer, ndërkaq është i vërshuar nga qentë endacakë. Shkallët dhe dyshemeja janë ende me beton, muret janë prej gips kartoni dhe me vrima, ndërsa rrjeti elektrik është filluar të vendoset dhe është lënë pa rregulluar, kabllot janë të lëna në dysheme në të gjitha dhomat e katit përdhesë. Në disa hapësira të objektit ende kishte material për punë, të cilat ishin të papërdorura. Në katet tjera nuk kishim mundësi të ngjitemi për shkak se ishte errësirë dhe dëgjoheshin të lehurat e qenve.

Për më shumë mund t’i shihni fotografitë e shkrepura:

Premtimi i parealizuar prej viteve 90-ta është riaktualizuar në vitin 2013, kur për vizitë ishte ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Nikolla Todorov, i cili premtoi se spitali do të jetë gati në vitin 2014 dhe këtu fillojnë dhe një sërë premtimesh të cilat ende nuk janë realizuar.

Maratonë dështimesh

Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar një kontratë me një firmë ndërtuese, e cila duhet ta ndërtojë objektin. Emrin e firmës ministria nuk e bën të ditur për publikun, ndërkaq nuk dihen edhe arsyet pse nuk ka përfunduar me ndërtimin.

Në gusht të vitit 2023, ministri i tanishëm i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti paralajmëroi se kontrata me firmën ndërtuese do të ndërpritet për shkak se në terren nuk punohet.

Më 2 nëntor të viti 2023, në një konferencë për media i pyetur nga Portalb.mk nëse është prishur kontrata, ai tha se pritet që për një javë të ndërpritet kontrata me firmën.

Më 13 nëntor të vitit 2023, Portalb.mk përsëri e pyeti ministrin e Shëndetësisë nëse e kanë prishur kontratën ai tha se janë duke shqyrtuar disa dilema me Qeverinë që të mos dëmtohet ministria nga prishja e njëanshme e kontratës.

Në nëntor të 2022, ministri i atëhershëm, Bekim Salli ka thënë se për spitalin e Kërçovës janë ndarë 60 milion denarë.

Në mars të vitit 2021Ministria e Shëndetësisë, kur ministër ishte Venko Filipçe, ka nënshkruar kontratë për mbikëqyrje profesionale të punëve të ndërtimit për rindërtim, konvertim, përshtatje, ndërtim dhe përmirësim të spitalit të përgjithshëm të Kërçovës. Mirëpo në terren nuk është punuar nuk ka pasur asnjë aktivitet

Në vitin 2019, Ministria e Shëndetësisë ka hapur shpallje publike për kompanitë e ndërtimit për realizimin e fazës së dytë të Spitalit të Përgjithshëm të Kërçovës. Në këtë shpallje ka konkurruar kompania INKOM Inxhinieri – Shkup, në projekt shpjegohen të gjitha mangësitë nga projekti i parë dhe në çka duhet të fokusohet faza e dytë e ndërtimit.

Në shtator të viti 2017, ish ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari e vizitoi spitalin dhe për mediat tha se janë ndarë financa për përfundimin e spitalit duke premtuar që deri në prill të vitit 2019 spitali do të jetë gati.

Në dhjetor të viti 2016, Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Shëndetësisë, Nasuf Ipçe në një deklaratë për TV Gurra përsëri ka premtuar se në vitin 2017 Kërçova do të ketë spital të ri.

Në dhjetor të vitit 2015, Ipçe ka vizituar spitalin dhe ka premtuar se në vitin 2017 edhe faza e parë edhe e dytë do të jetë e përfunduar.

Në vitin 2013, Qeveria e RM-së mori vendim të fillojë një operacion i madh  investues i objektit të këtij spitali. Sipas ministrit të shëndetësisë, punimet ndërtimore duhej të përfundonin në afat prej 18 muajsh (shtator 2014).

Përkundër kësaj, ky premtim nuk u realizua. Në ndërkohë, qytetarët janë të detyruar shërbimet shëndetësore t’i marrin prej spitalit të vjetër, i cili nuk i plotëson kushtet e nevojshme.

“Sa ju takon pjesë si reparti i sëmundjeve interne, reparti i gjinekologjisë, reparti i akusherisë, kanë kushte të kënaqshme, janë të vendosur në objekte pak më të reja dhe disponojnë me disa aparatura të reja dhe modern. Sa i takon pjesës së ambulancave, urgjencës, infektives dhe urologjia kanë kushte shumë larg të kënaqshmes, lirisht mund të them, kushte të këqija. Spitali ka nevojë për kushte më të mira të cilat ne shpresojmë se do t’i kemi kur të transferohemi në objektin e ri”, shkruan Portalb.