Ministri Mexhiti e demanton Ministrinë e Shëndetësisë për prishjen e kontratës për Spitalin e Kërçovës

Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti sot ka dhënë deklaratë kundërthënëse në lidhje me procedurën e prishjes së kontratës me kompaninë e cila nuk ka arritur ta përfundojë ndërtimin e Spitalit të Përgjithshëm të Kërçovës. Ministria e Shëndetësisë më 4 dhjetor për Portalb.mk njoftoi se ka filluar procesi i prishjes së kontratës, por sot, ministri i Shëndetësisë tha se kontrata është prishur para dy jave, konkretisht, një javë më herët se sa njoftimi i Ministrisë.

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti sot në konferencë për media, duke u përgjigjur në pyetje gazetareske tha se kontrata me kompaninë përgjegjëse për ndërtimin e spitalit të Kërçovës është prishur afërsisht dy javë më parë dhe së shpejti do të hapet tenderim i ri.

“Gjatë gjithë kohës është spekuluar se ajo kontratë nuk do të ndërpritet, ajo tashmë është ndërprerë, afërsisht 2 javë më parë. Ajo që mund të ndaj me ju është se, ose para vitit të ri ose pas vitit të ri varet nga procedurat, do të shpallet edhe tenderi për shtimin e Spitalit Klinik të Shtipit, kështu do të vazhdojmë edhe me spitalin e Kërçovës”, tha ministri Mexhiti.

Por, kjo përgjigje është në kundërshtim me përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila para një jave, gjegjësisht 4 dhjetor, na informoi që procedura e prishjes së kontratës është në procedurë.

“Sa i përket pyetjes së dytë, aktualisht është në procedurë prishja e kontratës, gjegjësisht ka filluar procedura për prishjen e kontratës”, thanë për Portalb.mk, nga Ministria e Shëndetësisë më 4 dhjetor.

Si u prish kontrata për Spitalin e Kërçovës i cili ka filluar të ndërtohet para 30 vitesh?

Portalb.mk ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë që më 26 tetor të këtij viti për procesin e ndërtimit të spitalit të ri të Kërçovës, një objekt që po ndërtohet që në vitet e 90-ta.

Në lidhje me prishjen e kontratës pasi që firma nuk ka arritur që ta ndërtojë spitalin në afatin e paraparë, nga vetë ministri disa herë kemi marrë përgjigje se kontrata do të prishet së shpejti dhe se kanë dilema se si të veprojnë me qëllim që të mos dëmtohet Ministria, me ndonjë padi eventuale.

Më 31 tetor, Portalb.mk përsëri parashtroi pyetje te Ministria e Shëndetësisë se kush është firma përgjegjëse dhe se a është ndërprerë kontrata që ministri Mexhiti e paralajmëron që në gusht të këtij viti. Pasi përsëri nuk morëm përgjigje, më 1 nëntor vendosëm të kërkojmë përgjigje në bazë të Ligjit  për Qasje në Informata me Karakter Publik.

Më 2 nëntor, në një konferencë për media i pyetur nga Portalb.mk nëse është prishur kontrata, ai tha se pritet që për një javë të ndërpritet kontrata me firmën.

Më 6 nëntor, Drejtori i spitalit të përgjithshëm të Kërçovës, Stanko Trpeski  pasi refuzoi të përgjigjej në pyetjet e Portalb.mk për spitalin e ri, nëpërmjet një lajmërimi ai ua ndaloi edhe të punësuarve të komunikojnë me mediat.

Më 8 nëntor, Portalb.mk përsëri dërgoi pyetje te ministria e Shëndetësisë edhe për veprimin e drejtorit të spitalit por edhe në qoftë se e kanë prishur kontratën mirëpo përsëri nuk morëm përgjigje.

Më 13 nëntor, Portalb.mk përsëri e pyeti ministrin e Shëndetësisë në një konferencë nëse e kanë prishur kontratën, ai tha se janë duke shqyrtuar disa dilema me Qeverinë që të mos dëmtohet ministria nga prishja e njëanshme e kontratës.

Pasi Ministria e Shëndetësisë nuk u përgjigj në kërkesën tonë në bazë të Ligjit për Qasje me Informata me Karakter Publik, Portalb.mk u ankua tek Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik. Atëherë Ministria e Shëndetësisë u detyrua që tu përgjigjej pyetjeve tona dhe t’i dërgojë kontratat të cilat i ka lidhur për ndërtimin e spitalit të Kërçovës.

Më 4 dhjetor, Ministria e Shëndetësisë së bashku me dokumentet, na njoftoi përmes adresës elektronike se ka filluar procedura për prishjen e kontratës me firmën ndërtuese.

Më 7 dhjetor, Portalb.mk përsëri e pyeti Ministrinë e Shëndetësisë nëse është prishur kontrata dhe përsëri nuk morëm përgjigje.

Më 9 dhjetor, Portalb.mk publikoi kontratat njëra në vitin 2014 dhe tjetra në vitin 2021, me vlerë totale të dy projekteve 9 milionë euro. 

Pas njoftimi të ministrit Mexhiti (sot, 11 dhjetor), Portalb.mk pyeti sërish zëdhënësen e ministrit, Berna Sherifovska për datën e saktë kur është prishur kontrata por përsëri nuk morëm përgjigje.