BDI: Pas Alta Bankës edhe insulina në duar të “Botës Serbe”

Pas akuzave politike të djeshme lidhur me Alta Bankën, BDI-ja opozitare sot ka dalë me reagim përmes të cilës thonë se edhe insulina është nën menaxim të Serbisë, transmeton Portalb.mk.

Përmes një konference për shtyp, nënkryetarja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli tha Phoenix Pharma është marrë nën kontroll nga një biznesmen serb i industrisë së kazinove dhe basteve.

“Më 3 prill 2025, Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, me vendimin nr. 08-55, miratoi blerjen e Phoenix Pharma nga kompania serbe VEGA, e lidhur me Dejan Çakajac, bashkëpronar i kompanisë së lojërave të fatit Mozzart. Por për çfarë kompanie bëhet fjalë? Vetëm gjatë vitit 2026 Vega Farmaceutikals ka fituar mbi 50 kontrata publike në Ministrinë e Shëndetësisë dhe klinikat e ndryshme, me vlerë që tejkalojnë shumat milioneshe, në euro. Vetëm për insulinat rreth 10 milion euro”, tha Bilalli Zendeli.

Ajo shtoi se institucioni që duhet të mbrojë konkurrencën ka miratuar kalimin e një furnizuesi me rol dominues në tenderët e insulinës nën kontrollin e një biznesmeni serb të lojërave të fatit.

” Insulina nuk është biznes i zakonshëm. Është ilaç jetik dhe furnizimi me të është çështje e sigurisë shëndetësore të shtetit. Kush e ka vlerësuar rrezikun për sigurinë e furnizimit me insulinë? Pse Komisioni e miratoi këtë përqendrim dhe a ka pasur ndikim politik në këtë vendim? Anëtari i VLEN-it në Komision Valon Elezi a ka pas njohuri? Kërkojmë publikimin e plotë të analizës mbi të cilën është miratuar transaksioni dhe të të gjitha kontratave të insulinës për vitet 2025–2027″,tha Bilalli Zendeli.

VLEN dhe BDI dje shkëmbyen akuza për përgjegjësinë politike lidhur me kalimin e bankës së Manastirit nën kontrollin e ALTA Bankës së Beogradit. Koalicioni qeverisës pretendon se ish-funksionarët e BDI-së dhe familjarë të Ali Ahmetit kishin vepruar në mënyrë të koordinuar për të mundësuar këtë proces, ndërsa BDI-ja akuzon pushtetin aktual se i ka miratuar vendimet përfundimtare dhe po përpiqet t’ia bartë përgjegjësinë opozitës. Për këtë rast, përplasje politike sot ka pasur edhe te partitë maqedonase LSDM dhe VMRO-DPMN.

Problemet me ALTA Bankën në Maqedoninë e Veriut pasuan zhvillimet në bankën e saj amë në Serbi, së cilës Banka Popullore e Serbisë ia revokoi licencën e punës. Më 1 nëntor, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vendosi bankën në Manastir nën administrim të përkohshëm për tre muaj dhe caktoi tre administratorë për të shqyrtuar gjendjen financiare dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm. Ndërkohë, klientët u përballën me kufizime në tërheqjen dhe transferimin e parave, ndërsa degët u mbyllën përkohësisht.