Transparency International: Pak progres në luftën kundër korrupsionit në RMV, Kodi Penal pengesë për përparimin

Maqedonia e Veriut është në vendin e 76-të nga 180 vende sipas Indeksit të publikuar sot të Perceptimit të Korrupsionit, i cili botohet çdo vit nga Transparency International. Me 42 pikë, në një shkallë ku 0 është më i korruptuari dhe 100 është më pak i korruptuari, vendi ngjitet me dy vende në krahasim me raportin e vitit 2022, transmeton Portalb.mk.

Ndryshimet në Kodin Penal përmenden si paralajmërimi kryesor i përparimit të dobët të vendit në luftën kundër korrupsionit. Por janë edhe shkak për shqetësim, por edhe “emërimet dhe shkarkimet e gjyqtarëve me motive politike”.

Me gjithë progresin e vogël, Maqedonia është ende në shoqërinë e Hungarisë, Moldavisë, Trinidadit dhe Tobagos dhe Burkina Fasos. Nga rajoni, Sllovenia, Kroacia, Greqia, Mali i Zi dhe Bullgaria renditen më mirë se Maqedonia, ndërsa Kosova, Shqipëria, Serbia dhe BeH kanë rezultate më të ulëta në luftën kundër korrupsionit.

Shqetësime për Kodin Penal

“Sapo filluan të shfaqen disa shenja të vogla progresi, sistemi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut (42) u “çrregullua” ndjeshëm nga ndryshimet jodemokratike të bëra në Kodin Penal”, thuhet në raport.

Në të thuhet se vendimi për uljen e dënimeve për shpërdorim detyre për përfitime personale dhe shkurtimin e afateve për fillimin e procedimeve ligjore për rastet e dyshuara për korrupsion është një favor i madh për personat e korruptuar.

“Rreth 200 raste do të vjetërsohen, duke përfshirë ato kundër ish-zyrtarëve të lartë. Emërimet dhe shkarkimet e gjyqtarëve të motivuara politikisht ngrenë shqetësime shtesë për aftësinë e gjyqësorit për të luftuar efektivisht korrupsionin”, thuhet në raport.

Stagnim

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2023, i publikuar sot nga Transparency International, tregon se shumica e vendeve kanë bërë pak ose aspak përparim në trajtimin e korrupsionit në sektorin publik.

Danimarka (90) kryeson indeksin për të gjashtin vit radhazi, pasuar nga Finlanda dhe Zelanda e Re. Në fund të listës janë Somalia, Venezuela, Siria, Sudani i Jugut dhe Jemeni.

Raporti përfundon se ka pasur një rënie globale në drejtësi dhe sundim të ligjit që nga viti 2016. Rritja e autoritarizmit në disa vende kontribuon në këtë prirje, madje edhe në një kontekst demokratik, mekanizmat që mbajnë nën kontroll qeveritë janë dobësuar. Qeveritë në të gjithë spektrin politik kanë minuar sistemet e drejtësisë, kanë kufizuar liritë civile dhe janë mbështetur në strategji jodemokratike për t’u marrë me sfidat e fundit, përfshirë pandeminë.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) i këtij viti tregon se vetëm 28 nga 180 vendet e matura me këtë indeks kanë përmirësuar nivelin e tyre të korrupsionit gjatë dymbëdhjetë viteve të fundit dhe 34 vende janë përkeqësuar ndjeshëm. Pavarësisht progresit të bërë në mbarë planetin në kriminalizimin e korrupsionit dhe ngritjen e institucioneve të specializuara për ta trajtuar atë, niveli i korrupsionit ka ngecur në nivel global.

Kujtojmë se në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, si dhe në raportet e mëparshme, janë shprehur mendime pozitive për punën e komisionit, ndonëse në vitet e fundit, rastet e hapura nga KSHPK-ja shpeshherë janë bërë objekt i “përplasjeve” me gjyqësorin dhe institucionet shtetërore. Komisioni ka reaguar ndaj presioneve në punë dhe prokuroria në një moment ka ngrirë bashkëpunimin me institucionin.

Kujtojmë se korrupsioni në Maqedoni është kritikuar edhe në raportin e Komisioni Evropian të 8 nëntorit 2023. Situata me luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut është vlerësuar pa asnjë përparim. Korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në shumë fusha. Lidhur me ndryshimet e Kodit Penal thuhet se pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla. “Kjo është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet tekstualisht në raport.