Harrohet transparenca për kontratat në vepër nga Komuna e Tetovës për gjashtë mujorin e dytë të 2023

Komuna e Tetovës pavarësisht premtimit, nuk ka ndarë me opinionin publik informacion në kanalet e komunikimit të tyre për lidhjen e kontratave në vepër për tremujorin e tretë (korrik – shtator) dhe tremujorin e katërt (tetor – dhjetor) të vitit 2023. Portalb.mk kërkoi nga Komuna e Tetovës se pse nuk janë publikuar të njëjtat dhe shifrat por nga atje na dhanë përgjigje e cila hap pyetje tjera, të cilave komuna nuk ju përgjigjet.

“Transparenca dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve mbetet një nga shtyllat kryesore të Komunës së Tetovës. Sa i përket kontratave në vepër për tremujorin e tretë dhe të katërt, numri i kontratave në vepër mbetet i njëjte me ato paraprak. Pra numri i kontratave në vepër është i njëjti si nga janari i vitit 2023 e deri në dhjetor të vitit 2023”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Në këtë përgjigje edhe pse të pyetur, komuna nuk na dha asnjë shifër dhe detaje tjera konkrete.

Megjithatë, Portalb.mk përsëri kërkoi shifra konkrete dhe përgjigje më precize për tremujorin e tretë (korrik – shtator) dhe tremujorin e katërt (tetor – dhjetor) të vitit 2023 dhe për komplet vitin 2023, si dhe emrat e personave dhe funksionet për të cilat janë angazhuar, por nga atje nuk u përgjigjën në këtë pyetje.

Në qoftë se transparenca dhe llogaridhënia mbeten shtylla kryesore, atëherë Komuna duhet të përgjigjet në pyetjet tona dhe të publikojë informacion të qartë, siç kanë bërë për çdo tremujor të vitit 2022 me lista (emër, mbiemër, funksion, paga) dhe tre mujorin e parë dhe të dytë të vitit 2023, në ueb-faqen e komunës dhe faqen zyrtare në Facebook.

Komuna nuk tregon as sa persona janë të angazhuar përmes agjencisë private.

tremujorin e dytë 2023 nuk pati asnjë kontratë të lidhur në vepër, ndërsa tremujorin e parë 2023 kishte vetëm tre kontrata.

Vitin 2022, Komuna e Tetovës katër herë ka publikuar listën e personave të angazhuar me kontrata në vepër. Në tremujorin e parë (janar-mars) ishin 78, në tremujorin e dytë (prill-qershor) ishin 14, në tremujorin e tretë (korrik-shtator) ishin 43, dhe në tremujorin e katërt (tetor-dhjetori) ishin 7. Sipas këtyre shifrave i bie se nga janari deri në dhjetor 2022 gjithsej ishin 142 kontrata në vepër.

Kryetari aktual i Komunës, Bilall Kasami, para se të vijë në krye të komunës premtoi llogaridhënie permanente dhe komunë transparente, e cila gjendet edhe në programin zgjedhor për Tetovën 2021-2025. Ku në mes tjerash theksohet: Llogaridhënia permanente për shpenzimin e mjeteve publike, veprimet e administratës të jenë të verifikueshme online për qytetarët dhe të tjera.