Komuna e Tetovës: Asnjë kontratë e re në vepër nuk është lidhur në tremujorin e dytë
Nuk është lidhur asnjë kontratë e re në vepër në tremujorin e dytë të vitit 2023 (prill-qershor) në Komunën e Tetovës. Kështu u përgjigj Komuna e Tetovës në pyetjet e Portalb.mk se pse deri tani nuk janë publikuar kontratat për tremujorin e dytë – premtim ky i udhëheqësisë komunale. Këtë informatë më pas e publikuan edhe në kanalet e informimit të tyre: Facebook dhe ueb-faqjen e Komunës.
“Është e rëndësishme të theksohet se në tremujorin e dytë të vitit 2023 nuk është lidhur asnjë kontratë e re. Kjo mbështet faktin se komuna vepron me kujdes dhe përgjegjësi me burimet financiare të qytetarëve dhe se zbaton një mekanizëm të rreptë kontrolli, ku nuk ka vend për parregullsi dhe pandershmëri”, thanë nga Komuna e Tetovës
Komunës iu deshën 11 ditë që të ndajë me opinionin këtë informatë se nuk është lidhur asnjë kontratë në tremujorin e dytë të vitit 2023 (prill-qershor).
Kujtojmë që edhe për tremujorin e parë të vitit 2023 (janar-mars), Komunës së Tetovës iu deshën 12 ditë për të publikuar listën e personave të angazhuar me kontratë në vepër, e cila përmbante vetëm tre emra.
Ndërkaq, kontratat në vepër ishin temë diskutimi e ngritur nga këshilltarët komunal të BDI-së edhe në seancën e pyetjeve të këshilltarëve komunal e cila u mbajt javën e kaluar.
Nuredin Deari, nga Komuna e Tetovës sqaroi se numri i personave të angazhuar me kontratë në vepër në komunë është 14, të cilët janë ekspertë dhe konsultonte të fushave të ndryshme si urbanizmi, drejtësia dhe të tjera.
Megjithatë, këshilltari komunal i BDI-së, Liridon Disha tha se dyshojnë që numri i të punësuarve me kontratë në vepër është më i lartë, nga ku kërkoi që të bëhen publik emrat e të punësuarve.
Autoritetet komunale sqaruan edhe për numrin e të angazhuarve me kontrata në vepër në ndërmarrjet publike të komunës, konkretisht se NPK “Tetova” ka 198 punëtorë të angazhuar me kontratë në vepër, NP “Parkingu i Qytetit” ka 16 të angazhuar me kontratë në vepër dhe NP “Tetova Transport” ka 3 të angazhuar me kontratë në vepër.
Komuna e Tetovës ka të punësuar me kontratë edhe përmes agjencisë private të punësimit “Xhob 2011”, nga Komuna sqaruan se numri i të punësuarve përmes kësaj agjencie është 115. Pavarësisht insistimeve të shumta si dhe premtimeve për transparencë, nga Komuna nuk i tregojnë emrat e të punësuarve përmes “Xhob 2011”, edhe pse ata paguhen me para të qytetarëve.
Vitin e kaluar (2022) Komuna e Tetovës katër herë ka publikuar lisën e personave të angazhuar me kontrata në vepër. Në tremujorin e parë (janar-mars) të vitit ishin 78, në tremujorin e dytë (prill-qershor) ishin 14, në tremujorin e tretë (korrik-shtator) ishin 43, dhe në tremujorin e katërt (tetor-dhjetori) ishin 7. Sipas këtyre shifrave i bie se nga janari deri në dhjetor 2022 gjithsej janë bërë 142 kontrata në vepër, disa prej të cilave kanë mbaruar.
Ndryshe, kryetari aktual i Komunës, Bilall Kasami, para se të vijë në krye të komunës premtoi llogaridhënie permanente dhe komunë transparente, e cila gjendet edhe në programin zgjedhor për Tetovën 2021-2025. Ku në mes tjerash theksohet: Llogaridhënia permanente për shpenzimin e mjeteve publike, veprimet e administratës të jenë të verifikueshme online për qytetarët dhe të tjera.
- LEXO: Tri kontrata në vepër nga Komuna e Tetovës për tremujorin e parë të 2023
- LEXO: Pas lajmit të Portalbit, Komuna e Tetovës e publikoi listën e të punësuarve me kontratë në vepër për tetor-dhjetor 2022
- LEXO: Nuk janë publikuar ende kontratat në vepër nga Komuna e Tetovës për tre mujorin e katërt të vitit 2022
- LEXO: Në Komunën e Tetovës me kontratë në vepër janë angazhuar 43 persona të rinj (Lista)
- LEXO: Nuk janë publikuar ende kontratat në vepër nga Komuna e Tetovës për tre-mujorin e tretë të vitit
- LEXO: Komuna e Tetovës i mban “sekret” kontratat e punës të realizuara përmes agjencisë private
- LEXO: Komuna e Tetovës e publikoi listën e kontratave në vepër, por nuk i tregon kontratat përmes agjencisë private
- LEXO: Punësimet e përkohshme përmes agjencive prezente në komunat në Pollog, Tetova me shumën më të lartë
- LEXO: Dy ditë pas lajmit të Portalbit, Komuna e Tetovës i publikoi kontratat në vepër (Dokument)
- LEXO: U premtuan, por ende nuk janë publikuar kontratat në vepër nga Komuna e Tetovës për tremujorin e parë të 2022
- LEXO: Komuna e Tetovës publikoi listën e kontratave me 10 denarë ndërsa 47 kontratat e reja do i publikojnë në mars
- LEXO: Kjo është lista e kontratave në vepër në Komunën e Tetovës për vitin 2021 (Dokument)