Dy ditë pas lajmit të Portalbit, Komuna e Tetovës i publikoi kontratat në vepër (Dokument)

Vetëm dy ditë pas lajmit nga Portalb.mk për mospublikimin e kontratave në vepër të Komunës së Tetovës për tre muajt e parë të vitit 2022, e cila sipas premtimeve të komunës u desh të bëhej në fund të marsit, komuna sot i publikoi të njëjtat, bëhet fjalë për 78 kontrata në vepër, ku 30 prej tyre janë vazhdime të atyre paraprake nga administrate e kaluar, shkruan Portalb.mk.

Në mesin e emrave vërehen figura të cilat janë të afërta me partinë Lëvizja Besa. Kontratat janë dy-mujore, tre-mujore dhe një kontratë një-vjeçare. Nga komuna njoftojnë se në listën e kontratave janë edhe kontratat të nënshkruara edhe nga Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” dhe ndërmarrja “Parkingu i Qytetit”.

“Në tre muajt e parë të këtij viti Komuna e Tetovës ka lidhur gjithsej 78 kontrata. 30 prej tyre janë kontrata të vazhduara nga administrata paraprake. Nga kontratat tjera një numër i konsiderueshëm janë të angazhuar në Inspektoratin Komunal si mbajtës të rendit sepse në këtë sferë ka pasur mungesë të theksuar. Po ashtu disa kontrata të lidhura më 1 janar të këtij viti janë kryesisht administrator të angazhuar në komisionin për legalizim dhe urbanizëm për shkak të vëllimit të madh të punës që ka ky sektor si pasojë e numrit të madh të lëndëve që duhet të zgjidhen dhe me këtë qytetarëve t’ju legalizohen objektet në kohë dhe sipas Ligjit për Legalizim. Një pjesë tjetër janë të angazhuar sipas nevojës në sektor të ndryshëm, siç janë kabineti i kryetarit të komunës, duke nisur nga pjesa organizative, zyra për komunikim me publikun etj”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Nga atje shtuan se të gjithë të angazhuarit me kontratë në vepër, në fund të muajit kanë dorëzuar raport për punën e kryer.

Listën e plotë e gjeni më poshtë ose duke klikuar KËTU.

Përndryshe, Komuna e Tetovës ende nuk është përgjigjur në pyetjet e redaksisë së Portalb.mk të dërguara me 1 Prill, në lidhje me kontratat në vepër nga administrate e kaluar, të cilat i publikuan kohë më parë, konkretisht:

  1. Sa është shuma totale që u është dhënë të punësuarve në kontrata në vepër në vitin 2021?
  2. A e keni gati listën e atyre që kanë dorëzuar raport pune? Na e dërgoni nëse e keni, nëse jo kur do jetë gati?

Komuna e Tetovës me 8 shkurt e publikoi listën e personave të punësuar në komunë përmes kontratës në vepër shifra e të cilave ishte 812, por komuna për këtë nuk e bëri ndarjen se sa prej këtyre personave kanë qenë në punë dhe kanë dorëzuar raport dhe sa kanë marrë para nga taksat e qytetarëve tetovar duke mos punuar. Së fundmi, kryetari i Komunës në emisionin Click Plus (14 shkurt) njoftoi se bëhet fjalë për 544 persona të angazhuar, prej të cilëve 250 kanë dorëzuar raport ndërsa 294 nuk kanë  dorëzuar raport, në total këto kontrata buxhetit të Komunës i kanë kushtuar 1.1 milionë euro.

Ndryshe, Kasami para se të vijë në krye të komunës premtoi llogaridhënie permanente dhe komunë transparente, e cila gjëndër edhe në programin zgjedhor për Tetovën 2021-2025. Ku në mes tjerash theksohet: Llogaridhënia permanente për shpenzimin e mjeteve publike, veprimet e administratës të jenë të verifikueshme online për qytetarët dhe të tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button