Ç’është bërë ky shtet?

Të dy konsekuentët e shtetit: – politika dhe populli kanë punë të vështirë, për të ndërtuar të ardhmen e këtij vendi. Kultura e vetme e integrimit është të arrihet nesër ajo që në të kaluarën ishte e pamundur. Por, njerëzit të kohës sonë nuk duan të jenë të dobishëm, por të rëndësishëm. Politikanët nuk duan të lënë gjurmë, por të jenë të pëlqyeshëm. Udhëheqësit e shtetit duhet të bëjnë vepra të dobishme, ndërsa njerëzit vepra të bukura.

Shkrim nga Delvina Kërluku

Maqedonia (e Veriut) ka shumë probleme, thuhet edhe nga një konsensus i gjerë. Problemi në veçanti është politik’ bërja dhe problemet në përgjithësi janë ‘të metat’ e popullit, që nuk vetëdijesohet e në momentin e duhur të veprojë. Pjesa qeverisëse e politikanëve zgjidhjen e ngërçit të problemit të shtetit e shohin në integrimin, në Bashkimin Evropian. Por, dilema është te populli, si të përfshihet në procesin e vendosjes, për të zgjedh përfaqësues të mirëfilltë, që do të bëjnë më shumë për qytetarët, për mirëqenien, dhe të mendojnë për shtetin. Të dy konsekuentët e shtetit: – politika dhe populli kanë punë të vështirë, për të ndërtuar të ardhmen e këtij vendi. Kultura e vetme e integrimit është të arrihet nesër ajo që në të kaluarën ishte e pamundur. Por, njerëzit të kohës sonë nuk duan të jenë të dobishëm, por të rëndësishëm. Politikanët nuk duan të lënë gjurmë, por të jenë të pëlqyeshëm. Udhëheqësit e shtetit duhet të bëjnë vepra të dobishme, ndërsa njerëzit vepra të bukura. Pyetja e zëshme që qarkullon në shtet është: – Çfarë ndodh në vendin tonë, ku jetojmë? Ne jetojmë pa e ndjerë tokën nën këmbë ose siç thotë populli: – ne jemi as në tokë e as në qiell! Ky shtet vallë do të merr frymën dhe standardin Evropian?! Ky popull a do të ndërgjegjësohet se ka rol kyç në të ardhmen e vendit?! Përderisa ky popull, i këtij shteti, fle me probleme dhe pajtohet me gjendjen e koklavitur, në të gjithë sferat e jetës, do të vazhdojë të ngec. Atëherë, qëllimi le t’i mbetet liderit, ta marrë popullin e tij prej aty ku ndodhet dhe ta çojë atje ku nuk ka qenë.., në Evropë. Sepse, nuk ka kontinente të tjera të mundshme, për popullin tonë, për shtetin, përveç Evropës. Ne, nuk duhet të mendojmë që fatin tonë, të popullit tonë, e ka në dorë politika. Fatin populli e ka në duart e tij. Kuptohet që, ka shumë raste të kufizimit të lirisë, veprimtarisë, ashtu siç na ndodh ne shkrimtarëve, por edhe gazetarëve… Ne duhet të zgjohemi, të jemi ngjeshur fort me dije, të disiplinohemi, të tregojmë kulturë qytetare, të veprojmë e jo zgjedhjet e problemeve t’i gjejmë në tryezat e zyrave. Të gjithë kritikojnë, në katër mure, por bisedat s’mund të dëgjohen dhjetë hapa larg. Dhe aty ku thuhet, me zë të mekur flitet. Dhe aty ku thuhet me gjysmë fjalie, duhet të përmendet politika (politikani). Ç’është politika, tek ne? Politika, rreth i tyre një turmë udhëheqësish kokëlarë e kokëlartë që i shërbejnë rreth e rrotull masë gjysmënjerëzore? Në mesin tonë dëgjohet se, disa fishkëllejnë, disa mjaullijnë, disa rënkojnë. Rënkues, sepse politika a politikani është ai i vetmi që ndëshkon, ndëshkues, e vlerësues! Ky popull harron të besoj në fuqinë e bashkimit. Bashkimi dhe veprimi rrëzon tirani dhe ndërton shtet.

Popull, mos harro se mendimi ndan, ndjenja bashkon. Pra, bashkoni mendimet dhe puquni me një ideologji, që të ec përpara shteti.