Pas lajmit të Portalbit, Komuna e Tetovës e publikoi listën e të punësuarve me kontratë në vepër për tetor-dhjetor 2022

Vetëm pak orë pas lajmit të Portalb.mk për mospublikimin e kontratave në vepër të Komunës së Tetovës në nënshkruara në tre mujorin e katërt të vitit 2022 (tetor-dhjetor), komuna në ueb-faqen e saj e bëri publike listën. Bëhet fjalë për 7 kontrata në vepër, por, për dallim prej herëve të kaluara, në këtë listë nuk tregojnë sa paguhen të njëjtit, shkruan Portalb.mk.

“Komuna e Tetovës në tremujorin e katërt dhe të fundit të vitit 2022 ka lidhur gjithsej 7 kontrata, ku dy janë për avokatët e angazhuar në procedurat ligjore që Komuna ka nisur ndaj udhëheqësisë së kaluar. Vlen të theksohet, disa nga kontratat në vepër që po i shpallim në çdo tre muaj vitin e kaluar, janë përfunduar gjatë vitit të kaluar. Të gjithë punonjësit me kontratë në vepër, në fund të çdo muaji, paraqesin raporte të rregullta për punën e kryer”, thuhet në njoftimin e Komunës së Tetovës.

Kjo është lista e të angazhuarve me kontratë në vepër.

Lista e kontratave në vepër për tremujorin e katërt 2022

Kujtojmë që Komuna e Tetovës, katër herë për vitin 2022 ka publikuar lisën e personave të angazhuar me kontrata në vepër, në tremujorin e parë të vitit ishin 78, në tremujorin e dytë ishin 14, në tremujorin e tretë ishin 43, dhe në tremujorin e katërt 7. Sipas këtyre shifrave i bie se nga janari deri në dhjetor gjithsej janë bërë 142 kontrata në vepër, disa prej të cilave kanë mbaruar.

Sipas prokurimeve publike, Komuna e Tetovës në mars të vitit 2022 ka lidhur marrëveshje me agjencinë për punësim “Xhob 2011” nga Shkupi në vlerë prej 18.290.00 milionë denarësh (rreth 297 mijë euro), për punësime të përkohshme.

Edhe pse paguhen me paratë e qytetarëve, kontratat e punës të realizuara nga Komuna e Tetovës përmes agjencisë private për punësim “Xhob 2011” mbeten sekrete për publikun, komuna nuk i tregon emrat se kush është punësuar përmes kësaj marrëveshjeje. Topin e hedhin te agjencia private, ndërsa kjo e fundit nuk përgjigjet në pyetjet gazetareske.

Ndryshe, kryetari aktual i Komunës, Bilall Kasami, para se të vijë në krye të komunës premtoi llogaridhënie permanente dhe komunë transparente, e cila gjëndër edhe në programin zgjedhor për Tetovën 2021-2025. Ku në mes tjerash theksohet: Llogaridhënia permanente për shpenzimin e mjeteve publike, veprimet e administratës të jenë të verifikueshme online për qytetarët dhe të tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button