Pikat për lëshimin e dokumentave personale të gatshme në objektin e RTVM-së do të punojnë edhe të shtunën

Në Maqedoninë e Veriut, sportelet për lëshimin e dokumenteve personale të gatshme në objektin e RTVM-së do të punojnë edhe të shtunën (6 janar), shkruan Portalb.mk.

“Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët se të shtunën (06.01.2024) në objektin e RTVM-së do të jenë të hapura sportelet për lëshimin e dokumenteve të gatshme (nga ora 08:00 deri në 16:00).”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Ndryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të ndryshojnë dokumentet personale deri më 13 shkurt të vitit 2024. Pas kësaj date, dokumentet aktuale – pra ato me emërtimin Republika e Maqedonisë – nuk do të jenë të vlefshme, pavarësisht nëse ende kanë afat.

Marrëveshja e Prespës me Greqinë është nënshkruar më 17 qershor 2018. Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën me dokumente për përdorim ndërkombëtar dhe dokumente për përdorim të brendshëm, por që mund të përdoren jashtë vendit. Marrëveshja thekson se vlefshmëria e këtyre dokumenteve dhe materialeve do të rinovohet në përputhje me emrin dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Kjo dispozitë i referohet dokumenteve për përdorim të brendshëm, por që mund të përdoren edhe jashtë vendit dhe dokumente të tilla janë letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi.

Përndryshe, në mars të këtij viti, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.