FSHIIK me maratonë deri te Qeveria e RMV-së me rastin e përvjetorit: studentët kërkojnë zgjidhje për mungesën e hapësirave

Çdo vit gjithnjë e më shumë studentë, por edhe gjithnjë e më pak hapësira – në fakultetin më të madh në vend po ngushtohen hapësirat për zhvillimin normal të mësimit. Fakulteti i Shkencave Informatike dhe i Inxhinierisë Komjuterike (FSHIIK) nuk heq dorë nga kërkesat e tij – që të gjindet një zgjidhje për problemin me mungesën e hapësirave dhe për zhvillimin e procesit mësimor për rreth 5.000 studentë, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Pas protestës së parë që e mbajtën më 21 mars, studentët dhe profesorët e FSHIIK sot protestuan sërish, por këtë herë deri te Qeveria arritën me vrap. Me rastin e 13 vjetorit të ekzistimit të fakultetit ata organizuan një maratonë nga Parku i Qytetit deri te godina e pushtetit ekzekutiv.

Në maratonë morën pjesë me qindra studentë, ndërsa paataj nga para godinës së Qeverisë përcollën mesazhin se do të vazhdojnë të luftojnë për atë që paraqet një problem të madh për ata – mungesa e hapësirave të nevojshme për zhvillimin e procesit mësimor.

Dekani i FSHIIK-ut, Boro Jakimovski, i përsëriti kërkesat,  zhvendosjen e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit (BZhA) nga Kampusi Teknik-Teknologjik dhe dorëzimin e këtyre objekteve fakultetit, por vetëm si zgjidhje afatshkurtër.

“Në pritje të përgjigjes pozitive nga Qeveria për zhvendosjen e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit nga Kampusi Teknik-Teknologjik për zgjidhjen e përkohshme të problemeve tona hapësinore, ne duam ta ngrejmë vetëdijen për problemin tonë. Natyrisht, erdhëm këtu që të kërkojmë edhe nga Qeveria e ardhshme që sa më shpejt të jetë e mundur të angazhohet për zgjidhjen e përhershme të problemit”, tha Jakimovski.

Ai tha se gjatë ditëve të kaluara, pas protestës së parë, kanë qenë në komunikim me përfaqësues të Qeverisë, por se për momentin ende nuk ka zgjidhje. Nga Shërbimi për punët e përgjithshme dhe të përbashkëta kanë marrë përgjigje se shteti nuk ka hapësira ​​të lira që të mund t’i strehojë mijëra studentët e FSHIIK-ut.

“Për këtë arsye kërkojmë që të lirohen sa më shumë hapësira në Kampusin Teknik-Teknologjik dhe leje për renovimin e tyre që nga 1 tetori të fillojmë me mësim në ato hapësira”, tha Jakimovski, duke shtuar se pret që në seancën e nesërme të Qeverisë të mirret vendim pozitiv për kërkesat e tyre.

Nëse nuk marrin dritë jeshile dekani i FSHIIK njoftoi se do të vazhdojnë me protestat, sepse ky institucion nuk sheh zgjidhje tjetër të këtij problemi shumëvjeçar.

Portalb.mk. dhe Meta.mk ka shkruar edhe më parë për problemin me mungesën e hapësirave në FSHIIK. Ndërtesa e paralajmëruar prej kohësh në të cilën duhej të kalonte fakulteti dhe që filloi të ndërtohej në Kampusin Social të UKM-së, mbeti e papërfunduar. Shpresat se ndërtimi do të rifillonte u rritën vitin e kaluar, por u shuan përsëri kur kjo nuk ndodhi.

Në buxhetin për vitin 2024 nuk janë paraparë mjete për vazhdimin e ndërtimit të objektit të FSHIIK-ut dhe fqinjit të tij– Fakultetit të Edukimit Fizik, Sportit dhe Shëndetësisë (FEFSSH).