FShIIK kërkon nga Qeveria që të lirojë barakat në kampusin teknik, në të kundërt do të shpall protesta dhe grevë

Fakulteti i Shkencave të Informacionit dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FShIIK) kërkon nga Qeveria zgjidhjen e problemit hapësinor me të cilin ballafaqohet institucioni. Me më shumë se 5000 studentë, FShIIK është institucioni më i madh i arsimit të lartë në vend, por një sfidë e vërtetë për administratën e fakultetit është se institucioni nuk ka hapësirë ​​të mjaftueshme për të akomoduar të gjithë studentët e regjistruar, transmeton Portalb.mk.

Përkundër faktit se informatika është një nga shkencat më me prosperitet sot, dymbëdhjetë vjet pasi ka filluar punën, fakulteti ende nuk ka objektin e tij, kështu që hapësirat e fakulteteve të tjera përdoren për ligjërata, gjë që krijon problem edhe për studentët edhe për profesorët e tyre.

Administrata e fakultetit ka mbajtur dje një seancë, ku është diskutuar, siç kanë bërë të ditur, qëndrimi i Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) ndaj kërkesës për zgjidhje të përkohshme të problemit hapësinor.

Në seancë u vendos që FShIIK të kërkojë nga Qeveria në seancën e radhës që të marrë vendim për dhënien në shfrytëzim të përkohshëm ose të përhershëm, pa kompensim, të objektit që ndodhet në kuadër të Kampusit Teknik-Teknologjik të UKM-së, në përputhje me kërkesën që institucioni kishte dërguar tashmë në Qeveri në maj të vitit të kaluar.

Gjithashtu, fakulteti kërkon nga Qeveria që brenda tre muajve të obligojë Ministrinë e Arsimit që të sigurojë hapësirë ​​dhe të zhvendosë Byronë për Zhvillimin e Arsimit (BZhA), punonjësit e së cilës janë të vendosur në tre nga barakat e Kampusit Teknik. Dy prej këtyre barakave, thotë FShIIK, janë në pronësi të UKM-së, dhe një është në pronësi të shtetit.

“Byroja nuk ka bazë ligjore për uzurpim të mëtutjeshëm të këtyre objekteve dhe për këtë arsye Fakulteti ka apeluar në Qeveri që t’i lirojë ato. Gjithashtu, Fakulteti kërkon që objekti i cili është në pronësi të shtetit t’i jepet në shfrytëzim të përkohshëm ose të përhershëm pa kompensim”, thuhet në kërkesën e FShIIK-ut.

Nëse Qeveria nuk merr një vendim pozitiv për këto kërkesa, fakulteti shpall “masa më radikale” – protesta dhe grevë.

“Nëse Qeveria nuk merr një vendim pozitiv në seancën e ardhshme pas kërkesës së Fakultetit, pra shtyrjen e sërishme të pikës që ka rëndësi thelbësore për zbatimin normal të mësimit të Fakultetit, do të detyrohemi të marrim masa më radikale.  Fakulteti rezervon të drejtën që deri në plotësimin e këtyre kërkesave të shprehin publikisht pakënaqësinë e tyre duke mbajtur protesta dhe greva”, thanë nga FShIIK.

Në kërkesën drejtuar Qeverisë, FShIIK thotë se që nga themelimi i tij ballafaqohen me probleme hapësinore, të cilat pengojnë zhvillimin e mëtutjeshëm të fakultetit.

Portalb.mk dhe Meta.mk tashmë kanë shkruar për problemin hapësinor të FShIIK-ut. Ndërtesa e paralajmëruar prej kohësh që duhet të marrë fakulteti dhe që filloi të ndërtohej në Kampusin Social të UKM-së, mbeti e papërfunduar. Shpresat se ndërtimi do të rifillonte u rritën vitin e kaluar, por u shuan përsëri kur kjo nuk ndodhi.

Buxheti për vitin 2024 nuk parashikon mjete për vazhdimin e ndërtimit të objektit të FShIIK-ut dhe fqinjit të tij – Fakultetit të Kulturës Fizike, Sportit dhe Shëndetësisë (FKFSSh).

FShIIK thotë se kërkesa e tyre është ngritur si pikë në dy seanca radhazi të Qeverisë në dy muajt e fundit, por nuk është marrë asnjë vendim.

“Qeveria e ngarkoi MASh-in që brenda 30 ditëve të gjejë zgjidhje për dislokimin e BZhA-së, ndërsa Ministria e Arsimit dhe Shkencës në takimin me përfaqësuesit e UKM-së informoi se “nuk po vepron në mënyrë aktive në detyrë”, thonë nga FShIIK.