Kryeministri izraelit Netanyahu mori përgjegjësinë për sulmin që vrau shtatë punonjës ndërkombëtarë të ndihmave në Gazë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mori sot përgjegjësinë për sulmin që shkaktoi vrasjen e shtatë punonjësve ndërkombëtarë të ndihmave, duke e quajtur atë “një incident tragjik të paqëllimshëm”, raporton VOA. Organizata bamirëse ‘World Central Kitchen’ njoftoi sot se punonjësit e saj humanitarë u sulmuan derisa po shpërndanin ndihma ushqimore që kjo organizatë kishte dërguar në Gazë, ku qindra mijëra palestinezë po përballen me urinë shkaktuar nga ofensiva e Izraelit kundër grupit militant Hamas.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të martën se zyrtarët izraelitë po hetojnë rrethanat e sulmit të mbrëmshëm ndaj një autokolone me punonjës humanitarë që po shpërndanin ndihma ushqimore në Gazë.

“Fatkeqësisht, gjatë ditës së djeshme, ndodhi një incident tragjik për shkak të një sulmi të paqëllimshëm të forcave tona ndaj njerëzve të pafajshëm në Rripin e Gazës. Këto janë gjëra që ndodhin në luftë. Po bëjmë hetime të plota. Do të bëjmë çmos që incidente të tilla të mos përsëriten,” deklaroi ai.

Në mesin e punonjësve të ndihmave të vrarë nga sulmi i dyshuar izraelit janë tre shtetas britanikë, një australian, një polak, dhe një punonjës me dy shtetësi amerikane dhe kanadeze, si dhe shoferi i tyre palestinez, sipas të dhënave të spitalit.

Të gjithë të vrarët ishin punonjës të organizatës bamirëse ‘World Central Kitchen’ dhe sipas zyrtarëve të saj, në momentin e sulmit ishin duke shpërndarë ushqimet që u futën në Gazë përmes detit. Ata kishin veshur rroba me shenjën e organizatës.

Një palestinez afër vendit ku ndodhi sulmi e përshkruan kështu ngjarjen.

“Tenda ime është 100-150 metra nga këtu. Kur dëgjuam sulmin, erdhëm me vrap. Gjetëm njerëzit që po i afroheshin makinës. Është në natyrën tonë të ndërhyjmë dhe të përpiqemi t’u ndihmojmë atyre brenda. E kuptuam që njëri nga të plagosurit, brenda makinës, ishte i huaj. Ishin katër heronj, martirë, njerëz të guximshëm, që erdhën me mision humanitar nga ana tjetër e botës për t’u ndihmuar njerëzve nën okupim. Kishin marrë plagët të rënda dhe vdiqën shpejt,” tha palestinezi Nael Eliyan.

Organizata ‘World Central Kitchen’ tha përmes një njoftimi se ekipi i saj po udhëtonte në një zonë jashtë vijave të frontit me dy makina të blinduara, të identifikuara me simbolin e organizatës dhe një makinë të tretë të pa blinduar.

“Megjithëse i kishim koordinuar lëvizjet me ushtrinë izraelite, autokolona u godit ndërkohë që po largohej nga depoja në Deir al-Balah, ku ekipi ynë shkarkoi mbi 100 tonë ndihma humanitare ushqimore që ishin dërguar në Gazë përmes rrugëve detare,” thuhet në kumtesën e organizatës.

Trupat e punonjësve u dërguan në morgun e spitalit në Deir al Balah, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës dhe pastaj u transportuan në spitalin e Rafahut, pranë kufirit me Egjiptin.

Organizata bamirëse e ushqimit, e themeluar nga kuzhinieri me famë botërore Jose Andres, njoftoi se i pezulloi menjëherë veprimtarinë e saj në këtë rajon.

Disa nga kolegët e punonjësve të vrarë u mblodhën të martën në spitalin e Rafahut.

Sulmi ndaj punonjësve të ndihmave ka gjasa të rëndojë edhe më shumë përpjekjet për të dërguar ndihmë përmes detit në Gazë në një kohë që Izraeli ka kufizuar futjen e ndihmës në pjesë veriore të territorit, ku ekspertët thonë se popullata e mbetur është buzë urisë.