RMV, kaloi edhe një vit, ndërtimi i premtuar i objekteve të FShIIK-ut dhe FEF-së nuk ka vazhduar

Fakulteti më i madh në vend, FShIIK  mbetet pa objekt të vetin, ashtu si “fqinji i ardhshëm” – Fakulteti për Edukatë Fizik, Sportit dhe Shëndet (FEFSSh). Njoftimi se ndërtimi i objekteve të këtyre dy fakulteteve do të vazhdojë edhe këtë vit nuk u realizua, andaj edhe ky premtim i ministrit të Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri është i paplotësuar, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ndërtimi i dy objekteve, i cili filloi në dhjetor 2015 si pjesë e projektit “Shkupi 2014”, tetë vjet më vonë, nuk ka përfunduar. Dy godinat, të cilat ishin planifikuar të ishin në stilin barok, duhej të zgjidhnin problemet e fakulteteve që ekzistonin prej vitesh në kushte të këqija. Kontraktor i ndërtimit ishte kompania “Beton-Shtip”, por pasi ajo falimentoi në korrik 2019, ndërtimi u ndal.

Për këtë arsye, institucioni më i madh i arsimit të lartë në vend – Fakulteti i Shkencave të Informacionit dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FShIIK), i cili, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave nga korriku i këtij viti, ka 4.468 studentë, mbetet pa objekt të vetin. Përkundër faktit se informatika është ndoshta shkenca më me prosperitet sot, dymbëdhjetë vjet pas fillimit të punës, fakulteti ende nuk ka objektin e tij dhe hapësirat nga institucionet e tjera të arsimit të lartë përdoren për mësimdhënie, gjë që krijon probleme për studentët dhe profesorët e tyre.

Për shkak të mungesës së klasave, për lëndët e detyrueshme të FShIIK-ut aktualisht mbahen ligjërata fizike, ndërsa pjesa më e madhe e lëndëve me zgjedhje ndiqen nga studentët online.

Fakulteti i Edukimit Fizik, Sportit dhe Shëndetit ka gjithashtu nevojë të madhe të ketë ambientet e veta. Në këtë fakultet vitin e kaluar kanë studiuar gjithsej 402 studentë, prej tyre 283 studentë të rregullt. Për mësimin teorik të të gjithë këtyre nxënësve, profesorët kanë në dispozicion vetëm një amfiteatër, ndërsa në hapësirën ku ndodhet fakulteti, krahas tij funksionojnë edhe gjimnazi sportiv – Shkolla shtetërore për kulturë fizike “Metodi Mitevski – Brico” dhe Akademia e Sporteve.

Për nevojat e disa lëndëve, fakulteti përdor edhe objekte të dhëna me qira në lokacione të ndryshme në Shkup.

Studentët e këtyre dy fakulteteve ende shpresojnë se institucionet e tyre do të kenë objektet e tyre ku do të mund të shkollohen, edhe pse nuk ka gjasa që gjenerata aktuale e studentëve të zhvendoset në objektet e planifikuara në kampusin social të UKM-së.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri tha në dhjetor 2022 se në vitin 2023 do të vazhdojë ndërtimi i objekteve të dy institucioneve të arsimit të lartë.

“Do të theksoj disa projekte më të mëdha – do të fillojë ndërtimi i objektit për nevojat e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe do të vazhdojë ndërtimi i objekteve të FShIIK-ut dhe Fakultetit të Kulturës Fizike në Shkup”, tha ndër të tjera, ministri i Arsimit Jeton Shaqiri në një konferencë për media ku ka shpjeguar buxhetin e Ministrisë së Arsimit për vitin kalendarik 2023.

Në fillim të vitit 2023, MASh njoftoi se do të rishikonte projektet për të hequr disa pozicione që janë pjesë e estetikës së objekteve, por që atëherë ka kaluar një vit.

Rishikimi i projekteve zgjat një vit të tërë?

Meta.mk në shkurt të vitit të kaluar i ka drejtuar pyetje Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për ecurinë e procedurës dhe nga aty janë përgjigjur se janë duke i rishikuar projektet.

“Projektet për ndërtimin e FShIIK-ut dhe Fakultetit të Kulturës Fizike janë në rishikim dhe synohet heqja e disa pozicioneve që janë pjesë e estetikës së objekteve dhe nuk kanë lidhje me funksionalitetin, për të ulur kostot e panevojshme në kushte të krizës ekonomike. Pas përfundimit të auditimit, do të kryhet një procedurë e prokurimit publik, me qëllim zgjedhjen e operatorit ekonomik që do të përfundojë ndërtimin”, thuhej në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit në shkurt 2023.

Krahas kësaj, Shaqiri në një intervistë për internet portalin Fakulteti.mk në mars të vitit të kaluar, bëri të ditur se ndërtimi i FShIIK-ut dhe FEFSSh-së do të vazhdojë.

“Planifikojmë ndërtimin e 3-4 shkollave, të fillojmë rikonstruksionin e 118 objekteve shkollore, të ndërtojmë 10 salla sportive, një kampus të ri universitar për “Nënë Terezën”, të vazhdojmë ndërtimin e FShIIK-ut dhe FEFSSh-së”, tha Shaqiri në një intervistë në përgjigjen e tij për pyetjen “Cilat projekte i keni prioritet këtë vit (2023), cila është gjëja më e rëndësishme që do të realizoni?”.

Meqenëse gjatë gjithë vitit kalendarik, vitin e kaluar, në dy objekte të Rektoratit nuk është vërejtur asnjë aktivitet ndërtimor dhe kjo çështje nuk është azhurnuar sërish nga Ministria e Arsimit, Meta.mk sërish në dhjetor iu drejtua ministrisë me pyetje se çfarë ka ndodhur me premtimin dhe cila është arsyeja pse nuk ka vazhduar ndërtimi i dy objekteve.

MASh-i na dha përgjigje identike me atë që morëm dhjetë muaj më parë.

“Projektet për ndërtimin e FShIIK-ut dhe FEFSSh-së janë duke u rishikuar dhe synohet heqja e pozicioneve të caktuara që janë pjesë e estetikës së objekteve dhe nuk kanë lidhje me funksionalitetin, për të ulur kostot e panevojshme të ndërtimit. Pas përfundimit të auditimit do të kryhet një procedurë prokurimi publik, me qëllim zgjedhjen e operatorit ekonomik që do të përfundojë ndërtimin”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit, e cila është e njëjtë me atë që kemi marrë gati një vit më parë.

Rrjedhimisht, duke marrë parasysh gjendjen aktuale të objekteve e cila është identike dhe ndoshta më e keqe në krahasim me atë të një viti më parë dhe ku nuk janë vërejtur punime ndërtimore, si dhe reagimi i Ministrisë së Arsimit, sipas të cilit projektet janë ende në shqyrtim, mund të vlerësojmë se njoftimi se ndërtimi i objekteve të FShIIK-ut dhe FEFSSh-së se do të vazhdojë në vitin 2023 nuk është përmbushur.