Në mënyrë aktive po punohet që të gjenden hapësira për FSHIIK, thonë nga Qeveria

Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi se po punohet gjetjen e zgjidhjes për Fakultetin e Shkencave të Informatikës dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FSHIIK), gjegjësisht mungesën e hapësirave përkatëse për mbajtjen e mësimit, pas mbajtjes së protestës së sotme, transmeton Portalb.mk.

Qeveria, zgjidhjen afatgjate e sheh në objektin i cili ka filluar të ndërtohet në vitin 2015-të, rikonstruimi i të cilit është ndaluar pasi që kompania për punët ndërtimore ka falimentuar. Në kumtesën e Qeverisë thuhet se “aktivisht po punohet në tejkalimin e problemit”.

Zgjidhja afatshkurte do të gjendet në takim mes përfaqësuesit të Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta dhe FSHIIK. Në kumtesë, Qeveria thotë se i ka dhënë afat tre muaj shërbimit për shqyrtimin e zgjidhjeve alternative dhe realizimin e zgjidhjes së përhershme.

Ndryshe, sot me pankarta, ekspozitë dhe ligjëratë në ambient të hapur, disa qindra studentë dhe profesorë të fakultetit me numrin më të madh të studentëve në Maqedoninë e Veriut – Fakulteti i Shkencave të Informatikës dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FSHIIK), e ngritën zërin përpara Qeverisë dhe kërkuan nga shteti që të angazhohet në mënyrë proatkive në menaxhimin me njërën prej sfidave më të mëdha për institucionin – mungesën e hapësirë për akomodim të thuajse 5.000 studentëve.

Dekani i FSHIIK-së, prof.dr. Boro Jakimovski, tha se protesta e sotme është organizuar që të ngirtet zëri për vetëdijen e shoqërisë se shteti duhet në mënyrë më aktive të kyçet në kërkesën për zgjidhje afatgjate për problemin hapësinor të fakultetit, por edhe që të sigurohet zgjidhje afatshkurte në ndërkohë – të lirohet hapësira e Kampusit Tekniko Teknologjik në UKM.

Në lidhje me godinën e cila shumë vite pritet që të ndërtohet në kuadër të kampusit të Universitetit “Kiril dhe Metodi”, e cila ishte pjesë e projektit famoz “Shkupi 2014”, dekani i FSHIIK, tha se që të mbarohet ndërtimi do të duhet edhe disa vjet.

“Leja për ndërtimin e asaj godine skadon për edhe një vit ose më pak, që do të thotë se do të ketë vakum juridik për pranim-dorëzim dhe vendosjen në funksion të ndërtesës”, deklaroi Jakimovski.

FSHIIK dje paralajmëroi se fillon me një sërë protestash paqësore derisa të realizohet qëllimi i tyre, por në protestën e sotme nuk u theksua nëse TI komuniteti akademik do të vazhdojë të dalë në rrugë edhe në ditët e ardhshme.

Për problematikën në fjalë, të martë, nga Ministria e Arsimit theksuan se me dhënien eventuale të hapësirave në të cilat për momentin është e vendosur Byroja për Zhvillim të Arsimit (BZHA), FSHIIK do të fitonte objekt i cili nuk përmbush kushte për realizim të mësimit.

Nga atje thonë se FSHIIK do të ketë ndërtesë në mjedisin e kampusit shoqëror të UKM-it, por ndërtimi për momentin është stopuar. Objekti i cili duhej të jetë shtëpi e FSHIIK-së filloi të ndërtohet para më shumë se tetë vite, por mbeti i pandërtuar, pasi në korrik të vitit 2019 firma realizuese “Beton-Shtip” shkoi në falimentim.

“FSHIIK do të ketë objekt tërësisht të ri në mjedisin e kampusit të UKM-it. Siç është e njohur, ai objekt filloi të ndërtohet, por procedura për momentin është stopuar, për shkak të falimentimit të realizuesit të punimeve ndërtimore. Informojmë se pas revizionit të projektit dhe vlerësimit të aktiviteteve të kryera nga marrëveshja, do të zgjidhet realizues i ri i cili tërësisht do ta përfundojë objektin”, thonë nga MASH-i.

Portalb.mk dhe Meta.mk tashmë kanë shkruar për problemin hapësinor të FSHIIK-ut. Ndërtesa e paralajmëruar prej kohësh që duhet të marrë fakulteti dhe që filloi të ndërtohej në Kampusin Social të UKM-së, mbeti e papërfunduar. Shpresat se ndërtimi do të rifillonte u rritën vitin e kaluar, por u shuan përsëri kur kjo nuk ndodhi.

Buxheti për vitin 2024 nuk parashikon mjete për vazhdimin e ndërtimit të objektit të FShIIK-ut dhe fqinjit të tij – Fakultetit të Kulturës Fizike, Sportit dhe Shëndetësisë (FKFSSh).