Informaticientët në protestë: Në vend Qeverisë, ChatGPT “e ndërtoi” godinën e FSHIIK

Me pankarta, ekspozitë dhe ligjëratë në ambient të hapur, disa qindra studentë dhe profesorë të fakultetit me numrin më të madh të studentëve në Maqedoninë e Veriut – Fakulteti i Shkencave të Informatikës dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FSHIIK), e ngritën zërin përpara Qeverisë dhe kërkuan nga shteti që të angazhohet në mënyrë proatkive në menaxhimin me njërën prej sfidave më të mëdha për institucionin – mungesën e hapësirë për akomodim të thuajse 5.000 studentëve, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

FSHIIK nuk ka godinë, mësojmë para Qeverisë”, “Na harruat!”, “#ERROR 404, Qeveria NOT RESPONDING” ishin vetëm disa prej shkrimeve të cilat ishin në pankartat e studentëve të mbështetur nga Asambleja Studentore e Universitetit “Kiril dhe Metodi” dhe Asamblesë së Studentëve të FSHIIK. Duke treguar kreativitetin e tyre, para ndërtesës së Qeverisë ekspozuan fotografi nga biseda me “ChatGPT” në të cilën nga chat-boti kërkuan që të gjenerohet fotografi se si Qeveria e ndërton godinën e FSHIIK-së.

“Pasi Qeveria nuk na ndërtoi godinë, e lusim ChatGPT-në ta bëjë atë”, komentuan në mënyrë ironike studentët.

Para Qeverisë ishin të pranishëm edhe profesorët e tyre, ndërkaq Këshilli Mësimor Shkencore i FSHIIK-së e mbajti seancën e tij të 25-të.

Dekani i FSHIIK-së, prof.dr. Boro Jakimovski, tha se protesta e sotme është organizuar që të ngirtet zëri për vetëdijen e shoqërisë se shteti duhet në mënyrë më aktive të kyçet në kërkesën për zgjidhje afatgjate për problemin hapësinor të fakultetit, por edhe që të sigurohet zgjidhje afatshkurte në ndërkohë – të lirohet hapësira e Kampusit Tekniko Teknologjik në UKM.

Një prej lokacioneve të mundshme është godina e Lidhjes së Sindikatave

“Periudhën e kaluar janë shqyrtuar disa objekte në pronësi të shtetit dhe nga ana jonë janë sugjeruar objekte tjera që nuk janë në pronësi të shtetit, megjithatë shteti mund të sigurojë zgjidhje afatgjate. Gjithsesi, këtu jemi edhe për kërkesën bazike që e kemi dërguar në Qeveri, e ajo është që të sigurohet hapësirë shtesë e cila gjendet në Kampusin teknik që të mundemi ta adaptojmë dhe nga shtatori-tetori të fillojmë në mjedis pak më të relaksuar që ta zbatojmë mësimin”, deklaroi dekani Jakimovski,.

Ai tha se me Qeverinë është diskutuar edhe për zgjidhje të përhershme, ndërkaq si lokacione të mundshme janë përmendur godina e Qendrës Tregtare Ramstor në Qendër dhe godina e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, në të cilat hapësira paraprakisht ka qenë i vendosur Universiteti “Nënë Tereza”.

“Kërkojmë objekt modern, i cili para se gjithash, duhet të ketë mësonjëtore pak më të mëdha, grupet tona të studentëve janë gjithnjë e më të mëdha. Objekt i cili është në rang prej 6 deri në 10 mijë metra katrorë do të ishte përkatës për fakultetin, në të cilin do të duhej të kishte hapësirë jo vetëm për studentët, por edhe për kompani potenciale start-up. Fakulteti organizon shumë aktivitete anësore dhe ngjarje dhe kompanitë nga TI fusha aktivisht janë të pranishëm në kampusin tonë, vazhdimisht, me shumë aktivitete të cilat gjithsesi ne i mbështesim. Është mirë që në një shtëpi të përbashkët të vazhdojmë ta bëjmë të njëjtën”, tha Jakimovski.

Do të duhen edhe shumë vjet që të ndërtohet godina e projektit “Shkupi 2014”

Në lidhje me godinën e cila shumë vite pritet që të ndërtohet në kuadër të kampusit të Universitetit “Kiril dhe Metodi”, e cila ishte pjesë e projektit famoz “Shkupi 2014”, dekani i FSHIIK, tha se që të mbarohet ndërtimi do të duhet edhe disa vjet.

“Leja për ndërtimin e asaj godine skadon për edhe një vit ose më pak, që do të thotë se do të ketë vakum juridik për pranim-dorëzim dhe vendosjen në funksion të ndërtesës”, deklaroi Jakimovski.

Sipas tij, nuk ekziston pengesë për zhvendosjen e Byrosë për Zhvillim të Arsimit nga barakat ku gjenden në afërsi të Kampusit Teknik.

“Besoj se shteti ka edhe hapësira tjera të cilat janë në pronësi shtetërore – në kuadër të ministrive dhe institucioneve tjera, që të riadaptohen për Byronë”, tha dekani i FSHIIK-së.

Nga Byroja për Zhvillim të Arsimit sot kanë deklaruar se nuk do të lejojnë që ata “të zhvendosen në drejtim të panjohur”. Byroja, thanë ata e mbështesin FSHIIK-në në angazhimin që të sigurojnë kushte përkatëse për mësim, por hedh dyshim në qëllimet e fakultetit, duke pyetur nëse ky është hapi i parë që “lokacioni atraktiv” të ngritët në objekt për shumë qëllime për “tani për tani arsye të panjohura”.

Ata shtojnë se i kanë njoftuar institucionet kompetente, në mesin e të cilave edhe Ministrinë e Arsimit dhe Qeverinë se nuk do të pranojnë kurrfarë zgjidhje në lidhje me hapësirat e tyre aktaule nëse në atë proces të vendimmarrjes nuk kyçen përfaqësuesit e tyre. Në të kundërtën, ata thanë se do t’i ndërpresin të gjitha aktivitetet.

“Në të kundërtën, edhe pse për ne është e papranueshme, por sipas “formularëve” të sjelljes së shtetit dhe zgjidhjes së problemeve me trysni, informojmë se do t’i ndërpresim aktivitetet tona të përditshme dhe do të ftojmë në mbështetje nga të gjithë bashkëpunëtorët (mësues, drejtorë, edukatorë, bashkëpunëtorë shkencor…_)”, thonë nga Byroja për Zhvillim të Arsimit.

FSHIIK dje paralajmëroi se fillon me një sërë protestash paqësore derisa të realizohet qëllimi i tyre, por në protestën e sotme nuk u theksua nëse TI komuniteti akademik do të vazhdojë të dalë në rrugë edhe në ditët e ardhshme.

Për problematikën në fjalë, të martë, nga Ministria e Arsimit theksuan se me dhënien eventuale të hapësirave në të cilat për momentin është e vendosur Byroja për Zhvillim të Arsimit (BZHA), FSHIIK do të fitonte objekt i cili nuk përmbush kushte për realizim të mësimit.

Nga atje thonë se FSHIIK do të ketë ndërtesë në mjedisin e kampusit shoqëror të UKM-it, por ndërtimi për momentin është stopuar. Objekti i cili duhej të jetë shtëpi e FSHIIK-së filloi të ndërtohet para më shumë se tetë vite, por mbeti i pandërtuar, pasi në korrik të vitit 2019 firma realizuese “Beton-Shtip” shkoi në falimentim.

“FSHIIK do të ketë objekt tërësisht të ri në mjedisin e kampusit të UKM-it. Siç është e njohur, ai objekt filloi të ndërtohet, por procedura për momentin është stopuar, për shkak të falimentimit të realizuesit të punimeve ndërtimore. Informojmë se pas revizionit të projektit dhe vlerësimit të aktiviteteve të kryera nga marrëveshja, do të zgjidhet realizues i ri i cili tërësisht do ta përfundojë objektin”, thonë nga MASH-i.

Portalb.mk dhe Meta.mk tashmë kanë shkruar për problemin hapësinor të FSHIIK-ut. Ndërtesa e paralajmëruar prej kohësh që duhet të marrë fakulteti dhe që filloi të ndërtohej në Kampusin Social të UKM-së, mbeti e papërfunduar. Shpresat se ndërtimi do të rifillonte u rritën vitin e kaluar, por u shuan përsëri kur kjo nuk ndodhi.

Buxheti për vitin 2024 nuk parashikon mjete për vazhdimin e ndërtimit të objektit të FShIIK-ut dhe fqinjit të tij – Fakultetit të Kulturës Fizike, Sportit dhe Shëndetësisë (FKFSSh).