Euroambasadori Gir për M-NAV: Emërimet me meritë, jo partiake

Duke komentuar zhvillimet e fundit në M-NAV, ambasadori evropian David Gir tha se pikëpamjet evropiane për zhvillimet në institucionet publike janë shumë të qarta. Ai tha se është e rëndësishme që emërimet të bëhen në bazë të meritës, që do të thotë kualifikim, aftësi, përvojë dhe jo lidhje partiake apo ndonjë lidhje personale. Është e qartë, tha Gir, se ka detyrime kur bëhet fjalë për navigacionin ajror dhe detyrime ndaj BE-së për sa i përket zbatimit të tyre, transmeton Portalb.mk.

“Kjo përfshin garantimin e pavarësisë së organit përgjegjës për navigacionin ajror. E dyta ka të bëjë me rekrutimin dhe angazhimin që çështjet ligjore të përmbushen dhe që burimet njerëzore të përdoren në një mënyrë që do të garantojë sigurinë dhe efikasitetin e vetë shërbimit të navigimit. Kur bëhet fjalë për pretendimet e ndryshme të ndikimit të jashtëm politik, ne u bëjmë thirrje autoriteteve të hetojnë dhe të veprojnë. Sa i përket pretendimeve për hyrjen në objekt, kërcënimet dhe dhunën, këto janë çështje që duhet të hetohen dhe nëse ka shqetësim duhet të reagohet”, tha ambasadori evropiane.

I pyetur se si e komenton vendimin e gjykatës për të mos caktuar masën e paraburgimit për autorët në rastin e M-NAV-së, Gir u përgjigj se nuk është zakon të komentohen vendimet e gjykatës, por kujton se thuhej qartë se cilat janë detyrimet, pra garancia e mbrojtjes së kësaj dhe sistemeve të infrastrukturës kritike.

Lidhur me këtë çështje është deklaruar edhe kryeministri Dimitar Kovaçevskit, sipas të cilit, M-NAV është shndërruar në kompani familjare ku ka të punësuar deri në brezin e tretë dhe se me këtë kompani, duhet të merret më seriozisht jo vetëm Qeveria, por edhe Eurokontrolli sepse, përkujtoi ai, janë në sistemin e Eurokontrollit dhe financimi i tyre vjen nga aty.

“Janë disa aspekte që duhen analizuar dhe në një pjesë që duhet ndërhyrë. Së pari, mendoj se ajo kompani është bërë si një biznes familjar, sepse kur shikon ka punonjës deri në brezin e tretë. Kur ta merrni sindikatën – babai i tij ka punuar atje, ai punon atje, vëllai i tij punon atje, në fund janë bërë si një familje në të cilën kanë konflikte që ndodhin zakonisht në shtëpitë e njerëzve dhe mendoj se duhet të hetohen gjithashtu, dhe siç thotë edhe BE-ja, mënyra se si i bëjnë konkurset dhe kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve etj., të mos ndodhë që një kandidat të marrë teste të gatshme, nuk e di, por kjo duhet parë, sepse ka shumë “rastësi” në atë organizatë, që nënkupton se ndoshta ato rastësi nuk janë aq të rastësishme”, vlerëson Kovaçevski.

Qeveria në seancën e djeshme propozoi shkarkimin e tre drejtorëve të M-NAV.

Ndërkohë, në M-NAV dje ka hyrë Policia financiare. Nga atje për mediat njoftuan se do të bëjnë kontrolle për të parë a ka dyshime për vepra penale në procedurat financiare.

Pakënaqësitë në M-NAV kanë nisur prej kohësh dhe sindikata disa herë ka paralajmëruar se po punësohen kuadro partiake dhe jo profesionale, për këtë arsye është kërkuar një reformë serioze në shërbim dhe përmirësimi i kushteve të punës. Por sulmi i 4 janarit u konsiderua më seriozi, i cili ndodhi nga të dyshuarit në krye me Bekim Nezirin, në Navigacionin e Maqedonisë, pasi kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski më 4 janar mbajti konferencë për shtyp së bashku me kontrolluesit e tjerë të fluturmeve, duke informuar se anëtarët e Sindikatës janë nën presion të shtuar nga menaxhmenti i M-NAV për shkak të kundërshtimit të sindikatës lidhur me shpalljen e fundit për punësime.