Kreu i Kuvendit të Arabisë Saudite zhvilloi takime me krerët e vendit, në fokus marrëdhëniet bilaterale

Presidenti Stevo Pendarovski sot ka pritur në takim Abdullah Bin Muhamed AlSheikh, kryetar i Kuvendit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Në takim u shpreh kënaqësia për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe të karakterizuara nga miqësia dhe mirëkuptimi i ndërsjellë dhe u theksua se bashkëpunimi mes dy vendeve është intensifikuar vitet e fundit, gjë që konfirmohet nga aktivitetet e shumta të të dyja palëve. Në këtë drejtim, presidenti Pendarovski tregoi se me vizitën e sotme pret forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit parlamentar, që është segment i rëndësishëm i marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale të dy vendeve, transmeton Portalb.mk.

Gjithashtu, bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime dhe informacione për situatën aktuale në Lindjen e Mesme, si dhe në kontekstin e pozitës së rëndësishme të Arabisë Saudite në botën arabe. Në këtë drejtim, presidenti Pendarovski theksoi se Maqedonia e Veriut vlerëson rolin e Mbretërisë së Arabisë Saudite në përpjekjet stabilizuese në rajonin e Lindjes së Mesme. Në të njëjtën kohë, presidenti Pendarovski theksoi se për të gjitha çështjet e sigurisë në Evropë, si dhe në Lindjen e Mesme dhe në rajon, Maqedonia e Veriut është në linjë me qëndrimin e BE-së dhe i koordinon politikat e saj brenda BE-së dhe me vendet partnere të NATO-s.

Në takim është biseduar edhe për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve, ku presidenti Pendarovski ka uruar EXPO 2030 që do të mbahet në Riad. EXPO 2030, siç theksoi presidenti Pendarovski, do të paraqesë vlerë të shtuar në marrëdhëniet mes dy vendeve mike, dhe do të ndikojë në ekonominë e Maqedonisë në fusha të ndryshme si energjetikë, turizëm, bujqësi dhe përpunim ushqimor, patundshmëri, industri.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, u takua me Kryetarin e Kuvendit të Mbretërisë së Arabisë Saudite (Mexhlisi Al Shura).

Në fokus të takimit ishin marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, ku u theksua përkushtimi i përbashkët për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik. Osmani e përgëzoi zgjedhjen e Arabisë Saudite nikoqire e EXPO 2030, e cila do të jetë një mundësi e shkëlqyer për intensifikimin e lidhjeve tregtare dhe afariste.

Bujar Osmani dhe Abdullah bin Muhamed Al аsh-Sheikh. Foto: MPJ
Bujar Osmani dhe Abdullah bin Muhamed Al аsh-Sheikh. Foto: MPJ

Lidhur me gjendjen kontraktuale mes dy vendeve, u shpreh bindja reciproke se korniza ekzistuese kontraktuale duhet të zgjerohet, gjë që do të vendosë bazat për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në takim, bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për bashkëpunimin multilateral, për prioritetet e politikës së jashtme të dy vendeve, për temat rajonale, si dhe për çështjet dhe sfidat aktuale ndërkombëtare.

Për shkak të vizitës së Abdullah bin Muhamed al-Sheikh, prej dje deri të shtunën, më 13 janar, në Shkup do të ketë regjim të veçantë të komunikacionit. Regjimi i veçantë, i cili do të zbatohet nga Njësia për Siguri në Komunikacionin Rrugor, do të mbulojë rrugët e qarkut të zonës më të gjerë qendrore të Shkupit.

Takim me Abdullah bin Muhamed Al-Sheikhin, Kryetarin e Kuvendit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, zhvilloi edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i cili i uroi mirëseardhje dhe i përshëndeti marrëdhëniet e deritanishme të mira dhe miqësore ndërmjet dy vendeve.

Theksoi se vizitat e këtilla të përfaqësuesve më të lartë të Arabisë Saudite janë nxitje për përforcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në më shumë nivele, me theks në nevojën për intensifikimin dhe përforcimin e komunikimit politik të ndërsjellë në të gjitha nivelet, a sidomos edhe në planin ekonomik.

Talat Xhaferi dhe Abdullah bin Muhamed Al аsh-Sheikh. Foto: Kuvendi i Maqedonisë së Veriut
Talat Xhaferi dhe Abdullah bin Muhamed Al аsh-Sheikh. Foto: Kuvendi i Maqedonisë së Veriut

Xhaferi veçanërisht e theksoi bashkëpunimin parlamentar dhe i përshëndeti nismat e deritanishme të pranuara nga ana e Arabisë Saudite për nënshkrimin e më shumë marrëveshjeve bilaterale në fusha të ndryshme. I informoi bashkëbiseduesit për përcaktimin strategjik të Republikës së Maqedonisë së Veriut si shtet dhe njëherazi pjesë e Aleancës së NATO-s për të synuar gjithmonë paqen dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve dhe në këtë drejtim shprehu shpresë se veprimet ushtarake në Lindjen e Afërme dhe në Ukrainë do të përfundojnë së shpejti. E përshëndeti bashkëpunimin e deritanishëm në planin multilateral a e theksoi edhe mundësinë që në periudhën e ardhshme së bashku me Mbretërinë e Arabisë Saudite të punohet në planin e shfrytëzimit të potencialit ekonomik dhe rritjes së këmbimit tregtar.

Kryetari i Kuvendit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Abdullah bin Muhamed Al Sheikhi konfirmoi se takimet e këtilla janë të dobishme për të dyja palët, sidomos në drejtim të përforcimit dhe afrimit të marrëdhënieve të ndërsjella ndërshtetërore. Në këtë kontekst, ai i propozoi Kryetarit Xhaferi që në përbërjen e ardhshme parlamentare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut të formohet grup i veçantë i bashkëpunimit konkretisht vetëm me Mbretërinë e Arabisë Saudite a drejtoi edhe ftesë verbale për vizitë zyrtare në Mbretërinë e Arabisë Saudite në periudhën e ardhshme. “Ne si vend dhe si komb jemi të përcaktuar për paqe dhe bashkëpunim me të gjitha vendet në botë dhe në këtë drejtim, kisha dashur që të punojmë me vendin Tuaj në shfrytëzimin më të madh të potencialit ekonomik që e kemi,” theksoi në fund të elaborimit të vet Kryetari i Kuvendit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Sh.T. Abdullah Bin Muhamed Al Sheikhi.