Presidentes Siljanovska në zyrë i është lënë letër kërcënuese, autoritetet pritet të dalin me më shumë informacione
Ministria e Punëve të Brendshme po punon për zbardhjen e plotë të rastit me letrën kërcënuese të gjetur në kabinetin e presidentes Gordana Siljanovska-Davkova. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, informoi se një person është ndaluar dhe se policia ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e rastit, raporton TV21.
Bëhet fjalë për një burrë 46-vjeçar, i cili është identifikuar përmes video-mbikëqyrjes. Toshkovski paralajmëroi se MPB-ja dhe Prokuroria Publike së shpejti do të dalin me më shumë informacione. Për momentin, nuk bëhet e ditur përmbajtja e letrës, e as se kujt konkretisht i ishin drejtuar kërcënimet.
“MPB-ja po ndërmerr të gjithë hapat e nevojshëm lidhur me personin e dyshuar, po veprojmë në drejtim të zbardhjes së plotë të rastit. Mendoj se brenda një kohe të shkurtër do të dalim me informacione së bashku me Prokurorinë Publike”, tha Toshkovski.
Një letër me përmbajtje kërcënuese u gjet në zyrën е presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, më 18 nëntor 2026. Pas një denoncimi, policia ndaloi një burrë 46-vjeçar të dyshuar se kishte lënë letrën.